Dokumentari i i censuruar i Mapo-ve të komunizmit
Ngjarjet zhvillohen në shtatorin e vitit 1989. Ishte koha kur vishnim sandale me takë gome të bardhë, ishte koha kur zakonisht në dyqanet e konfeksioneve dhe mallrave industriale gjeje të njëjtin mall si para 20 vjetësh, por ishte dhe koha edhe kur njerëzit mbanin radhë në Mapo-n e qytetit për të blerë një palë atlete Adidas mall skarco, ishte koha kur kishte filluar të lulëzonte tregu i zi në Tiranë, ishte koha kur njerëzit shisnin gjelat e floririt për të blerë një rrip me tokëz në formë flutur sa një ballaban te dyqani i dollarit, ishte koha kur rinia dilte parqeve, shkonte nëpër takime dhe mbrëmje vallëzimi, ishte koha kur realizmi socialist nuk kishte më imunitet, ishte koha kur regjisorët e kinostudiove kishin filluar të guxonin për të çjerrë maskën e imazhit të mirë të vendit, ishte koha kur filmi “Përse kështu?” i Liri Brahimit tregonte realitetin e hidhur të një shteti që po shkonte drejt degradimit. Asgjë më shumë nuk bëri regjisorja Brahimi përveçse u ndal me kameran e saj në dyqanet që asokohe quheshin Mapo, për të marrë reagimet e shitësve dhe të klienteve që kishin 20 vjet që blinin të njëjtin mall stok të rinisë që donte të vishej bukur, por nuk mundej. “Unë jam e re dhe me pëlqen të vishem bukur. Edhe pse nuk ke se çfarë të bësh, diçka duhet të vesh, atëherë duhen blerë edhe këto rroba të qepura në mënyrën më të shëmtuar që mund të sajojë arti i rrobaqepësisë… Ndërsa ne presim të shkojmë në parqe, në takime në mbrëmje me rroba të bukura e nuk mund të bëjmë pa to. Do t’i gjejmë patjetër kudo që të jenë edhe në tregun e zi, me çfarëdo çmimi qoftë edhe sikur të duhet rroga mujore e babit, vëllait. Një herë është njeriu 18 dhe 20-vjeçar. Ndërkohë, Ndërmarrjet e Konfeksioneve vazhdojnë të prodhojnë bluza të shëmtuara dhe për ta nuk është punë e madhe, mjafton që të plotësohet plani global i tregtitë. Kësaj i thonë që tregtia të prodhohej në hënë e të mos dish se çfarë kërkojmë ne njerëzit e tokës. Kaq i bën dhe burokracisë, ajo për vete nuk e ka të vështirë të vishet bukur.”- kështu e nis rrëfimi në filmin dokumentar “Përse kështu?”, të regjisores Liri Brahimi, me skenar të Kolec Traboinit, që u shfaq dje në kuadër në muajit të grave kineaste në sallën e kinemasë të Arkivit Shtetëror të Filmit. Një dokumentar që hyri në prodhim në vitin 1989 dhe u realizua në fillim të viteve ’90, për shkak të frymës tepër kritike që trajtonte. Një film që nuk u shfaq kurrë për publikun, por kaloi në Arkivin e Filmit ashtu si pa u ndjerë. Vetë regjisorja nuk e dinte ekzistencën e këtij filmi. Kishte menduar se shteti komunist në grahmat e tij të fundit kishte marrë me vete edhe filmin e saj, ashtu si fletë arrestet që ishin prerë dhe grisur brenda një nate për gjithë stafin realizues të filmit. Vetëm pak ditë më parë, kur Arkivi Shtetëror shpalli muajin e grave kineaste dhe në program ishte përfshirë edhe filmi “Përse kështu?” i Liri Brahimit, kjo e fundit mësoi në Itali përmes mediave ekzistencën e filmit. “Kisha menduar se ishte zhdukur, sepse e kam kërkuar aty nga fundi i vitit 1989, kur djali i një të dënuari politik për 25 vjet në burgjet e diktaturës më erdhi në shtëpi dhe më thotë: Më ka dërguar ambasadori gjerman dhe kërkon që nesër 1 metër larg Kinostudios të na japësh filmin tënd “Përse kështu?”, sepse do të jepet te Rai Uno, ndërkohë që premton se ty dhe familjen do t’ju nxjerrë jashtë shtetit brenda natës. Të nesërmen shkova ta kërkoja filmin në Kinostudio, por nuk e gjeta. Më thanë që filmi im ruhej me rojë”- tregon sot pas kaq vitesh regjisorja Liri Brahimi. Në fakt dokumentari i saj “Përse kështu?” duket si një nënqeshje e hidhur me krizën ekonomike të shtetit që duhej të ishte “shkëmb graniti”. Teksti i shkruar nga Kolec Traboini, por dhe shpjegimet e shitësve