E Shtunë, 31 Tetor 2026

ÇELESI SPANJOLL PER BIPOLARIZIMIN SHQIPTAR

Me nismën e PS-së, sistemi zgjedhor spanjoll zbriti nga faqet e gazetave në terrenin e Parlamentit shqiptar, ndërsa me mbështetjen e rrufeshme që iu dha nga PD, duket se ky mekanizëm zgjedhor do të marrë legjitimitetin me votat e të paktën dy forcave kryesore politike të vendit. Por çfarë përfaqëson ky model, që ka shumë gjasa të konfigurojë prej vitit 2009 edhe strukturën parlamentare e qeverisëse të vendit tonë? Thelbi dhe veçoritë e modelit spanjoll, mbase më së miri, do të mund të kuptohen nëpërmjet përgjigjeve për pyetjen: Nëse është apo jo ai anëtar i familjes së sistemeve zgjedhore proporcionale? Përgjigja me dy fjalë: Edhe po, edhe jo. Duket nonsens, jashtë kornizave standarde të vlerësimit të dy sistemeve kryesore zgjedhore. Megjithatë, ky vlerësim nuk është larg së vërtetës. Sepse nga njëra anë, nisur nga konceptet teorike, sistemi zgjedhor spanjoll është proporcional, përderisa bazohet në dy shtyllat bazë të sistemeve klasike proporcionale, siç janë, së pari, kolegjet/zonat shumemërore, dhe së dyti, listat partiake të kandidatëve potencialë.

Por nga ana tjetër, produkti përfundimtar i sistemit spanjoll devijon nga produkti klasik i sistemeve proporcionale, që si veçori esenciale, në krahasim me sistemet mazhoritare, kanë transplantimin përafërsisht korrekt të konfiguracionit politik të vendit në aulën e Parlamentit. Në rastin e sistemit spanjoll përmbysen këto modele, aq sa, ndonëse është një sistem proporcional me prag elektoral relativisht jo të lartë (në shifrën e 3%), ai ka prodhuar një sistem bipartiak apo bipolar qeverisjeje, që i shkon për shtat sistemit mazhoritar. "Vetëm në Spanjë - konkludon politologu italian, Roberto D‘Alimon - bipolarizmi është proporcional", duke krahasuar sistemet zgjedhore, rezultatet elektorale dhe sistemet qeverisëse të 5 demokracive të mëdha të Evropës Perëndimore, siç shprehet ai për Francën, Gjermaninë, Anglinë, Italinë dhe Spanjën. Ato përfaqësojnë demokraci bipolare, por me një dallim esencial: Në tre prej këtyre shteteve, qeverisja bipolare ka buruar nga sistemi mazhoritar (Franca, Anglia, Italia), ndërsa në dy të tjerat - Gjermani e Spanjë, ka qenë produkt i sistemit proporcional rajonal. Zgjedhjet e 2005 në Gjermani lëkundën në njëfarë mënyre tezën e mundësisë së bashkekzistencës midis bipolarizmit dhe sistemit proporcional. Prandaj, nga shumë politologë konkludohet se Spanja është e vetmja nga demokracitë e mëdha evropiane që vazhdon në rrugën e bipolarizmit, pa ndjerë nevojën e mekanizmave të sistemeve zgjedhore mazhoritare. Fenomeni spanjoll mbështetet në tre shtylla kryesore:

Së pari, në ekzistencën e të paktën dy partive të mëdha politike - Partisë Socialiste Punëtore Spanjolle (PSOE) dhe asaj Popullore (PP), të afta të grumbullojnë së bashku rreth 80% të votave;

së dyti, në numrin e shumtë të kolegjeve elektorale - 52 të tilla, nga zgjidhen prej 1 deri 35 deputetë. Kolegjet zgjedhore kanë mesatarisht nga 7 vende për në "Il Congreso de los Diputatos", të përbërë nga 350 deputetë, tre të katërtat e të cilit formohet nga kolegjet me më pak se dhjetë deputetë. Me këtë kompozim të hartës zgjedhore relativizohet së tepërmi rëndësia e pragut zgjedhor, partitë e vogla penalizohen direkt nga vendet e pakta për çdo kolegj. Praktikisht, barazhi spanjoll nuk është ai legali 3% në bazë kolegji (i aplikueshëm realisht vetëm për Madridin - 35 mandate dhe Barcelonën - 31), nuk është as në kufirin e 4 apo 5%, si në shumë vende të tjera evropiano-perëndimore. Mesatarja e tij në shkallë vendi do të ishte 9.7%, por në mbi një të tretën e kolegjeve, ky prag elektoral virtual rezulton edhe në mbi 15,20 edhe 30%. Metoda D‘Hondt për llogaritjen e mandateve përbën faktorin e tretë përcaktues për bipolarizmin spanjoll. Kjo metodë, që njihet për tendencën favorizuese të partive a koalicioneve të mëdha në terrenin spanjoll është aplikuar me formulën e ngurtë, mbi bazë kolegji zgjedhor e jo në shkallë vendi (si në Bullgari p.sh.), pa korrektime në bazë të rezultateve në shkallë kombëtare, pa rikuperimin e votave të subjekteve minore të mbetura pa mandate në kolegjin respektiv.

