E Shtunë, 31 Tetor 2026

DASH pro vendosjes së doganierëve në veri, kundër barrikadave

Departamenti amerikan i Shtetit ka reaguar për situatën në veri të Kosovës ndërsa ka përshëndetur vendosjen e doganierëve të Kosovës në pikat kufitare në veri.
 

Në një deklaratë të publikuar për mediat DASH shpreh qëndrimin e qeverisë amerikane kundër vendosjes së barrikadave në veri të Kosovës.
 

“Kosova është shtet sovran. Prania e nëpunësve doganorë të Kosovës në pikat kufitare është në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar. Prania e nëpunësve doganorë të Kosovës përkrah nëpunësve të EULEX-it në kalimet kufitare në veri është një reflekim i procedurave normale doganore për kalimet kufitare ndërkombëtare,” thuhet në qëndrimin e qeverisë amerikane.
 

SHBA kanë mbështetur gjithashtu rivendosjen e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave, ndërsa ka shfaqur kundërshtimet e saj në lidhje me bllokimin e mallrave të Kosovës nga Serbia.
 

“Ne kemi parë se kalimi i mallrave dhe njerëzve nëpër dy pikat kufitare në veri po bllokohet nga serbët përtej veriut dhe nga serbët e Kosovës në veri të Kosovës dhe jo nga Kosova apo ndërkombëtarët. Bllokadat në rrugë dhe barrikadat vetëm sa vështirësojnë jetën e përditshme të njerëzve në Kosovë dhe në Serbi dhe pengojnë lirinë e tyre të lëvizjes,” thuhet ndër të tjera në qëndrimin më të ri amerikan rreth veriut të Kosovës.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›