të vendosur para kamerave për mallrat stok që s’i ble njeri, sot të bëjnë për të qeshur. “Ja këto triko që prodhohen për jashtë, kanë çmime më të arsyeshme, por sigurisht që ne nuk do t’i shohim në tregun e brendshëm. Për ne janë këto pizhame me të njëjtat ngjyra të shpëlara, me të njëjtin model që prej 20 vjetësh, thuajse dëshirojnë të na veshin të gjithëve njësoj si konviktorët e dikurshëm. Ndërsa veshjet për jashtë janë cilësore, ato janë moderne, të kohës, të bukura, cilësi e jashtëzakonshme.” –ankohet vajza e re, që ka dëshirë të vishet bukur ashtu si ka parë nëpër katalogë. Sa kohë u bë pa kanotiere? - pyet regjisorja një shitëse të Mapo-s. Ajo përgjigjet: Nevojat e tregut për prodhimet tona janë të mëdha, por ne nuk mund t’i plotësojmë të gjitha këto për shkak të mosrealizimit të planit të prodhimit. Shkak është gjendja jo e mirë e makinerive. E sheh këtë fund, kushton 271 lek,- tregon shitësja një model fundi, që dhe gjyshet e një herë e një moti do t’i bënin naze - po të ishte ky çmim për një fund për vajza ose për këmishë për burra ose për gra me një model të bukur, do të ecte malli, kurse këto nuk ecin”- ankohet shitësja para kameras së regjisores Brahimi. Ndërsa shitësja ngjitur e kostumeve të burrave thotë: Më erdhi një klient dhe kërkonte një kostum, i tregoj këtë që kemi, dhe më thotë: Keni ndonjë ngjyrë tjetër të paktën, sepse këtë kostum e kam blerë dhe veshur para 7 vjetësh.”- ankohet shitësja për mallin stok që ka vite në raftet e dyqanit të saj - Nga Gjirokastra na vijnë xhaketa kadife për gra të të gjitha ngjyrave, sepse kadifja pëlqehet, kurse për burra kemi xhaketa vetëm të zeza, që është dhe ajo 271 lek dhe nuk i ble njeri. Vetëm minatorët i blejnë. Kemi pardesy që na vijnë modele të bukura për gra, kurse për burra na vjen vetëm modeli me jakë ambasador. Pallto burrash vijnë ngjyra që nuk janë as për burra e as për të rinj”. E në këto kushte të “turreshe” e të zije radhë që në sabah te dera e Mapo-s, pas lajmit se ka ardhur furnizim me mall importi me atlete addidas dhe xhaketa inkelit me pellush, ishte lajmi i ditës në Tiranë edhe pse atletet e blera sa i fut në këmbë u hapet goma poshtë sa një gojë ujku, edhe pse xhaketa prej lëkurë inkelit sa e vesh shqyhet në poshtë supit. “Unë punoj në ndërmarrjen industriale edhe merrem me artikujt industrialë. Problem kryesor në këtë drejtim kemi cilësinë e mallrave që na vjen nëpër dyqane. Megjithëse mallrat mund të jenë me cilësi të dobët, ne jemi të detyruar që ta shesim atë, sepse nuk kemi tjetër. Një nga problemet kryesore që ne kemi ngritur me të madhe si në Komitetet të Partisë edhe në Komitetin Ekzekutiv të Rrethit, ka qenë puna e atleteve Adidas që erdhën nga importi. Për dy ditë njerëzit të shqetësuar u sorollatën me ditë të tëra derisa u dha rrugëzgjidhja që këto atlete të ktheheshin prapë mbrapsht. Megjithëse atletet erdhën në Tiranë dhe u bllokuan më pas, këtë arsye të cilësisë, vetëm pas disa muajve erdhën dhe u shitën disa xhupa “lëkurë” 500 lekësh, po të importit, të cilat u grisën dhe klientët kërkonin t’u ktheheshin paratë”. “Përse kështu?” e shpjegon pikërisht regjisorja Liri Brahimi.
“Përse kështu?” edhe ju e shihnit për herë të parë. Ishte prekur filmi apo ishte njësoj si ju e keni realizuar?
-Tani që e shoh kanë hequr në fakt shumë pjesë. Kemi patur intervista në film edhe me Vito Kapon, me ministrin e Tregtisë së Brendshme dhe të Jashtme. Ka qenë edhe linja e Pogradecit, që prodhonte vetëm për Byronë Politike veshje të bukura. Ka qenë Artistikja e Korçës, që prodhonte dhe jo vetëm për Byronë, u çudita tani që nuk i pashë. Mirë populli që e patë ku vishej e ku hante, por këtu mungon ana tjetër e medaljes, se ku vishej, zbukurohej dhe hante Byroja. Më erdhi keq që nuk i pashë. Ndërsa xhirimet më pëlqyen, ishin të freskëta dhe të bukura.
