E Diel, 1 Nëntor 2026

Banka Botërore: “Nuk autorizuam prishje në Jalë, gabim që pranuam emërimin e dhëndrit të Berishës”

Nga Tema, VOA

Zyra e Bankës Botërore në Tiranë dha dje shpjegimet e veta lidhur me projektin e shumëdiskutuar të financuar prej saj për bregdetin e Shqipërisë, i cili u bë objekt pas prishjes kryesisht të disa ndërtimeve në Jalë.

Zyra e Bankës Botërore iu referua raportit të grupit të menaxherëve të hartuar në përgjigje të raportit të Panelit të Investigimit. Një raport, i cili, siç u tha dhe në deklaratën e Bordit të Drejtorëve Ekzekutivë, “pranon gabimet serioze në përgatitjen dhe mbikëqyrjen e projektit, si dhe gabimet në komunikimin me vetë bordin”.

Duke iu përgjigjur disa pyetjeve të ngritura nga mediet e këtushme, drejtoresha e zyrës së Bankës Botërore në Tiranë, Camille Nuamah, tha se “prishja e objekteve në Jalë nuk ka qenë e autorizuar nga Banka Botërore”. Madje, letërkëmbimin mes Njësisë së Koordinimit të Projektit (pra, palës shqiptare) dhe policisë ndërtimore ajo “e ka marrë në kohën kur prishjet kishin nisur”. Siç dihet, për këto prishje policia ndërtimore u ndihmua nga fotot ajrore të bëra nga projekti i financuar nga Banka.

Zonja Nuamah shpjegoi se “Njësia e Koordinimit të Projektit duhej të ishte sqaruar se fotografitë nuk duhet të përdoreshin si mjet për të vënë në shënjestër prishjen e objekteve”. Ndër gabimet kryesore që pranohen nga Banka është fakti se ajo “nuk ka trajtuar dhe dokumentuar si duhet politikat e saj për shpërnguljen e detyruar” që në një rast të tillë parashikon edhe zhdëmtimin: “Në kohën kur është paraqitur në bord projekti, grupi i menaxherëve gjykonte se kjo politikë nuk aplikohej në këtë rast dhe e konsideronte programin në zbatim të qeverisë shqiptare për prishjen e ndërtimeve si një program jashtë objektit të projektit”, - shkruhet në raport.

Gjithashtu, një tjetër gabim vlerësohet edhe fakti që Banka ka dhënë pëlqimin e saj për emërimin e zoti Jamarbër Malltezi, dhëndër i kryeministrit, Sali Berisha, si koordinator të projektit. Ky quhet “një gjykim i dobët nga ana e Bankës, po të konsiderohet - siç thekson raporti - se një emërim i tillë do të krijonte të paktën perceptimin e konfliktit të interesit dhe rrjedhimisht një rrezik për reputacionin e Bankës Botërore”.

Banka do të vazhdojë me analizën e saj të brendshme për këtë çështje duke theksuar edhe një herë se objekt i hetimit të Panelit të Inspektimit, “nuk është dhe nuk mund të jetë huamarrësi”, pra në këtë rast pala shqiptare dhe se “asnjë hetim për korrupsion as ndaj punonjësve të Bankës nuk është ndërmarrë nga Paneli i Inspektimit”.

Lidhur me projektin dhe vijimësinë e tij, ndryshe nga sa është thënë prej autoriteteve të këtushme, zyra e Bankës Botërore në Tiranë tha se “kredia prej 17.5 milionë dollarësh mbetet e pezulluar, derisa të arrihet në një vendim, nëse projekti do të ristrukturohet duke hequr veprimtaritë e planifikimit të tokës apo do të anulohet tërësisht”.

Banka gjithashtu ka saktësuar se marrëdhënia e saj me qeverinë shqiptare “vijon të jetë produktive dhe se Banka mbetet e angazhuar për zhvillimin e Shqipërisë, uljen e varfërisë dhe përmirësimin e mirëqenies sociale duke saktësuar se janë afër 300 milionë dollarë në projekte që janë në zbatim e sipër”.

