E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hysi si Zamparini

Hysen Sadiku, pronar i klubit të Hysit, dhe Maurizio Zamparini, numri një i klubit nga Serie A, Palermo, kanë diçka të përbashkët. Bosët e të dy klubeve njihen për ndërrimin e shpeshtë të trajnerëve. Kreu i ekipit bardhezi rrëfen për Express arsyet e ndërrimeve të shpeshta të strategëve. Nga Valon Konushevci më 17 mars 2011 në ora 12:40

Skuadra e Hysit, edhe nëse nuk arrin të shpallet kampion i Kosovës, një ‘trofe’ e ka të sigurt – për ndërrimin e shpeshtë të trajnerëve që bën.

Këto ndryshime bëhen me urdhrin e pronarit të klubit bardh e zi, Hysen Sadiku, i cili
ka diçka të përbashkët me bosin e Palermos, Maurizio Zamparini. Të dy këta i karakterizon fakti se nuk i durojnë shumë trajnerët.

Sikurse Zamparini, ashtu edhe Sadiku shumë herë i ndërron trajnerët në skuadrën e tij. Vetëm brenda një viti, klubi i Hysit dhjetë herë ka bërë ndryshime në krye të shtabit teknik.

Rasti i fundit ishte ndërrimi i Arbnor Morinës me Genc Hoxhën. Por, as këtij të fundit nuk i shkoi gjatë në skuadrën nga Merdarja, pasi vetëm pas dy xhirove dha dorëheqje nga drejtimi i klubit.

Po ashtu, Zamparinin dhe Sadikun i karakterizon fakti tjetër se nuk hezitojnë që të njëjtin trajner që shkarkojnë, pas një kohe jo shumë të gjatë, sërish ta rikthejnë në detyrë.

Trajnerët kosovarë mendojnë se këto ndryshime vijnë si rezultat i ambicieve joreale që kanë udhëheqësit e klubeve. Por, pronari i Hysit, Hysen Sadiku, thotë se nuk i ndërron trajnerët prej dëshirës.

“Sa herë që kam ndërruar trajnerë, i kam ndërruar për faj të tyre. Kurrë nuk u ndërhyj në punët e tyre. Ndërhyj vetëm kur i shoh që po ma prishin ekipin. Për shembull, Bylbyl Sokoli tentonte të m’i largojë nga ekipi lojtarët më të mirë dhe të sjellë në ekip studentë të tij. Pastaj ka trajnerë që m’i shajnë lojtarët edhe e prishin atmosferën në ekip”, ka thënë Sadiku për Express.

“Me trajnerë kam gabuar disa herë që i kam marr në ekip pa e merituar, por gabimin më të madh në jetë e kam bërë kur mora Bylbyl Sokolin. Ai i mori 15 mijë euro për një vit, u largua dhe nuk i ktheu paratë. Po ashtu, ke ka ma shkatërron ekipin sikur mos të reagoja”, shtoi ai.

Ndërsa prej trajnerëve të shumtë që i kishte në skuadër (Hysni Maxhuni, Bylbyl Sokoli, Luan Prekazi, Adil Vokrri, Muharrem Sahiti, Arbnor Morina etj), Sadikut më së shumti i kishte lënë përshtypje Hysni Maxhuni.

“Maxhuni ishte një njeri pa hile e pa sherr. Mirësjellja e tij e dënoi dhe u detyrua të largohet, pasi i lazdroi futbollistët, të cilët e detyruan njeriun të largohet. Andaj e respektoj dhe e çmoj shumë Maxhunin”, u shpreh Sadiku.

Ai thekson se mërzitet shumë kur i vjen puna ta ndërrojë trajnerin. “Sinqerisht, dëshira ime është ta mbaj një trajner më gjatë në ekip, sepse ai më pas do të mund të më sillte trofe. Por, me këta trajnerë që i kem në Kosovë është e pamundur”, pohoi ai.

Ai pranoi se nuk e njeh mirë lojën e futbollit, derisa thotë se këtë dobësi të tij mundohen vazhdimisht ta shfrytëzojnë për përfitime personale trajnerët kosovarë.

“Nganjëherë mendoj ta mbylli klubin, sepse nuk merrem vesh me futboll, por vetëm kam dëshirë ta mbaj një klub dhe ta ndihmoj futbollin kosovar. Këtë po mundohen ta shfrytëzojnë trajnerët për përfitime personale, edhe pse të gjitha kushtet ua plotësoj”, përfundoi Sadiku.

Hysi kërkon trajner të huaj

Pas largimit të Genc Hoxhës nga posti i trajnerit të Hysit, kryetari i këtij klubi, Hysen Sadiku po mendon që në këtë kampionat të mos angazhojë ndonjë trajner tjetër, por këtë detyrë ta kryejë ndihmëstrajneri, Fadil Ademi.

Ai duket se është lodhur duke ndërruar trajnerë dhe pas përfundimit të kampionatit Sadiku po mendon ta angazhojë ndonjë trajner të huaj për më gjatë.

“Jam i zhgënjyer me trajnerët kosovarë dhe po mendoj që nga kampionati i ardhshëm ta angazhoj ndonjë trajner të huaj për më gjatë. Bile atëherë e di sa po shpenzoj, pse po shpenzoj, te kush po shpenzoj dhe për kë po shpenzoj”, theksoi Sadiku.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›