E Shtunë, 31 Tetor 2026

DEBATI POLITIK, SHTETI DHE PUSHTETI

Ndërsa ndiqja "live" të enjten në darkë punimet e Kuvendit të Shqipërisë, në kujtesë më erdhën një sërë përjetimesh që dëshiroj t‘i ndaj me lexuesit e gazetës suaj.
Së pari, gjuha e ashpër e Kryeministrit Berisha - tepër larg përgjegjësive publike të postit që ai mban. Në të njëjtën kohë, kjo gjuhë tejet jopolitike në "altarin e kombit", është një provë e naivitetit kolektiv me të cilin u prit riardhja në pushtet e tij më 2005 (edhe pse me një rotacion normal), dhe në mandatin e dytë pesë muaj më parë. D.m.th duhet të pranojmë se drejtimi i vendit nga njerëz që formimin bazë të tyre e kanë marrë në shkollat e sistemit komunist (dhe shkolla më e rëndësishme e tij ka qenë PPSH), vështirë se mund të ofrojë produkt më të mirë qeverisës se ai që kemi aktualisht. Por, në vlerësimin e toneve të ngritura, të fokusuar në "dimensionin" familjar të zotit Rama, mendoj se ka edhe një arsye praktike që e detyron rikthimin në "llogoren e vjetër" të zotit Berisha. Ai ka nevojë "të kompaktësojë" radhët e mbështetësve të tij në mitingun e pas disa ditëve (përvjetori i lëvizjes demokratike tashmë të përvetësuar dukshëm prej atij vetë) dhe në kongresin "historik" të radhës të partisë që komandon. Për hir të së vërtetës, fjalimi në Kuvend dhe daljet e mëvonshme publike të zotit Berisha, me të njëjtat tone dhe fjalor rreth profilit familjar të zotit Rama, kanë nxitur shtrëngimin e radhëve edhe në kampin e PS-së, duke ngushtuar dukshëm edhe hapësirën e një grupi deputetësh - figurash të njohura të kësaj partie, që i janë kundërvënë publikisht bojkotit të Kuvendit.
Në jehonën ende të pashuar të këtij "sqarimi të të vërtetave lakuriqe" nga ana e zotit Berisha - mjerisht vetëm për rrënimin e mbështetjes publike të kundërshtarit politik përmes denoncimit të "lidhjeve të liderit të PS-së me klanet punisto-mafioze", analistë të njohur kanë hequr edhe paralele me zhvillimet politike të periudhës 1996-1997. Personalisht mendoj se zhvillimet aktuale ndodhën në një kontekst krejt të ndryshëm, por nuk duhet të injorojmë edhe elementët e përbashkëta siç janë varfëria dhe polarizimi social në rritje, mungesa e "urave të bashkëpunimit pozitë-opozitë", e ndoshta edhe rreziku i instrumentalizimit të vjedhjes (së supozuar) të votave më 28 qershor, si rrugë për kontestim publik dhe radikalizim të vërtetë të situatës. D.m.th edhe pse në kushte të ndryshme historike, sociale, ndërkombëtare, etj., disa "paralele" duhen marrë në konsideratë. Sipas meje, edhe pse e ngritur pa argumentet e mjaftueshme ligjore, çështja e hapjes së kutive të votimit" mbart në thelbin e vet nxjerrjen dhe mbajtjen e debatit politik jashtë institucioneve; përdorimin politik të ndjeshmërive publike dhe të zhgënjimit për humbjen e socialistëve më 28 qershor, "farën" e krizës politike që duket në horizont, e pse jo edhe rrezikun e destabilizimit të vendit, nëse nuk veprohet në kohë drejt kompromiseve të nevojshme. E padashur
