E Diel, 1 Nëntor 2026

DEKLARATË E INSTITUCIONIT TË PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS

24 korrik 2008

Siç jeni në dijeni, Parlamenti i Maqedonisë ratifikoi dje Marrëveshjen e nënshkruar midis Shqipërisë dhe Maqedonisë për një regjim të liberalizimit të plotë të lëvizjes së qytetarëve të dy vendeve, duke plotësuar kështu procedurat parlamentare reciproke për hyrjen në fuqi të saj.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë e përshëndet këtë akt të Parlamentit të Maqedonisë dhe shpreh besimin e tij të plotë se aplikimi i kësaj marrëveshjeje do të japë produkte të konsiderueshme pozitive për shtetasit e të dy vendeve tona.

Presidenti i Republikës e konsideron këtë marrëveshje si reformën më të thellë në sistemin e lëvizjes së lirë të njerëzve, kapitaleve dhe të mirave materiale midis vendeve tona, si fryt i përpjekjeve tona integruese dhe si pjesë e rëndësishme e Marrëveshjes së Lehtësimit të Vizave të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Lëvizja e lirë, sipas Presidentit Topi, është guri i provës së lirisë, së demokracisë, i çlirimit përfundimtar nga izolimet ideologjike, hapi i njohjes së ndërsjellë të popujve të Ballkanit Perëndimor, është ndarja përfundimtare nga paragjykimet nacionaliste e etnike, është sistemi më demokratik i shkëmbimit të vlerave kombëtare, historike dhe turistike, është themeli i shëndoshë për ndërtimin e një rajoni të begatë dhe të zhvilluar për të gjithë popujt e tij.

Presidenti Topi, i ndërgjegjshëm dhe i përgjegjshëm për rëndësinë e një marrëveshjeje të tillë midis dy vendeve tona, i vëmendshëm ndaj interesit dhe ndjeshmërisë së qytetarëve, të publikut dhe të medias për këtë çështje u angazhua seriozisht në çastet kulmore të bisedimeve për të dhënë produktin që qytetarët e të dy vendeve gëzojnë sot.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë përshëndet autoritetet e larta politike maqedonase dhe rolin konstruktiv e aktiv të partive politike shqiptare në Maqedoni, gjatë këtij procesi dhe inkurajon forcimin e dialogut në funksion të interesave të qytetarëve.

Presidenti Topi i telefonoi sot në mëngjes Presidentit Cervenkovski për të shprehur qëndrimin e tij vlerësues ndaj këtij hapi cilësor në marrëdhëniet midis dy vendeve tona, si shprehje e vullnetit reciprok për të intensifikuar tërësinë e raporteve dypalëshe. Presidenti Topi e siguroi Presidentin maqedonas se Shqipëria është e palëkundur në parimet e politikes së saj rajonale dhe ato të integrimit euroatlantik, si e vetmja rrugë për integrimin e shpejtë të vendeve tona dhe të gjithë rajonit.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë vlerëson edhe një herë këtë marrëveshje të rëndësishme dypalëshe, duke e konsideruar atë si model për vendet e tjera të rajonit nën frymën evropiane të bashkëpunimit dhe të integrimit të plotë të Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlanike.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›