E Diel, 1 Nëntor 2026

D’Elia: Ministri i Jashtëm, Franko Fratini, në Tiranë më 12 prill

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta mori pjesë sot në çeljen zyrtare të Pranverës Italiane me temë “Italia dhe Shqipëria 2010 - Dy popuj, një det, një miqësi”, aktivitet që u zhvillua në ambientet e rezidencës së Ambasadorit Italian në Tiranë. Duke e cilësuar si një stinë të madhe të miqësisë, numri dy i Qeverisë vlerësoi se Pranvera Italiane do të ndriçojë nga një këndvështrim unik lidhjet e forta kulturore e shpirtërore mes dy popujve, që bazohen, ndër të tjera, në diasporën e hershme të arbëreshëve të Jugut të Italisë dhe në komunitetin e sotëm të shqiptarëve në Itali, të cilët po pasurojnë e konsolidojnë gjithnjë e më shumë urat tradicionale të miqësisë mes dy vendeve. Në fjalën e mirëseardhjes Ambasadori i Republikës Italiane në Tiranë, Saba D’Elia e vuri theksin në kuadrin e privilegjuar të marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve, që dëshmohen qartë nga vizita e fundit e Kryeministrit Berisha në Itali si dhe nga vizita e Ministrit të Punëve të Jashtme të Italisë, Franko Fratini, në Tiranë më 12 prill. Gjithashtu ai vuri në dukje lidhjet tradicionale kulturore e ato të miqësisë që ekzistojnë mes dy popujve, të cilat përbëjnë një urë të pazgjidhshme të këtyre marrëdhënieve. Ambasadori italian e cilësoi këtë projekt të hapur ndaj ideve e nismave dhe ftoi, me këtë rast, të gjitha subjektet shqiptare e ato italiane të marrin pjesë aktivisht për realizimin e veprimtarive të ngjeshura të kësaj stine.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›