të mbivlerësoj rolin e "revolucionarëve të vonuar" përreth zotit Rama në elaborimin e idesë së "mosbindjes civile" apo të thirrjeve destabilizuese krejt jashtë kohe, si ato të publikuara ditën e djeshme në një zonë të njohur si mbështetëse e zotit Berisha, mendoj se sfida për gjetjen e kompromisit të radhës i mbetet kryesisht atij. Shumë vetë pranojnë se zoti Berisha nuk ka
mësuar vetëm si të rikthehet në pushtet edhe pa pasur numrin e mjaftueshëm të votave të qytetarëve (meritë e padiskutueshme e tij në vitin 2005). Pa kurrfarë dyshimi duhet pranuar se ai ka mësuar edhe si të mbajë pafund pushtetin, madje edhe duke vënë tërë institucionet e shtetit në funksion të fuqizimit dhe të përjetësimit të këtij pushteti. E për ironi të fatit, ndihmesa më e madhe e mundshme në këtë proces sa historik aq edhe aktual, zotit Berisha i është dhënë nga zoti Rama, me cilësinë e liderit zyrtar të opozitës. Të gjithë qytetarët shqiptarë duhet të kujtojnë pa kurrfarë krenarie dhe, madje edhe me një ndjenjë turpi, për shkak të poshtërimit kolektiv mbasi këta dy individë, të besuarit kryesorë të tyre, ndryshuan brenda natës Kushtetutën e vendit në prill të një viti më parë. Ky ndryshim nuk mund të mos sillte njëkohësisht si rrënimin e ndarjes modeste të pushteteve, e arritur në dy dekadat e para të tranzicionit, ashtu edhe nënshtrimin "pa kushte" të të gjitha institucioneve të shtetit në këmbët e "sundimtarit" të radhës. E kjo që ndodh aktualisht nuk është as më pak dhe as më shumë veçse një kosto për t‘u paguar nga lëshimet e lidershipit të PS-së dhe personalisht të zotit Rama në këmbim të sundimit absolut të liderit të saj në rast ardhjeje në pushtet pesë muaj më parë, gjë që nuk ndodhi. Aktualisht, opozita e udhëhequr nga zoti Rama - aq bashkëpunuese me zotin Berisha në periudhat e vështira të skandaleve të njohura të saj - duket se nuk po pranon humbjen e zgjedhjeve të 28 qershorit të këtij viti. Në fakt, edhe për shumë njerëz afër qarqeve drejtuese të PS-së, ky duket si një problem më shumë i Ramës se sa i vetë kësaj force politike tashmë plotësisht të tjetërsuar si partia e tij. Kjo për faktin se midis tentativës për të rimodeluar "partinë e vjetër", për të krijuar kohezionin e nevojshëm që do të fuqizonte aftësitë konkurruese të bllokut opozitar, si dhe sfidës për të përzgjedhur mbi bazë parimesh demokratike ekipin politik potencial qeverisës që do të rriste besimin publik te lidershipi i tij, duke ushtruar njëkohësisht presion për të siguruar një mirëqeverisje të vendit, zoti Rama ndoqi një rrugë "të tretë". Domethënë, përqendroi forcat dhe mjetet, duke përfshirë edhe një qendër të fuqishme të pushtetit - Bashkinë e Tiranës në imponimin e modelit qeverisës të kësaj të fundit në të gjithë "partinë e vjetër", d.m.th në tjetërsimin e saj historik, në pikëpamje të personaliteteve që mbledhin vota, duke përfshirë edhe dëbimin jo dhe aq paqësor të ish-kryetarit Nano, si dhe në përballjen e munguar me pushtetin e drejtuar nga Berisha. E për rrjedhojë, 28 qershori 2009 rikonfirmoi zotin Berisha si Kryeministër me një mazhorancë të formuar me kujdes prej tij, e cila me hyrjen në Kuvend të deputetëve të PS (kurdo që të ndodhë) nuk është çudi që, paradoksalisht, të zgjerojë radhët e saj.
E tash të vijmë te protesta e javëve të fundit e PS-së nën drejtimin e zotit Rama.
