E mërkura e zezë e Flamurit, kundër BB, FMN dhe SHBA
Dje ishte një ditë e zezë për Flamurin. Nisi ters që në mëngjes në fakt. Ia prishi terezinë ai Frangaj. Kishte botuar një intervistë me Flamurin në gazetë dhe kishte vënë atë foton e mallkuar që e vë dhe rubrika jonë e “Antenës”. Dhe nuk e kishte marrë asnjëri seriozisht intervistën. I thoshin gjithë njerëzit, kishte botuar dhe “Koha Jonë” “Antenën” e “TemA”-s. Me zor i sqaroi. I nxehur mori Frangajn në telefon.
- Po si s’të vjen zor mor burrë? - tha. - Dhe ti atë foto më përdor mua në gazetë?
- Kush je ti mor…? - i tha Frangaj.
- Flamuri mo jam, Flamuri, se i kam numrat e telefonit njësoj ai i “TemA”-s. Më ka mbetë që atëherë që e njihja. Të mora për atë foton që keni botu në gazetë…
- Kush Flamur je mor burrë, - i tha Frangaj, - se më çudite, Flamuri i “Antenës”?
-Jo mo Flamuri i PD…
- Ha ha, - qeshi Frangaj. - Pse mo i vërtetë qenke ti? Unë e di që të kanë sajuar ty. Ha ha, qenka e madhe kjo. Do t’ia them doktorit.
Flamuri i shkretë u hutua fare dhe e mbylli telefonin i mërzitur. Të tjerë punojnë, tha, të tjerë njihen. S’ka faj ky maskarai. Ka bërë aq shumë lekë nga ai burri, sa dhe kur zihet me të tjerët për tokat e Kinostudios, nuk i qëllon me gurë që ka plot sheshi, por me celularë. Aty shihet sa pará ka bërë nga ai burri. Dhe bën sikur s’më njeh mua.
Kjo ngjarje ia nisi ditën ters.
Kur e mori ai burri nga mesdita, nuk ishte ende në terezi.
- Çfarë ka ndonjë gjë? - i tha.
- Asgjë, - i tha Flamuri. - Ja, lexova “Koha Jonë” sot mos vazhdonte ajo kryevepra që kishin dje për vrasjen e atij Mero Bazes, por s’kishte gjë. Prisnin gjithë njerëzit vazhdimin sot. Po ma mori mendje se dhe ju kishit punë dje, ishit i zënë. Ishallah gjeni kohë sot ta vazhdoni prapë.
- Flamur, do përpiqem të bëj diçka, por kemi telashe të reja sot. Shiko, këta të Bankës Botërore janë të korruptuar. Janë shumë të korruptuar. Tani po përgatisin një deklaratë të thonë që ishte gabim emërimi i Jamarbërit në projektin e tyre. Po kush i pyet ata xhanëm. Jo, do t’i zboj ata. Ata janë të korruptuar. Kjo gruaja madje duket shumë e korruptuar. Jo, do t’i zboj ata. Jo, nuk pranoj unë të më prekë familjen një njeri kot, i ardhur nga Afrika këtu.
- Kjo qenka e rëndë, - tha Flamuri. - Po mos e ka inatin me Nadirin, me atë që kishte mik Lul Basha.
- Nuk e di me kë ka inat, por me mua nuk ha dot inat. Se nesër i dërgoj policët dhe i nxjerr nga selia. Na duhet ajo vilë, se kemi prioritetet tona.
- Mirë e ke, t’ia marrim, - tha Flamuri. - Ja, sa të lirohen këta policët që po nxjerrin Çashkun dhe t’i çojmë aty.
Një orë më pas, ai burri mori përsëri.
- Hë, shkrove gjë për vazhdimin e asaj skenës së vrasjes? - tha Flamuri.
- Flamur, jo, s’pata kohë. Shiko, ka dalë ky i FMN dhe ka sharë qeverinë. Ka thënë që ka ngadalësim të rritjes ekonomike. Ka thënë që jemi në krizë. Çfarë s’ka thënë. Shiko, Flamur, këta duhen zbuar nga Shqipëria. Jo, këta s’i pranoj më këtu unë të bëjnë ligjin. Jemi vend sovran, s’kemi nevojë për plehra të tilla. Nesër ua tregoj unë qejfin këtyre, se na duhet ajo vila, është në vend të mirë.
- Mirë e ke, t’ia marrim, - tha Flamuri. - Ja, sa të lirohen këta policët që po nxjerrin Çashkun dhe t’i çojmë aty.
S’kaloi ora dhe ai burri mori prapë. Epo, do ta ketë shkruar, tha Flamuri, që mezi po pret vazhdimin e shkrimit.
- Flamur, s’pata kohë për atë, - tha. - Shiko, këta amerikanët kanë botu raportin e të drejtave të njeriut. Na kanë bërë sterrë. Na kanë akuzu se po fshehim të vërtetën për Gërdecin, për Fazlliçin, për rrugën Rrëshen-Kalimash. Na kanë akuzu për presion ndaj medias, na kanë akuzu për “Top Channel”-in dhe “TemA”-n. Jo, këtë nuk ua duroj dot më. Shiko Flamur, se Departamenti i Shtetit nuk bën gabime të tilla. Atë e dezinformojnë. Unë e takova Klintonin, nuk m’i tha këto gjëra fare. Po t’i kishte ndërmend t’i fuste në raport, do m’i thoshte. Madje, ajo s’më tha asgjë. Vetëm më pyeti: “ǒkemi andej?” Mirë, i thashë. Dhe i tregova se ç’kishim ndërmend të bënim. “Shumë mirë, - tha, - paskeni plane shumë të mira.” Dhe u ndamë. Nuk m’i tha këto gjëma që kanë shkruar. Kam frikë se kjo ambasada këtu e dezinformon. Jo, këta duhen zbuar këtej. Këta e kanë tepruar. Ose të sjellë njeri tamam, ose t’i heq këta. Nuk pranoj më njerëz të tillë këtu, që na ndërhyjnë në punët tona…
Flamurit këtu s’ia mbajti të përsëriste të njëjtën gjë që tha për FMN dhe Bankën Botërore.
- Urdhëro? - tha ai burri matanë që nuk po kuptonte pse Flamuri heshtte.
- Jo, jo, nuk thashë gjë, - tha Flamuri. - Po mendoja ku na u mblodhën gjithë të zezat në një ditë. Banka Botërore, FMN, Departamenti i Shtetit …media ndërkombëtare. Na hutuan fare. S’të lanë as kohë ta shkruaje atë pjesën në vazhdim për atë pisin, se po pret ai Edisoni t’i vërë emrin.
- Flamur, i thuj, sot s’kemi kohë, por do ta bëj. Unë jam burrë i fjalës së mbajtur. Unë do ta bëj atë që them.