DASH kryqëzon qeverinë për lustracionin, pronat, “TemA”-n, Gërdecin dhe Fazlliçin
Departamenti amerikan i Shtetit sapo nxori dje raportin mbi gjendjen e të drejtave të njeriut gjatë vitit 2008. Në kapitullin për Shqipërinë, në raport ngrihen një numër shqetësimesh që kanë të bëjnë me qëndrimin e autoriteteve ndaj pronës private, respektimit të së drejtës së të pandehurve për proceset e të drejtat gjyqësore, kushtet e burgimit etj.
Në komentet lidhur me të drejtën për një proces gjyqësor të hapur dhe të drejtë, Departamenti i Shtetit jep komentet e tij mbi ligjin e pastërtisë së figurave. Raporti thekson se ky ligj është formuluar me terma të mjegullta që i japin qeverisë hapësirë tepër të gjerë për të përcaktuar vetë se çfarë nënkuptohet nga aktiviteti politik i ish-zyrtarëve të sistemit komunist, duke i dhënë dorë të lirë të vendosë se kush do të shkarkohet nga detyra. Raporti nënvizon edhe konfliktin e lindur ndërmjet ekzekutivit dhe gjyqësorit nga ky ligj, pasi pritet që ligji të prekë një numër anëtarësh të Gjykatës Kushtetuese.
Raporti i Departamentit të Shtetit thekson më tej se prona private vazhdon të jetë një problem i konsiderueshëm në Shqipëri. Lidhur me këtë çështje në analizën vjetore të Departamentit ngrihet problemi i hendekut mes kompetencave të kufizuara të ombudsmanit për të vepruar dhe ankesave që vijnë pranë tij lidhur me çështjen e pronave.
Në kapitullin për Shqipërinë, Departamenti i Shtetit ngre gjithashtu shqetësimin lidhur me kushtet në burgje, të cilat ende nuk përmbushin standardet ndërkombëtare. Po ashtu, në raport përmendet edhe rasti i 7 të ndaluarve në një rajon policie që ishin mbajtur mbi 15 ditë, pra për një kohë shumë më të gjatë se periudha prej 48-orësh që lejohet për ndalim para gjykimit.
VOA
Pjesë nga raporti i Departamentit të Shtetit
Gjyqësori
Kushtetuta parashikon një sistem gjyqësor të pavarur, megjithatë, presioni politik, kërcënimet, korrupsioni i përhapur dhe burimet e kufizuara ndonjëherë e pengojnë gjyqësorin që të funksionojë në mënyrë të pavarur dhe eficiente.
Më 22 dhjetor, parlamenti kaloi një ligj me kundërshti për lustracionin, i cili pritet të lejojë largimin nga postet publike të një numri të madh zyrtarësh që kanë marrë pjesë në “proceset politike”, ndërsa shërbenin në pozicione të larta qeveritare gjatë regjimit komunist, përfshirë këtu gjykatës, prokurorë dhe të tjerë zyrtarë të fushës së zbatimit të ligjit.
Gjuha e mjegullt e përdorur në ligj i jep mundësi të mëdha qeverisë që të përcaktojë se çfarë do të thotë “proces politik”, duke i lënë dorë të lirë në përcaktimin e zyrtarëve që duhen shkarkuar.
Vëzhguesit ndërkombëtarë, përfshirë ata të OSBE dhe KiE, kritikuan ashpër ligjin dhe shprehën shqetësim se ligji do të lejonte qeverinë të kishte kontroll të zgjeruar mbi gjyqësorin.
Për më tepër, ligji thekson se personat që janë subjekt i ligjit nuk mund të marrin pjesë në shqyrtimin ligjor të tyre. Kjo e vë gjykatën në konflikt direkt me ekzekutivin, pasi një numër anëtarësh të gjykatës raportohet se janë të prekur nga ligji.
Pronat
Rikthimi i pronave të konfiskuara gjatë regjimit komunist vazhdon të mbetet një problem domethënës.