Për ilustrim: Me metodën e D‘Hondt, të numrit më të madh (formula Q=V/S+1), të shtatë mandatet e rajonit elektoral të Kordovës u ndanë midis dy partive të mëdha-PSOS (4) dhe PP (3). Mbetën jashtë "sofrës" të gjitha partitë e tjera. Nëse të njëjtat vota do të konvertoheshin në mandate në bazë të metodës Hare dhe mbetjes dhjetore më të lartë (formula Q=V/N) në ndarjen e "tortës" do të merrte pjesë dhe e majta (komuniste) e Izquerda Unida, që me 9.9% të votave do të siguronte një mandat përfaqësimi në Parlament.

Sigurisht që sistemi zgjedhor spanjoll nuk do të kishte tërhequr aq shumë vëmendjen e politologëve apo të politikanëve për model aplikimi, nëse nuk do të vlerësohej si një instrument kryesor institucional që, në Spanjën postfrankiste, me reminishenca të luftës civile dhe vatra nacionaliste, kishte prodhuar në vazhdimësi për tri dekada rresht një realitet të stabilitetit politik e qeverisës. Për ilustrim: Nga viti 1977 deri në zgjedhjet e fundit 2008, në Madrid janë alternuar 10 qeveri dhe 5 kryeministra, ndërkohë që ngjitur me të, në Gadishullin e Apenineve, për të njëjtën periudhë numërohen 26 qeveri dhe 15 kryeministra. Por "fenomeni spanjoll" nuk do të kishte kuptim pa anën tjetër të medaljes - ekonominë - e cila, në truallin e stabilitetit politik, për 14 vjet me radhë, ka shënuar vetëm rritje me ritme mesatare vjetore mbi mesataren e eurozonës.

***

Me aplikimin e sistemit zgjedhor spanjoll, sigurisht që nuk pritet të implementohet në Shqipëri realiteti spanjoll me arritjet e tij politike, sociale, ekonomike. Sistemi zgjedhor spanjoll, veçse do të mund të krijonte premisa që edhe në Shqipëri të kapen standarde demokratike në procesin elektoral, të frenohen fenomene e tendenca negative që kanë ngritur krye në përballjet elektorale, të stimulohen disa faktorë socialë që ndikojnë për shëndoshjen e parlamentarizmit dhe të qeverisjes së vendit. Këto premisa pozitive nuk janë hipotetike, por burojnë nga përparësitë e njohura të sistemit proporcional, që mesa duket, po e përqafon më së fundi edhe Shqipëria, si të gjitha vendet e Ballkanit. Si mund të reflektohen këto përparësi të proporcionalit në realitetin shqiptar?

- Sistemi proporcional stimulon rritjen e pjesëmarrjes së zgjedhësve në votime, në masën që u jep atyre shpresë për të ndikuar në rezultatet e garës elektorale, ndryshe nga dozat e apatisë që përçon sistemi mazhoritar, me rezultate të paralexuara, sidomos në bastionet tradicionale të njërit apo tjetrit subjekt. Normalisht, në vendet që përdorin sistemin proporcional, pjesëmarrja rrotullohet te 70% e mbi të, mesatare kjo e lakmueshme dhe për vendin tonë, ku në dy edicionet e fundit, të vitit 2001 e 2005, pjesëmarrja ka qenë respektivisht 55.59 dhe 49.23%;

- Sistemi proporcional, në ndryshim nga ai mazhoritari -winner-takes-all (fituesi merr gjithçka)- mundëson përfaqësimin adekuat në Parlament, në vartësi të preferencave të votuesve, të partive të ndryshme me alternativat që ato mbartin me programet e veta qeverisëse në shkallë rajoni apo vendi. Me rajonet shumëmandatëshe do të zbehet monopoli i përfaqësimit të gjithçkaje nga njëra apo tjetra "parti VIP", nuk do të ketë më vend për bastione "blu apo rozë", që përveç aspektit elektoral, mbartin ngarkesë negative dhe në aspekte të tjera sociale e kombëtare;

- Gratë dhe përfaqësuesit e grupimeve të tjera sociale apo etnike mund të gjejnë më shumë frymëmarrje në listat shumemërore partiake, më shumë garanci e suport për t‘u zgjedhur në organet përfaqësuese legjislative. Në vendet me sistem proporcional, gratë zakonisht përbëjnë rreth 25-30% të të zgjedhurve, çka dukshëm kontraston edhe me demokraci të zhvilluara, me sistem mazhoritar.