Kur është xhiruar filmi?
Filmi ka hyrë në prodhim në vitin 1989 dhe xhirimet filluan më ’90-ën, zgjati shumë realizimi sepse kaloi shumë peripeci. Që nga skenari e deri sa përfundoi. Njerëzit ankoheshin se nuk kishin as kanotiere për të veshur. Lanin në darkë kanotieren, për ta veshur të nesërmen në mëngjes. Unë dhe bashkëshorti im hiqnim të zitë e ullirit për të marrë një kile qumësht për vajzën, nuk gjeje një cope djathë, nuk gjeje dy kokrra arre për të bërë qoftë edhe një ëmbëlsirë.
Por si guxuat ta bënit këtë film?
S’e di, besoj se ishte ajo urrejtja e mbledhur dhe shpërtheva pa frikë fare, çudi më vjen tani si e kam bërë. Dokumentari është xhiruar në qytete të ndryshme të Shqipërisë, sepse doja të tregoja realitetin pa lustra. Skenaristi Kolec Traboini në fakt i kishte dhënë pak lustër skenarit, por e vërteta nuk ishte ashtu siç ai shkruante, ishte krejt ndryshe, kështu që unë e ndryshova duke sjellë realitetin.
Ju thoni se nuk e dinit se filmi ekzistonte…
-Jo, sepse ai u realizua, por nuk u shfaq kurrë. Në vitin ’90, kur mbarova filmin në shtëpinë time erdhi një djalë që kishte pasur të atin të burgosur politik për 25 vjet. Më thotë që e kishte dërguar ambasadori gjerman dhe më kërkoi që t’i jepja filmin. Ai më priste një metër larg portës së Kinostudios. Siç më tha ai djali, ambasadori donte që filmi t’u ndahej mediave të huaja e me sa mbaj mend te Rai Uno, duke më premtuar që do më largonin edhe mua brenda natës nga Shqipëria. Unë erdha direkt në laboratorin e Kinostudios për të marrë filmin. Në laborator nuk ishte. Vajta në drejtori dhe aty nuk ishte, vajta në fund te prodhimi dhe aty më thanë: filmi yt ruhet me roje. Ika pa folur fare në shtëpi. Pas dy ditësh, disa miq në Kinostudio më thanë: mos ki frikë se fletë-arrestet janë grisur po atë ditë. Kjo ka ndodhur nga fundi ’89-s fillimi i ’90-s.
Si shpëtoi filmi?
Nuk di të them sesi shpëtoi. Asokohe ishte rrëmujë e madhe dhe mendoj se shteti nuk e kishte shumë mendjen.
Si e morët vesh ekzistencën e filmit?
Tani e kam marrë vesh në Itali, e lexova në një gazetë që filmi ishte në Arkivin e Shtetit. U habita dhe u lumturova njëkohësisht, sepse mendoja se ai film ishte zhdukur nga faqja e dheut.
Kolec Traboini: Skenari në sirtar
Skenaristi Kolec Traboini ka qenë shumë kritik, por si shkodran që është, është munduar ta sjellë realitetin me të qeshur e me të ngjeshur. Po si e realizoi ai skenarin, që sot tingëllon si ndër të vetmet skenarë realist për kohën. “Unë kam qenë për disa vite drejtor në Kinostudio për filmin dokumentar dhe më pas u qarkullova. Kështu fillova të krijoj arkivin tim krijues. Në atë kohë ekzistonte një problem i madh i mallrave stoqe. Skenari është bë më ’89 dhe mbeti në sirtar për disa kohë, për frymën kritike që kishte. Vinin regjisorët dhe nuk e merrnin përsipër. Njerëzit kërkonin mallra dhe nuk i gjenin, pra kishte shumë mall stok që nuk shitej dhe kjo kishte krijuar boshllëqe në treg. Titulli i skenarit ishte “estetika e veshjes”, për problemet që ekzistonin në atë kohë. Ishte koha kur shteti s’e kishte fare mendjen tek ne dhe në këtë rrëmujë e sipër ne shfrytëzonim hapësirat që na krijoheshin. Ramiz Alia, që ishte udhëheqës i shtetit në atë kohë, kishte mbajtur në fakt një fjalim për këto probleme. Nga drejtoria e Kinostudios na thonë se duhet të bëjmë diçka për problemet dhe unë duke kapur gjithë sensin kritik që kishte ai, e shfrytëzova për të bërë një dokumentar me sens kritik. Dokumentarin e mori përsipër ta bënte Liria, se nuk e merrte njeri. Lirisë i dhashë dorë të lirë që të bënte si të donte. E biseduam dhe kështu u realizua. Mendoj se ky është filmi më i guximshëm që është bërë dhe Liria e pati këtë guxim”- thotë skenaristi Traboini.