E Diel, 1 Nëntor 2026

Sikur te mos ndoshte Gerdeci...

Ne të gjithë e dinim. Të gjithë e dinim se puna jonë që prej shumë vjetësh, ndërsa diskutonim gjerë e gjatë për funksionet e medias, për misionin e tyre, për gjënë që ato i kishin dhënë më shumë ëndrrës së shqiptarëve, për t‘iu afruar më shumë botës së qytetëruar, kishte mundësi që të përfundonte në një hale fshati. Të gjithë e dinim se gazetat, me të kaluar disa orë, bëhen një copë letër, me të cilën mund të mbështjellësh bukën që e vë nën sqetull, teksa merr rrugën për të shkuar në punë. Të gjithë ne të medias së shkruar e dinim se gazetat, puna jonë e përditshme, ajo me të cilën mbahemi ne dhe njerëzit tanë, mund të përfundojë edhe si perde në ndonjë dyqan të harruar. Faqet që janë mbushur me aq mund dhe djersë mund të përfundojnë edhe si shtrojë e ndonjë shtëpie apo dyqani, teksa i pari ka vendosur që të lyejë më në fund dyqanin e tij të vogël, të zënë keq nga pluhurat e merimangat. E dinim edhe se ka ende zona në Shqipërinë tonë ku gazetat priten me zell të madh në katrorë të rregullt e pastaj ngulen në një gozhdë të madhe në një hale jashtë shtëpisë, poshtë së cilës gëlojnë pulat, dhe pastaj… nuk po e zgjasim më sepse dikur jemi betuar t‘i bindemi një etike profesionale, tek e cila besojmë jo thjesht se kështu na është thënë, por sepse besojmë se jemi njerëz të qytetëruar dhe andaj të betuar kundër erërave të këqija.

Ne jemi pjesë e kësaj Shqipërie, me të mirat dhe të këqijat që ajo ka. Produkti ynë mund të përfundojë në letër higjienike, sikurse tha ndokush nga të mëdhenjtë. Zaten e pasmja e çdo njeriu është pjesë thjesht individuale dhe për të fshirë atë secili mund të zgjedhë mjetin fshirës që do. Kjo ka të bëjë me b… e secilit dhe këtu sigurisht nuk duhen shumë mend. Varet se sa keq të ka zënë ajo punë. Dhe më pas varet se nga kush i pret mëndtë për atë punë. Nuk duhet të merremi shumë me këtë gjë, por të mundohemi të shohim me gjak të ftohtë se si do të ishim sot nëse punët do të kishin shkuar ndryshe në këtë fillim pranvere, që do të mbahet mend gjatë, si një nga më të përgjakshmet e më absurdet. Me një fjalë si një nga më të këqijat e këtij fillim mijëvjeçari.

Sikur të mos ishte Gërdeci 1

Sikur të mos kishim dëgjuar atë gjëmim të shurdhët atë drekë të 15 marsit, të gjithë do të kishim vazhduar punët tona. As që do ta kishim ditur se në Shqipëri, vetëm pak kilometra larg Tiranës, puna e skllevërve vazhdonte të mbushte xhepat e milionerëve me pushtet e pa pushtet. Do të kishim pritur njësoj anëtarësimin tonë në NATO, njësoj sikur ky të ishte shpëtimi ynë, njësoj sikur kjo pjesëmarrje të ishte ajo që ne e kishim ëndërruar, paçka se mileti as që nuk e ka të qartë dhe as që nuk ia ka thënë kush se ç‘do të thotë të jesh në NATO. Në fund të fundit pyetja jonë duhej të ishte: Ta zëmë se jemi në NATO. A do kemi më shumë drita, ujë, shkolla, rrugë, qetësi? Apo kjo thjesht është një punë me të cilën matet puna e politikës? Askush nuk i ka dhënë një përgjigje të saktë kësaj pyetjeje. Dhe kështu të qenit në NATO u vesh me një vello misteri, me një vello ku fshiheshin një mijë e një të liga, sikurse e pamë edhe vetë.