VOA

Dhëndri i Berishës i shkatërroi shtëpitë, më pas njoftoi Bankën Botërore

tema.al

19 shkurt 2009

Dhëndri i kryeministrit, Sali Berisha, është përgjegjësi kryesor për masakrën me shtëpitë në Jalë, dhe veprimet e tij kanë përlyer keq Bankën Botërore.

Përfundimet e Raportit të Panelit të Inspektimit faktojnë se ka qenë pikërisht Jamarbër Malltezi që ka kërkuar prishjen duke përdorur emrin e Bankës Botërore, dhe për më keq, pa e informuar këtë të fundit.

I gjithë zinxhiri i veprimeve me këtë projekt lidhet me emrin e Jamarbër Malltezit, por Banka Botërore ka bërë të ditur se ajo nuk heton për qeverinë shqiptare. Megjithatë, Paneli i Inspektimit ka paraqitur fakte të rënda për qeverinë dhe dhëndrin e kryeministrit.

Kështu, projekti për menaxhimin e bregdetit fillon e merr jetë që në periudhën e qeverive paraardhëse, por ndryshe nga sa mashtron qeveria shqiptare, formën e plotë projekti e merr me qeverinë e re, e cila, siç thuhet dhe në raportin e Panelit të Inspektimit, priti disa kohë duke e shtyrë projektin, derisa vendosi stafin dhe synimet e saj për të, për ta miratuar më vonë me në krye dhëndrin e Berishës.

Projekti parashikonte sistemimin e bregdetit tonë, e normalisht një problem kryesor do ishin ndërtimet pa leje. Duke përdorur këtë detaj, Jamarbër Malltezi nis fushatën e tij.

Siç thotë Paneli i Inspektimit, ai kërkoi fillimisht nga Banka që ajo të asistonte Policinë Ndërtimore me aparaturat e nevojshme për të punuar, për të njohur më mirë situatën në terren. Banka dha asistencën e saj për këtë polici, duke mos ditur që në Shqipëri kjo polici është thjesht dhe vetëm shkatërrimore.

Pastaj, një ditë të mirë, duke përdorur emrin dhe logon e Bankës Botërore, Malltezi i kërkon Policisë Ndërtimore që të nisë prishjen e ndërtimeve në këto zona.

Ndërtimorët reagojnë me shpejtësi. Bëhet fjalë për dhëndrin e kryeministrit. Kjo i jep fuqi të menjëhershme Malltezit. Një gjë e tillë nuk lihet pa theksuar në raportin e Panelit të Inspektimit.

Vetëm pasi kompletohet shkatërrimi, Malltezi njofton Bankën këtu në Shqipëri.

Kjo e fundit alarmohet, por është në dilemë, emri i saj është përdorur, por ajo nuk ka njoftuar prishje ndërtimesh. “Do hani me lugë floriri, është një projekt i Bankës Botërore”, - u thonë policët banorëve të pastrehë që mezi kanë ngritur atë pasuri.

Duke qenë se shteti nuk u përfill asnjë kërkesë banorëve, nuk i lejon madje as që të marrin një vendim nga gjykata, edhe pse vendimet e saj nuk para respektohen, banorët i drejtohen Bankës Botërore, duke u kërkuar dëmshpërblim, sepse emri i saj është përdorur në këtë mes.

E thonë madje dhe politikanët e djathtë në parlament. “Shtëpitë i keni të shkatërruara nga Banka Botërore”. Por Banka këtu vazhdon të heshtë. E kjo heshtje duket se do paguhet shtrenjtë prej tyre.

Ndërsa Malltezi vijon punën e tij. Edhe pas prishjes së ndërtimeve në Jalë, siç raportin Paneli i Inspektimit, ai i kërkon Policisë Ndërtimore të tjera prishje, dhe Ndërtimoret ia plotësojnë menjëherë dëshirat dhëndrit të kryeministrit.