E mira e protestave të periudhës postzgjedhore duket se është njëlloj zgjimi nga letargjia shumëvjeçare e qytetarëve shqiptarë, ndonëse një parti që pretendon se mbështetet nga shumica e shqiptarëve mund dhe duhet të organizojë protesta të tilla me pjesëmarrje të gjerë publike edhe për mungesën e ujit, për mospastrimin e plehrave në qytet, e të tjera çështje jopolitike si këto, d.m.th për çështje të jetës së përbashkët komunitare. Por është vështirë të gjesh argument për ashpërsimin e tyre ekstremal deri në ultimatumin 10-ditor me kushte që "apriori" dihet se ka pak gjasa se mund të plotësohen, siç është edhe hapja e kutive të votimit. Unë nuk di nëse njëzet vjet mbas përmbysjes së diktaturës komuniste po të ishte zoti Rama kryeministër apo cilido tjetër në vend të tij, do të mund të guxonte të dhunonte haptazi ligjin, të "pushkatonte" gjykatat dhe administrativisht të vendoste për të hapur kutitë e votimit, siç po kërkon ai sot. Ashtu sikurse nuk di nëse krijimi i këtij precedenti, d.m.th hapja e kutive të votimit do të mund të lejonte ndonjëherë vetëfunksionim normal të pushtetit dhe të shtetit në këtë vend pa praninë dhe arbitrimin "non-stop" të ndërmjetësve ndërkombëtarë në të. Kjo jo se kutitë nuk hapen në botën moderne që na rrethon. As se në ato kuti, siç arsyeton në mënyrë naive ndokush, mund të gjendet "çelësi" magjik që zëvendëson Berishën me Ramën (në fakt ky i fundit po realizon konsolidimin e pushtetit partiak aty ku është sot, me një mandat "gratis" në krye të PS-së humbëse në zgjedhje, kur duhej të kishte dhënë dorëheqjen). A thua vërtet hapja "me çdo çmim" i kutive të votimit (edhe pse hapja e tyre në rrugë ligjore dhe institucionale e me ligj të posaçëm nuk duhej të shqetësonte askënd) është problemi themelor i shqiptarëve dhe i demokracisë së tyre në ditët e sotme? A thua vërtet liberalizimi i pritshëm i vizave do të sjellë atë "boom" ekonomik që z. Berisha propagandon orë e çast në çdo tribunë anekënd vendit?
Ndoshta është vendi të ndalemi pak më gjatë në këto probleme, duke filluar me rëndësinë e të kuptuarit se Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s dhe se ajo ka hedhur hapa të rëndësishëm në procesin e integrimit europian. Me këtë status të fituar falë orientimit dhe besimit të qytetarëve shqiptarë dhe politikanëve të tyre drejt Perëndimit dhe shpresës që buron prej tij, do të ishte naive dhe e pashpresë se "ndërkombëtarët" në Tiranë dhe në
kanceleritë perëndimore do të "lodheshin" me Berishën dhe pikërisht për këtë shkak do të kërkonin që "karrocës qeveritare t‘i ndërroheshin kuajt", d.m.th të futeshin në qeveri edhe njerëzit e Ramës, siç është artikuluar më se një herë edhe publikisht nga partnerë politikë këshillues afër tij. Natyrisht në këtë rast, mendjet e etura për pushtet të Ramës dhe të disa liderëve politikë pa parti dhe pa elektorat pranë tij kanë si kusht të vetëm dëbimin prej qeverisë të zotit Meta dhe të ministrave të tij (?!). E nëse kjo do të ndodhte një ditë, nuk ka dyshim se Berisha nuk do të ishte më ai "i keqi" sipas tyre, madje kjo do të përcillte në muzeun e harresës politike edhe
kauzën demokratike të "hapjes së kutive dhe dhunimit të demokracisë në vend", siç kanë përfunduar edhe dhjetëra kushte, para e prapakushte opozitare me kaq apo aq pika të këtyre pesë muajve të fundit. Në fakt, nuk është vështirë të konstatohet se në të gjitha llojet e raporteve, vëzhgimeve, analizave vendase dhe të huaja, në rekomandimet zyrtare dhe informale konfirmohet e vërteta e pamohueshme se Shqipëria është një vend me demokraci
funksionale; se si një vend anëtar i NATO-s, ajo duhet të përmbushë hap pas hapi detyrimet e veta, se procesi i integrimit europian është në rrugën e duhur dhe se për të marrë, për të mbajtur dhe për të konsoliduar pushtetin ka vetëm një rrugë: sigurimin e votave të qytetarëve dhe ushtrimin e pushtetit në përputhje me interesat themelore të tyre. Kryefjala e të gjitha
llojeve të rekomandimeve mbetet vazhdimi i reformave dhe rritja e
përgjegjshmërisë së klasës politike dhe mbarë shoqërisë shqiptare për përballimin e sfidave dhe të kostove të së ardhmes europiane të vendit.