Sikur të mos ishte Gërdeci 2

Sikur të mos ishte Gërdeci, ne do të vazhdonim t‘i shikonim njerëzit që jetojnë kaq pranë nesh njësoj si kushërinj të varfër. Madje, edhe do të bezdiseshim ca nga dialekti i tyre, edhe nga varfëria e tyre e skajshme. "Te Partizani i Panjohur", bash e në mes të Tiranës, shumë prej nesh kalojnë përditë, madje aty afër është edhe selia e partisë në pushtet. Ne kemi mbyllur sytë dhe jemi ndjerë mirë, sa kohë që këta njerëz na rregullonin shtëpitë, na ndërtonin mure, na hapnin kanale dhe na ngrinin plaçkat lart. Tani që një pjesë e mirë e tyre u masakruan, jo thjesht fizikisht, tani bëjmë të mirin. Paguajmë para dhe bëjmë filantropin. Por tashmë është vonë. Shumë prej tyre nuk janë më. Të tjerë janë në qiell të hapur. Edhe më shumë të tjerë, fëmijët e tyre, do ta kenë shumë gjatë në mendje atë vezullimin vrasës që u shkaktoi indiferenca jonë. Dashur pa dashur jemi ndarë në dy palë: në shqiptarë që dinin, apo që nuk dinin, por që e kishin për detyrë ta dinin dhe kjo është njësoj e dënueshme, dhe në shqiptarë që u vranë, u shkulën, u damkosën, u dhunuan… thjesht sepse ishin të varfër dhe prandaj e mbanin kokën ulur. Me një fjalë, në këtë pikë, sikur të mos ishte Gërdeci dhe viktimat e tij, emri i të cilit është çuditërisht emri i një sëmundjeje të vjetër, po ashtu edhe i një mallkimi të vjetër, ne akoma do të vazhdonim të besonim se tashmë kemi hyrë në radhën e vendeve të qytetëruar. Gërdeci na mësoi se nuk mund të ndjehesh mirë nëse pranë teje gëlon një situatë që të kujton skllavopronarinë. Të luash me gjakun e tjetrit, dhe aq më shumë të mos e denoncosh atë, është një gjë fort e prapë. Herët a vonë dikush do të paguajë.

Sikur të mos ishte Gërdeci 3

Sikur të mos kishte ndodhur ai shpërthim i përgjakshëm, shumëkush prej nesh do të kishte ende iluzione. Shumë herë fjalimet entuziaste të politikës, sa kohë që nuk ke çfarë të shohësh tjetër në TV ta mbushin mendjen. "Do luftojmë korrupsionin", pat thënë Berisha në fillim të fushatës së tij elektorale. Njeriu i cili kishte rënë në fund të një honi të thellë në vitin e mbrapshtë 1997 ishte ngritur befas në këmbë dhe pretendonte të bënte Shqipërinë nga e para. Mblodhi rreth vetes edhe njerëz të tjerë, disa prej të cilëve nga shoqëria civile, madje edhe kundërshtarë, të cilëve dikur u ishin thyer dhëmbët prej njerëzve të tij. "Të shkuara të harruara, të gjithë kemi bërë gabime", mendoi ndokush. Berisha dukej ndryshe vërtet. Sikur të mos ishte përgjakja e Gërdecit, punët për të e për qeverinë e tij do të shkonin vaj. Fatos Nano, kush e di se ku ishte fshehur. Opozita ishte e zënë me problemet e saj të brendshme. Edi Rama nuk ishte në Parlament dhe ai kishte dhënë ok për reformat e mëdha. Kështu do të kishim vazhduar me ditë e me muaj të fshehur pas një iluzioni vrastar. Me një fjalë çdo gjë ishte në rregull. Por ja që nuk qe e thënë. Berishës i plasi në dorë "Hiroshima shqiptare". Përballë kësaj ngjarjeje, çdo gjë e arritur deri më tani u duk e kotë. Shteti, në çdo rast, ka vazhduar të na shohë si skllevër me të cilët mund të bëjë çdo gjë. Falë varfërisë sonë, ai mund të na punësojë në të zezë, të na bëjë të hamë barut, të na çojë ndër male e kanale të largët, të na armiqësojë me të tjerët, të na prishë shtëpitë e të na vrasë fëmijët e familjarët, të na lerë pa shpresë në hallin tonë dhe më në fund të dalë sërish i larë. Kjo as nuk është parë e as dëgjuar në ndonjë vend që pretendon të jetojë në një sistem demokratik. Është nga ato gjëra që mund të vejë në dyshim edhe atë arritje të madhe që kujtonim se e kishim arritur: lirinë.

Meqë ra fjala te kjo peshë e rëndë. Një gazetar i famshëm italian, tashmë i ndjerë, një nga ata me të cilët pushteti i çdo ngjyre nuk e kishte punën mirë, në amanetin e tij të fundit drejtuar miqve e kolegëve shkruante: Bëhuni të lirë! Liria nuk është vetëm një e drejtë, në radhë të parë ajo është një detyrë! Pas Gërdecit, koncepti ynë mbi lirinë dhe mbi ata që jetojnë duke fryrë xhepat me gjak fëmijësh, duke u fshehur pas demokracisë së shtirur, ka ndryshuar thellësisht. Mbase do të ndodhte dikur, por mbas Gërdecit kjo tashmë është një bindje e thellë për shumëkënd. Kjo është ajo që na mësoi Gërdeci dhe viktimat e tij. Pa to do të ishim hallakatur ende në qerthullin e ndërlikuar të fjalëve të mëdha që nuk na shpunë gjëkundi.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›