E Shtunë, 31 Tetor 2026

DASHURIA E LATIFES DHE KUJTESA, SIÇ ISHTE

1.

Latifa i kishte thënë jo, kur ai e puthte dhe i fliste se duhej të shkonin në shtrat. I thoshte jo, duhej të martoheshin së pari, këmbëngulte në këtë. Ai i shpjegoi se martesa është hiçgjë, se është thjeshtë një akt që bëhet para një hoxhe, por ajo insistoi, përkundër adhurimit për të, dhe të dy mbetën në errësirë, ballë për ballë njëri-tjetrit. Ai duke pësuar disfatën e tij të vetme e ajo me shpresë se nuk do të quhet e tillë.

Nuk ishte një skenë e thjeshtë dashurie. Përballë Latifës ishte gjeneralissimo Ataturk, e përfundi verandës ku bëhej kjo bisedë, ishte gjiri i Izmirit, pjesët krishtere të të cilit ishin në flakë, shenja përfundimtare se Anadolli ishte çliruar nga pushtimi grek.

Mustafa Kemal Ataturk, "Ujku i Murrmë" në librin emocional të autorit amerikan H.C. Armstrong, do të largohet përkohësisht nga Izmiri, do të ndërmarrë edhe një veprim të guximshëm ushtarak në pjesën evropiane të Turqisë dhe do t‘i largojë nga aty trupat greke. I kthyer në shtëpi, në një fermë afër Ankarasë, do të mendonte gjatë për Latifën, do të peshonte rrethanat e vendimit, do të kërkonte një makinë, do të kalonte gjysmën e Turqisë, do të mbërrinte te shtëpia e saj duke i thënë se duhej të martoheshin menjëherë, brenda atij çasti; do t‘i jepte edhe pak kohë për t‘u veshur, do të dilnin, ta gjenin hoxhën e parë që kalonte andej pari dhe të martoheshin mu aty, në rrugë.

Dhe, kështu, Mustafa Kemal Ataturku hyri në telenovelë të pashkruar, apo në histori të shkruar. Apo në të dyjat.

2.

Telenovelë apo histori është dilemë, posaçërisht e shqiptarëve. Më ra në mend ndërsa Kryeministri turk, Erdogan, vizitonte Shqipërinë gjatë kësaj jave dhe hapej, natyrshëm, edhe një herë biseda rreth punës së përbashkët shqiptaro-turke për rishikim të historisë, me idenë bazike që nga të mësuarit e historisë të largohen pjesët që mund të dëmtojnë imazhet për njëri-tjetrin.

Çështja është se çka realisht duam dhe imazhi i Ataturkut shërben në mënyrë perfekte për këtë debat. Perceptimi popullor gjithandej i shqiptarëve është për një burrë të fortë, doemos me prejardhje shqiptare, i cili lufton për liri e kundër pushtimit. Pastaj, këtij imazhi i shtohet edhe ai i një reformatori që nga Perandoria Osmane nxori një Turqi proevropiane. Fotografitë e tij, në çdo cep të Turqisë, duhet të vulosin këtë perceptim të shndërruar në kult personaliteti; evropianiteti i Turqisë, në fund, duhet të rrjedhë nga sytë e larmë të Ataturkut dhe mustaqet ngjyrëhapur, për dallim prej stereotipit të turkut të zi; mustaqezi, flokëzi, syzi.