Avokati i Popullit në raportin e tij nënvizon se gjatë një viti kishte shqyrtuar në total 223 ankesa, shumica të lidhura me çështjet e pronave.
Megjithatë, Avokati i Popullit thotë se këto kërkesa janë përtej juridiksionit të tij ligjor. Ky hendek vazhdon të ekzistojë, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të Avokatit të Popullit për parlamentin, duke i sugjeruar amendimet përkatëse.
Autoritetet nuk mundësojnë që të marrin jetë shumë çështje për pronat, për shkak të pasojave të rënda sociale dhe politike.
Sipas drejtorit të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, buxheti i vendit parashikonte për vitin 2008 rreth 10.3 milionë dollarë për kompensimin e pronave.
Shoqatat e ish-pronarëve llogarisin se kostoja totale për kompensimin e pronarëve rreth e qark vendit llogaritet të jetë rreth 3.2 miliardë dollarë. Deri në fund të vitit, nuk janë disbursuar fonde për këtë çështje.
Mediet
Kushtetuta dhe ligjet parashikojnë lirinë e shprehjes dhe të shtypit, ndërsa në përgjithësi qeveria i ka respektuar këto të drejta, raporte të ndryshme flasin se qeveria dhe biznesi kanë ushtruar presion indirekt mbi medien.
Ndërsa media ishte aktive dhe përgjithësisht e pakontrolluar, ka probleme serioze me përdorimin e medias për qëllime politike.
Në disa raste gjatë vitit që shkoi, zyrtarë të lartë sulmuan ashpër verbalisht mediet, duke i akuzuar ato për lidhje me mafien dhe rrjetet kriminale.
Zyrtarët e lartë akuzuan të tjerë gazetarë që publikuan materiale për shkeljet e zyrtarëve publikë se kanë interesa personale financiare. Pavarësisht qëllimeve politike, të vëna në pikëpyetje, roli investigativ i medias u rrit. Gazetarët praktikojnë rregullisht vetëcensurën.
Presioni politik, profesionalizmi i kufizuar dhe mungesa e financave kushtëzojnë dhe medien e pavarur, të printuar.
Radiotelevizioni Publik Shqiptar operon si stacion kombëtar televiziv dhe radiofonik. Pavarësisht përmirësimeve të vogla të këtij stacioni gjatë vitit që shkoi, profesionalizimi i RTSH mbetet në pikëpyetje për shkak të mbulimit pro-qeveritar dhe mungesës së gazetarisë investigative.
Më 2 shtator, Këshilli Kombëtar i Radiotelevizioneve gjobiti stacionin televiziv “News 24” me 800.000 lekë, pak a shumë 9 mijë dollarë, dhe dha paralajmërim për gjobë ndaj televizionit “Vizion Plus” për transmetimin e një spoti që dhunonte të drejtat ligjore për reklamat e grupeve politike jashtë periudhave zgjedhore.
KKRT pretendonte se një OJF me orientim politik, G99, kishte paguar për reklamën që ironizonte qeverinë. Stacionet televizive pretendojnë se G99 ka statusin e një OJF, çka nënkupton se ligjet zgjedhore nuk mund të aplikohen mbi të dhe kritikuan gjobën e KKRT si një përpjekje për të mbytur kriticizmin ndaj qeverisë.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit këshilloi KKRT të anulojë gjobën si të pabazuar në ligj.
“News 24” e çoi çështjen në gjyq, i cili vazhdon ende.
KKRT është akuzuar se ka kontroll strikt mbi licencimin e transmetuesve, duke u lëshuar licenca vetëm atyre transmetuesve që janë në favor të qeverisë.
Më 10 mars, Tom Doshi, një anëtar i parlamentit shqiptar, sulmoi fizikisht një gazetar investigativ, Besar Likmeta, gjatë një takimi të paracaktuar.
Doshi e paralajmëroi verbalisht Likmetën, një redaktor për publikimin online Balkan Insight, në lidhje me hetimin për korrupsion të supozuar të Doshit dhe më pas e goditi atë.