- Me kalimin në familjen e sistemeve proporcionale, politikës shqiptare i krijohet mundësia të ndahet me fenomenin e "Dushkut", të aplikuar në çdo edicion elektoral nga të gjithë dhe, po kështu, të stigmatizuar po nga të gjithë, si fara e keqe që ka prodhuar përfaqësim fiktiv të partive dhe paqëndrueshmëri në qeverisjen e vendit;

- Në prani të vullnetit të mirë dhe në tabanin e proporcionalizmit, partive politike u lehtësohet mundësia të "heqin qafe" prurjet aksidentale në skenat e larta të politikës shqiptare, të çlirohen nga mjaft elementë, pesha politike e të cilëve nuk buron as nga forca e mendjes dhe as nga përkushtimi ndaj zgjedhësve që u kanë blerë votën, por nga forca e muskujve apo pesha e kuletës. Përballimi i presionit në rritje të këtij lloji "politikanësh" nuk është vetëm çështje prestigji partiak, as thjesht e nivelit të Parlamentit, por ka të bëjë me eliminimin e simptomave të rrezikshme për demokracinë ende të brishtë shqiptare, që nuk ka të ardhme pa kolonën bazë të demokracisë përfaqësuese të çdo kohe: Vullnetin dhe votën e lirë të zgjedhësit.

Përplasja e formacioneve më të vogla partiake me dy "big"-ët e politikës shqiptare lidhur me proporcionalin dhe modelin spanjoll, sigurisht që nuk kanë në qendër të debatit përparësitë e këtij sistemi dhe as objektivat që duhen arritur në reformën zgjedhore. Vija e kuqe kalon te perceptimi diametralisht i kundërt që ato kanë për rrjedhojat e zbatimit të modelit spanjoll: për njërën palë, si represiv dhe asfiksues ndaj partive të vogla, për palën tjetër, si fermentues i mazhorancave solide dhe i qeverisjeve të qëndrueshme.

Jashtë tundimit për t‘u pozicionuar rreth kësaj dileme me argumente teorikë dhe shembuj nga praktika botërore, po i paraqesim lexuesit për gjykim një tablo virtuale të mandateve që do të mund t‘u takonin partive tona politike në Parlamentin 140 vendesh, nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin bazuar në sistemin proporcional rajonal spanjoll. Kjo situatë hipotetike është e inkuadruar me treguesit e arritur nga të 7 subjektet me rezultate më të larta në zgjedhjet parlamentare 2001, shtrihet në tre nga 12 rajonet e propozuara elektorale: Tiranë, Shkodër e Gjirokastër, të përzgjedhur me kriterin e numrit të mandateve dhe të pozicionit gjeografik dhe u referohet rezultateve të dy metodave për përllogaritjen e mandateve. Të tre qarqet e skanuara, me rreth një të tretën e mandateve që disponojnë në shkallë vendi, do të konfiguronin një përbërje të përafërt të Parlamentit sipas tabelës 1.

Partitë PDR +BF PSSH PDR PSD PBDNJ AD PAA
Mandate/D‘Hondt 22 21 1 0 0 0 0
Mandate/Hare 20 18 2 1 2 1 0
Diferenca -2 -3 +1 +1 +2 +1 0
% mandateve
D‘Hondt 50% 47.7% 2.3% - - - -
Hare 45% 40.9% 4.54% 2.3% 4.54% 2.3% -

Rezultatet e tabelës 1, me atë shkallë përafërsie që përmbajnë, e bëjnë të qartë tendencën e dominimit të skenës parlamentare nga dy partitë e mëdha ose të aleancave parazgjedhore me partitë respektive minore që gravitojnë rreth tyre. Ky dominim, në variantin e parë, shkon në kufijtë ekstremë të 97% të vendeve në Parlament në përkatësi të dy partive të mëdha. Në rastin më të butë, të përdorimit të metodës Hare, që njihet në literaturë si fotografuesi më autentik i hartës politike të vendit, supremacia e dy partive të mëdha "zbehet" në favor të formacioneve politike minore, që do të mund të përfaqësohen në Parlament me rreth 14% të vendeve ose rreth 20 mandate.

Nuk ka vend për ta vënë në dyshim se tendenca që përmban sistemi i propozuar zgjedhor shkon në favor të bipolarizimit apo bipartizimit të jetës politike shqiptare, përmban alternativën e tkurrjes apo eliminimit të disa partive minore. Prandaj, nuk ka vend për lojën "kukamshefti" te partitë e mëdha me kolegët e tyre minorë, por nevojitet një debat transparent për pasojat që mbart bipolarizmi/bipartitizmi në raport me afirmimin e vlerave demokratike në stadin e tanishëm të zhvillimit të shoqërisë shqiptare, me realitetet që ai do të prodhojë në jetën politike, sociale dhe ekonomike të vendit. Vlerësimet, argumentet, konkluzionet e aktorëve të skenës politike shqiptare lidhur me to janë diametralisht të kundërta. Në anën e kujt qëndron e vërteta? I takon politikës ta gjejë përgjigjen. Teknikisht nuk është e pamundur të përzgjedhësh një sistem zgjedhor të sprovuar në praktikën e shteteve demokratike, që t‘i përshtatet realitetit tonë dhe vullnetit politik për progres. Veçse do të ishte e dëshirueshme, që ky sistem të mos shpërfytyrohet nga improvizimet dhe arnimet tona "konsensuale" me altruizmin "për t‘i kënaqur të gjithë".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›