Përtej perceptimit popullor dhe obsesionit për prijësin historik, mbeten megjithatë shënimet historike. Në këtë libër, Ataturku është shqiptar për nga nëna, babai dhe inati, e me kaq mbaron identifikimi i tij me shqiptarët. Gjegjësisht, është më i shpejtë se prindërit e tij, në sensin historik; në kohën kur shqiptarët nuk e shtrojnë si çështje krijimin e shtetit të tyre kombëtar, Ataturku e fillon një luftë të gjatë që prej Perandorisë Otomane, të cilën po e sheh se si shkatërrohet në frontet e luftës, të ndërtojë një Turqi, siç e thotë ai, "Një Turqi për turqit". Turqia e këtillë po bëhej, ndërsa ai kërkonte dashurinë fizike të Latifës, e nga Izmiri largoheshin civilët grekë vendës, gratë dhe fëmijët e të cilëve ishin dhunuar ashtu siç kishte bërë ushtria greke ndaj civilëve turq. Turqia e këtillë bëhej, ndërsa luftonte në Alep të Sirisë, si gjeneral osmanli, dhe vendosi që të tërhiqet mbrapa, për në Anadoll, që të mbrojë atë që ai konsideronte vendin e tij. Dhe Turqi bëhej, ndërsa nga Lozana në Zvicër kthehej i dërguari i tij, gjenerali Ismet, cili kishte arritur të bënte marrëveshjen me Greqinë e Venizellosit, me të cilin do të këmbehej popullata e të dy vendeve për të krijuar vende pa minoritete. Brenda një dite (e kjo nuk është në libër), shqiptarët e Janinës do të konsideroheshin si pjesë e kësaj marrëveshjeje, do të paloheshin me dhunë dhe të dërgoheshin për në Turqinë e sapobërë nga Ataturku.

3.

Kur ishin larguar armenët nga Bursa, kishte mbetur një dyqan kapelesh. Banorët turq nuk shkuan në atë dyqan, derisa i detyroi zori. Me punë kapelash ishte marrë Ataturku. Në atë që do të ishte modeli i tij i vendimmarrjes, ishte paraqitur i pari me borsalinë kashte në një tubim në Detin e Zi. Ishte shikuar me mosbesim e neveri. Paskëtaj, kishte sugjeruar që mos të përdorej festi si simbol i mbrapambeturisë osmane, e kur nuk u përfill vendosi dekret, me të cilin xhandarët do t‘i konfiskonin. Kur dikush ngriti kokën kundër këtij vendimi, u ekzekutua. Dhe, turqit në Bursa shkuan me të shpejtë te dyqani i armenit, për t‘u pajisur me kapele. Në të kishin mbetur vetëm ato femërore, dhe qyteti atë ditë gdhiu me meshkuj, duke shëtitur me fjongot e lidhura që mbanin mbi kokë kapelet e mëdha me lule.

Dhuna, e zhveshur fizike, ishte mjeti për projektin më të madh reformues të shekullit XX. Edhe kur duhej hequr ferexhenë, edhe kur duhej ndaluar poligaminë. Edhe kur duhej vendosur sjelljen e re. "Selami u ndalua. Kafeja nuk duhej t‘u ofrohej vizitorëve si shenjë respekti në zyrë. Kapela duhet të ngrihej disa centimetra mbi kokë për të bërë një përshëndetje dhe po aq për të kthyer. Shtrëngimi i duarve zëvendësoi përkuljen e vjetër triherëshe".

Me dhunë, krejtësisht të zhveshur, do të përfundojnë shekujt e Perandorisë, e do të vendosej Republika dhe po aq me rëndësi, shekujt e Kalifatit, duke e lënë Islamin pa një qendër interpretimi të besimit, duke e lënë në fakt Islamin pa Vatikanin e vet.

Me dhunë, kërcënim, varje, dëbim a sakatosje, me një kontroll diktatorial në Parlament do të vendosen Kodi Tregtar gjerman, Kodi Penal italian, Kodi Civil zviceran. Me të parin, Turqia është sot një fuqi ekonomike e përmasave evropiane. Me të fundit, Turqia prin në botën islamike me të drejtat e grave.

Për Ataturkun, diktatura ishte reformë. Në njërën dorë do të mbante dekretet për varje të njerëzve, me të cilët kishte punuar deri dje, përfshirë edhe gjeneralin Arif, shokun e tij të të gjitha luftërave, kurvave, pijes dhe bixhozit, mbajtësin e fundit të sekreteve të tij më intime. Në tjetrën do të mbante shkumësin, me të cilin do të shpjegonte projektin e tij të ri, adaptimin e alfabetit latin për gjuhën turke, eliminimin e fjalëve arabe dhe perse, purifikimin e gjuhës së tij turke evropiane, e cila në të kodifikuar atëherë, vështirë të kuptohej nga shumica e anëtarëve të Parlamentit.

