E Shtunë, 31 Tetor 2026

Izraeli ta njohë Kosovën e pavarur

Në emrin tim dhe në emrin e shoqatës së miqësisë Izrael-Shqipëri i bëjmë thirrje qeverisë së shtetit të Izraelit të njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës. Pa cenuar aspak lidhjet e mira të shtetit të Izraelit me Serbinë dhe gjithashtu, brenda respektit për popullin serb, duke marrë parasysh faktin se numri i shqiptarëve në Kosovë përbën gati 90% të popullsisë së vendit dhe faktin se kosovarët kaluan një periudhë kaq të vështirë këto dhjetë vitet e fundit, ne besojmë se shteti i Izraelit duhet të pranojë aspiratën e popullit të Kosovës për të qenë si të gjithë popujt e tjerë.

Ne shpresojmë se qeveria e re e Kosovës do të nderojë e do të respektojë të drejtat dhe barazinë e pakicës serbe që jeton në Kosovë. Kosova ka një lidhje të lashtë e të ngushtë historike me Shqipërinë, e cila gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte një nga vendet e rralla në Evropë, ku e gjithë popullsia u angazhua për të ndihmuar e shpëtuar hebrenjtë nga skëterra naziste dhe vendi i vetëm, ku numri i hebrenjve në fund të luftës ishte disa herë më i madh sesa ai i fillimit të saj.

Njohja e pavarësisë së Kosovës do të jetë përmbushja e një drejtësie historike kundrejt vendasve të saj dhe do të përbëjë një bazë të rëndësishme për marrëdhëniet midis shtetit të Izraelit dhe Kosovës.

Shteti i Izraelit ishte një nga shtetet e para që i ofruan ndihmë humanitare dhe mjekësore popullit të Kosovës gjatë luftës në vitin 1998. Unë pata rastin të isha pjesë e atij grupi me njerëz të mrekullueshëm që arriti në atë periudhë në Shqipëri e në vazhdim në Kosovë, për të sjellë ndihma dhe për të ndihmuar të ndjekurit. Në vazhdim, punova edhe me grupin e madh të kosovarëve që u strehuan për disa muaj në Izrael.

Populli i Kosovës nuk e harron këtë gjest dhe ka një respekt të veçantë për popullin e Izraelit. Populli i Kosovës ka të drejtë të gëzojë pavarësinë e tij në shtetin e ri dhe sovran.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›