Likmeta kishte shkruar një seri artikujsh në lidhje me diplomat e falsifikuara në vend dhe kishte informuar Ministrinë e Arsimit se Doshi nuk kishte fituar diplomën, ashtu siç e kishte deklaruar në faqen e parlamentit.
Një dëshmitar dhe një tjetër anëtar i parlamentit mohuan që ngjarja të ketë ndodhur dhe më vonë gazetari tërhoqi akuzat. Likmeta pretendon se i ka tërhequr akuzat, për shkak se ka frikë se mund të lëndohen anëtarët e familjes.
Më 3 shtator, qeveria përsëriti kërkesën që “Top Channel” të largohej nga godina e saj, në pronësi shtetërore. Stacioni kishte një kontratë 20-vjeçare me qeverinë për ambientet. “Top Channel”, një televizion kryesor që ka qenë kritik ndaj qeverisë, apeloi ndaj vendimit të Këshillit të Ministrave për largimin nga godina, kërkesa është ende në shqyrtim.
Më 11 dhjetor, Ministria e Brendshme lëshoi një urdhër për Ministrinë e Ekonomisë që të prishë një kontratë 20-vjeçare qiraje më gazetën “TemA”, një gazetë që kishte qenë kritike ndaj partisë në pushtet, për çështje të “sigurisë kombëtare”. Ministria e Brendshme pretendon se zyrat e “TemA”-s ishin shumë afër godinës, ku pritet të prodhohen kartat e identitetit për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Të gjithë shtetasit, përfshirë medien e huaj, kanë të drejtën që të marrin informacion në lidhje me aktivitetet e qeverisë dhe personave që kryejnë funksione shtetërore, megjithatë qytetarët shpesh hasin probleme serioze për të marrë informacion nga institucionet qeverisëse dhe publike.
Korrupsioni
Ligji parashikon dënime penale për korrupsionin zyrtar. Megjithatë, pavarësisht disa arrestimeve të zyrtarëve të rangjeve të larta dhe qeverisë qendrore, korrupsioni vazhdon të mbetet një pengesë për reformat thelbësore dhe një problem serioz.
Më 13 dhjetor, Gjykata e Lartë caktoi pesë gjyqtarë për të shqyrtuar padinë e prokurorisë ndaj ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, për parregullsi në projektin më të madh publik në vend, autostradës Durrës- Kukës. Parlamenti e hoqi imunitetin e Bashës në dhjetor të vitit 2007.
Më 16 qershor, parlamenti hoqi imunitetin për ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, që dha dorëheqjen nga detyra më 17 mars në lidhje me hetimet për një shpërthim në një punishte demilitarizimi në Gërdec, që solli vdekjen e 26 personave.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm ishte duke hetuar për përgjegjësit e shpërthimit gjatë fundit të vitit, disa ndërkombëtarë dhe media shqiptare akuzuan zyrën e kryeministrit se po përpiqej të pengonte atë dhe hetime të tjera.
Më 10 dhjetor, hetuesit nga Ministria e Drejtësisë tentuan të marrin dosjet e Damir Fazlliçit, një biznesmeni serbo-boshnjak, të dyshuar për pastrim parash. Më 11 dhjetor, Ministria e Brendshme deklaroi se do të padiste dy prokurorë që tentuan të marrin në pyetje Fazlliçin duke deklaruar se urdhri ishte ilegal.
Ndaj Fazlliç, i akuzuar për pastrim parash në Shqipëri, kishte një urdhër që më 8 tetor për ty pyetur, ndërsa gjatë një vizite në Shqipëri ai arriti të largohej nga vendi përpara se të pyetej.
Ekspertët ligjorë e karakterizojnë kërcënimin e Ministrisë së Brendshme për padi ndaj prokurorëve si një kërcënim të hapur për të penguar Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm për të hequr akuzat ndaj Fazlliç, i cili është akuzuar për lidhje me rangjet e larta qeverisëse.