DEGRADIMI KRITIK
Teatri i cili lidhet me Arto, Apija, Mejerhold, Kreg, Vilson… krijon distancë nga teksti dhe nga shkrimtari që merret me shkronja dhe dialogë, dhe, zakonisht nuk prezantohet si një “ndërtues-arkitekt”, i cili është gjithmonë në gjendje që një fjalë të zakonshme ta zëvendësojë me lëvizje, gjeste, mimikë, tingull, muzikë, shtimung, ose atmosferë.
Ky është një sistem që për herë të parë është parë në shfaqjen time “Fausti 3”, në vitin e largët 2001. Por, ajo krijoi edhe një distancë nga teatri tradicional dhe nga ai i realizmit socialist, por edhe një kornizë për zhvillimin e teatrit postmodern në Kosovë. Shfaqjet e fundit, të Bekim Lumit dhe Dino Mustafiq, paraqesin vetëm një vazhdimësi të këtij modeli, të inskenuar shumë më herët, por me ndryshime në zhanër dhe konotacion.
Transformimet dhe adaptimet, me të cilat gjatë shekujve u morën Shakespeare dhe Mollier, krijojnë njëkohësisht edhe kryevepra të bazuara në “rekonstrukcion”. Këto janë ato situatat kur teksti dramaturgjik nuk është definitiv - si një roman, që zakonisht përfundohet për të gjitha kohërat! Teksti dramaturgjik fiton frymën e tij vetëm në skenë, e kjo zakonisht realizohet nga mjeshtëria e lojës teatrore-regjisor.
Që prej momentit kur bije në duar të regjisorit, teksti dramaturgjik paraqet vetëm një partiturë, skenar, libretto... në bazë të cilit drama do të interpretohet në skenë. Kjo gjë nënkupton një kod joverbal komunikimi, i cili zhvillohet në mënyrë paralele me narracion dhe deklamacion... Një proces ky që zhvillohet në rreth, lojë, ritual ose seancë, e që pastaj lustron atë se teatri gjithmonë do të mbetet i tillë. Është ky një proces në teatër që nuk do të ndalet nga askush, një proces i cili kërkon që loja të vazhdojë edhe në mungesë të autorit - edhe pas vdekjes!
Teatri postmodern, sot, zhvillohet sipas rregullave tjera, që dallojnë shumë për nga gjinitë alternative letrare. E, kjo më së miri të bie në sy në projektet e fundit, të inskenuara në Teatrin Kombëtar. Por, edhe sot në teatrin postmodern ekziston tendenca që teksti dramaturgjik të interpretohet në mënyrë liberale. Për një regjisor modern gjuha letrare paraqet vetëm një fillim, pavarësisht asaj se a flitet për Hamletin, Beketin, Joneskon…
Pavarësisht mendimeve letrare të disa dramaturgëve, në secilin projekt teatror paka a shumë ka përplasje ndërmjet dramaturgjisë dhe konceptit regjisorial, ose ekziston dilema ndërmjet spektaklit dhe tekstit, mirëpo kjo gjë – normalisht - paraqet një planet tjetër, i cili nuk mund të kuptohet nga mentalitetet e kufizuara që kinse e bëjnë “dramaturgjinë dhe teatrin…”. E, paradoksi më i madh është se ky teatër, gjithmonë imoponohet si zhvillim apo progres, shpjegohet nga njerëz që jetojnë me tradita dhe në histori. T Ironike, apo jo?
Kohë më parë lexova një shkrim-kritik, nga dramaturgu Jeton Neziraj, për një regjisor tonin. Ajo që lexova, fatkeqësisht, paraqet një zero të madhe! Ajo që lexova paraqet një nihilizëm dhe një pluhur dramaturgjik. Ajo që lexova, nga ky dramaturg me mentalitet mediokriteti, ishte një përsëritje e tezave, mendimeve e definicioneve, të cilat unë shumë më herët i lexoja në gazeta tona ditore dhe në shkrimet e Arian Krasniqit dhe Josip Papagjonit.
Ndryshimi i vetëm ishte rirenditja e fjalive e kuptimeve, dhe ndryshimet “kozmetike”. Me siguri, Jeton Neziraj sot është duke e përzier çajin e zi, me dy kokrra sheqeri, dhe me një risk limoni, në ndonjërën prej kafeneve afër teatrit. E, aty flet për “guximin krijues”, “trimërinë” ose “rezultatet teatrore”, fatkeqësisht, duke mos e ditur kuptimin e vërtetë të këtyre nocioneve - të cilat janë të deformuara me paragjykime individuale, e me kritikë individuale, e cila lirisht mund të konsiderohet si forma më e ulët e kritikës. Pra, një kritikë e deplasuar, që një projekt teatror na ilustron në mënyrë të njëanshme dhe tendencioze.
Konservatori, Jeton Neziraj - i cili shpesh ka dëshirë të prezantohet si modernist - sot nuk i dallon principet liberale mbi të cilat ndërtohet vlerësimi me nota kolektive. Madje, as principet e kundërta, mbi të cilat zhvillohet ideja dhe ideologjia.
Opinioni publik, që lidhet me teatro, padyshim se duhet të kuptohet si liri subjektive e individëve që të japin mendime për sisteme publike. Mirëpo, gjykimi individual sot nuk kuptohet sipas principeve të Hegelit, se “secili bën çka dëshiron…”. Pavarësisht shoqërisë civile në zhvillim, kritika me karakter shoqëror edhe në ditët e sotme mbështetet në analizën/sintezën, përmes një integralizmi kritik. Mendimet e lidhura me paragjykime, mediokritet e plagjiaturë, për mua paraqesin, thjeshtë, një “delikt publik” dhe, si të tilla, duhen kundërshtuar me çdo kusht.
Pra, duhet të kuptohet dhe të shpjegohet teatri postmodern, në mënyrë neutrale dhe ekzakte. Duhet të përdoret teleobjektivi, babës.