Së fundi, cili është problemi i vërtetë politik apo institucional i shtetit në raportet e tij aktuale me pushtetin? Në vlerësimin tim, debati politik aktual vetëm se po errëson "pyllin prapa drurëve". Kjo mbasi rotacioni i natyrshëm dhe plotësimi i një numri postesh në disa nga institucionet më të larta të drejtësisë dhe të shtetit rrezikon që këto institucione të jenë "monokolor" për shkak të së drejtës legjitime të mazhorancës aktuale për
plotësimin e tyre me një shumicë të thjeshtë votash që ajo i ka. Për më tepër, edhe mungesa e opozitës në Kuvendin e Shqipërisë mundëson emërimin lehtësisht në këto institucione të figurave pa integritetin e duhur personal dhe reputacionin e nevojshëm publik dhe profesional, si dhe thellësisht të politizuara, gjë që nuk mund të mos reflektohet në rolin e ardhshëm kushtetues të këtyre institucioneve. Më shqip, në emër të luftës së opozitës
për hapjen e kutive, që në fakt veç "balsamosjes" të zotit Rama në drejtimin absolutist të PS-së, synon njëkohësisht edhe rrënimin e imazhit publik dhe ndërkombëtar të qeverisë së zotit Berisha, janë të gjitha gjasat që të deformohet më tej edhe raporti midis shtetit dhe pushtetit në favor të këtij të fundit.
Por a ka vend për një marrëveshje pozitë-opozitë (duke e pranuar ose jo krizën politike, kjo ka pak rëndësi në kontekstin e rrethanave të sotme), pa shkuar më tej në radikalizimin e situatës nga zoti Rama? Sipas mendimit tim, do të ishte krejt ndryshe nëse opozita, e drejtuar nga zoti Rama, do të shndërronte në kauzë të saj ruajtjen e balancave të pushteteve dhe rritjen e kontrollit parlamentar mbi institucionet kushtetuese në këmbim të korrigjimit të legjitimitetit të dyshuar (deri sot vetëm politikisht) të zgjedhjeve të 28 qershorit. Kështu duke hequr dorë nga bojkoti i pakuptimtë i derisotëm e duke u rikthyer opozita në Kuvend, duke luajtur atje rolin e saj kushtetues, ajo mund të shkonte drejt një marrëveshjeje politike për frymë konsensuale në zgjedhjen apo në emërimet e radhës, edhe me kontributin e saj në postet vakante apo që do të zëvendësohen së afërmi të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, në KLD etj., të individëve të ndryshëm, d.m.th duke kapërcyer shumicën e thjeshtë të parashikuar nga ligji për këto poste. Natyrisht ndërtimi i procesit konsensual nuk mund të mos kalojë përmes pjesëmarrjes aktive të opozitës në Kuvendin e Shqipërisë, qëndrimeve të përgjegjshme politike të liderit të saj; përmes marrëveshjeve politike, publike, transparente e në interes të qytetarëve shqiptarë, jo të pasuksesshme për PS-në në periudhën kur ishte në pushtet (zgjedhja e zotit Moisiu në postin e Presidentit të Republikës në vitin 2002 etj.). Në të njëjtën rrugë mendoj se mund dhe duhet të përmirësohet edhe kuadri ligjor zgjedhor, sidomos sa i takon modifikimit të mëtejshëm të sistemit, teknikave të numërimit, etj. Nëse situata e tensionuar politike dhe mungesa e dialogut institucional pozitë-opozitë do të vazhdojë edhe në muajt që vijnë, në pritje të ndonjë gabimi apo reagimi "me fuqinë e ligjit" të zotit Berisha, reagim që mund të përkthehet edhe një provokim apo tejkalim i caqeve ligjore ndryshe "over reaction" të zotit Berisha, "në emër të stabilitetit të vendit", mendoj se proceset degraduese të nisura me ndryshimet kushtetuese të prillit 2008 do të thellohen më tej.
Ja përse thirrjet e Berishës dhe lufta deklarative e tij "kundër klaneve punisto-mafioze" tingëllon si retorikë politike tipike e tranzicionit të tejzgjatur të këtij vendi, ashtu si dhe kauza opozitare e kutive të votimit që (nuk) hapen, nuk arrin të prekë problemet aktuale të familjeve shqiptare: varfërinë në rritje, papunësinë konstante, zhvillimin e ngadalshëm ekonomik të vendit dhe integrimin e vonuar të tij në familjen europiane.

*Ish-këshilltar i Presidentit të Republikës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›