Paneli i Inspektimit thotë se janë hedhur dhe dyshime për korrupsion, se prishja e ndërtimeve është bërë për të ndërtuar një resort turistik. Por më tej Paneli nuk shkon dot. Nuk ia lejon juridiksioni. Topi mbetet në fushën e organeve të drejtësisë shqiptare.

Hetimi i Bankës Botërore do të vijojë dhe duket se do ketë dhe koka të prera për këtë heshtje e mosreagim ndaj këtij skandali dhe përdorimi të emrit të saj.

Por në kampin shqiptar asgjë nuk ndodh. Dhëndri i kryeministrit bashkë me të shohin klane brenda Bankës Botërore, e akuzojnë atë për lidhje me mafien dhe deklarojnë se përse nuk flasin shqiptarët dhe Banka Botërore për prishjet e tjera të ndërtimeve përveç Jalës.

Në fakt, duhet të flasin. Të gjitha prishjet mbajnë firmën e Malltezit.

Pjesë nga raporti i Panelit të Inspektimit

Në mars 2007, Njësia e Koordinimit të Projektit dërgoi një letër, me kokën zyrtare të projektit të financuar nga Banka, firmosur nga Koordinatori i Projektit, për shumë nga autoritetet kryesore qeveritare, relevante me këtë çështje, përfshirë dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Ndërtimore, duke i njoftuar për ato që i quan ndërtime pa leje përgjatë bregdetit të Jugut. Bashkë me letrën u dërguan dhe dy CD me foto ajrore të bregut. Fotot ajrore ishin financuar nga Projekti.

Koordinatori i Projektit shkruante: “Siç mund ta shihni dhe nga fotot, ndërtimet ilegale po vijojnë në bregdetin e Jonit. Nisur nga rëndësia e zhvillimit të qëndrueshëm në këtë zonë... me respekt u kërkojmë që të siguroheni që të merren masat e nevojshme sa më shpejt të jetë e mundur.”

Është e rëndësishme të theksohet se Njësia e Koordinimit të Projektit e ka nisur letrën me kokën zyrtare të Projektit të financuar nga Banka dhe letra është firmosur nga kreu i kësaj njësie në cilësinë e Koordinatorit të Projektit dhe bashkë me letrën ishin bashkangjitur fotografi ajrore të financuara nga Projekti.

Koordinatori i Projektit është i mirënjohur nga qarqet administrative të Shqipërisë. Ai shpesh është përshkruar në shtypin e vendit për të dyja, si rolin e tij si Koordinatori i Projektit dhe si anëtar i familjes së një prej zyrtarëve më të lartë qeveritarë në vend.

Në përgjigje të letrës së Njësisë së Koordinimit të Projektit, dy javë më vonë, më 10 prill të vitit 2007, Policia Ndërtimore i nis një letër ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve, koordinatorit të Projektit dhe kryeministrit. Letra theksonte një numër ndërtimesh ilegale të identifikuara nga një grup pune që ishte ngritur menjëherë pas marrjes së letrës nga Njësia e Koordinimit të Projektit.

Aty përfshiheshin 16 ndërtime ilegale në Jalë. Në letrën e Policisë Ndërtimore theksohet se ajo kishte administruar të gjitha procedurat dhe vendimet për shkatërrimet dhe ato iu ishin komunikuar palëve.

Shkatërrimi në Jalë nisi shtatë ditë pas letrës së Policisë Ndërtimore për Njësinë e Koordinimit.

Paneli thekson se Njësia e Koordinimit të Projektit nuk e kishte njoftuar fillimisht zyrën e Bankës Botërore në Tiranë dhe drejtuesin e Ekipit të Task Forcës. Vetëm gjatë shkatërrimeve në Jalë, më 20 prill 2007, Njësia e Koordinimit të Projektit njoftoi Projektin e Bankës për komunikimet e saj me Policinë Ndërtimore duke u bashkangjitur letrën dhe përgjigjen.

Këto komunikime iu dërguan Bankës së bashku me letrën më datë 23 prill, pasi ishin kompletuar shkatërrimet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›