Progresi arrihet me dhunë, bile të skajshme, është njëra prej porosive të Ataturkut. Duhet ta ketë lexuar kështu edhe Enver Hoxha. Nga biblioteka e tij, do të më thotë një mik i imi javën e kaluar, do të zhdukej herë pas here ky libër, do ta merrte mjeku u tij, do t‘u jepte miqve, pra edhe mikut tim, të cilët duhej ta lexonin brenda ditës e ta kthenin mbrapsht.

4.

Dhunën e Ataturkut e ndjeu vizitori i kësaj jave në Tiranë, Kryeministri Erdogan. Kur ende ishte një aktivist i rëndësishëm i një partie proislamike, kishte recituar në fushatë zgjedhore një poezi ku i shndërronte xhamitë në bajoneta e besimtarët në ushtarë, në një luftë të shenjtë myslimane. Qeveria e dënoi me burg për atë që në anët tona quhet "propagandë armiqësore", me nenet e Kodit Penal të ndërtuara gjatë kohës së Ataturkut dhe të pasardhësve të tij, të shumtën junta ushtarake që duhej të garantonin kontinuitetin e Turqisë së Mustafa Kemalit.

Kur e takova në Forumin Ekonomik Botëror në Davos para disa vjetësh, kishte shtruar një darkë brenda një tende të madhe, tashmë si Kryeministër i vendit. Dy do të ishin shenja të pandryshuara prej kohës së themelimit të Republikës. Njëra, përulja orientale e enturazhit, prej gjellëtarit e deri te ministrat, të cilët e shikonin te Kryeministri një figurë mitike. Tjetra, mesazhi i qartë, i përkatësisë evropiane të Turqisë.

Rruga evropiane e Turqisë, sipas mendimit të Erdoganit, është në reforma që mohojnë dhunën arbitrare. Në vend të disiplinimit me kërbaç të një popullate me shumicë ende rurale dhe thellësisht besimtare, siç do të bënte Babai i Turqisë, ideja e Erdoganit është që këtë popullatë ta inkuadrojë në konceptin e demokracisë islamike, të njëllojtë me demokracinë kristiane.

Në vend të krijimit të një konflikti artificial mes idesë së shtetit laik të Ataturkut dhe shtetit islamik të një lideri të ri, ideja e këtij vizioni proevropian është adaptimi i lirive brenda shtetit laik të Ataturkut. Progresi arrihet me tejkalimin e dhunës, është porosia e Erdoganit.

5.

Ali Kiliç, truproja e Mustafa Kemalit, mund të jetë personazh i telenovelës, apo ndoshta i historisë, apo ndoshta i të dyjave.

Tregon se si Ataturku kishte dëgjuar se ishte ndaluar libri i Armstrongut. Ishte interesuar se çka kishte në të. Një pjesë bukur e madhe e librit e përshkruan si njeri me jetë të çrregullt. Ushtaraku, diktatori dhe reformatori i madh do të jetë po ashtu një njeri, i cili pjesën më të madhe të netëve do t‘i kalonte duke pirë, lozur bixhoz dhe gdhirë me ndjenjën e nevojës së të kalëruarit. Në fillim do t‘i vizitonte femrat në lagjet me nam të keq në Stamboll, pastaj do të arrinte t‘i ftonte në ballo, nga më të bukurat dhe të pasurat e qytetit. Në shtratin e tij do të mbërrijnë edhe gratë e personazheve të njohura të Turqisë së re, e që skandali të mos jetë i vogël, bëhet me dije dykumptimëshe se Ataturku do të zhvillojë afinitet edhe për meshkuj.

Kur i lexuan se çka shkruante libri për të, themeluesi i Turqisë tha: "I shkreti ka lënë për të dëshiruar; nuk ka shumë për qejfet dhe të pirat e mia. Unë do ta ndihmoj dhe të shtoj ca në librin e tij...".

Dhe, kështu u arrit një rrëfim i jashtëzakonshëm për një prej figurave më të mëdha të shekullit XX, një rrëfim i një diktatori që në fund nuk do ta kontrollojë të vërtetën, ashtu siç e shohin të tjerët. Ndoshta edhe ashtu siç është.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›