Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, vizitë 2-ditore në Serbi
Më 11 mars 2010, Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, do të zhvillojë një vizitë zyrtare dy-ditore në Serbi, me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisё, z. Vuk Jeremiç. Gjatë vizitës, veç bisedimeve zyrtare me Ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë z. Vuk Jeremiç, Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme z. Ilir Meta do të zhvillojë takime të veçanta edhe me Presidentin e Republikës së Serbisё, z. Boris Tadiç, Zv. Kryeministrin për Integrimin Evropian, z. Bozhidar Gjeliç, Zv. Kryeministrin dhe Ministrin e Brendshëm, z. Ivica Daçiç si dhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Serbi. Në axhendën e vizitës do të jenë çështje të marrëdhënieve dypalëshe, si edhe të bashkëpunimit rajonal dhe ndёrkombёtar. Vizita zyrtare e Zv. Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme z. Meta në Beograd është një tregues i qartë i prioritetit që politika e jashtme e Shqipërisë i jep zhvillimit dhe forcimit të marrëdhënieve me vendet e rajonit në kuadër të përshpejtimit të perspektivës evropiane për vendet tona. Gjatё kësaj vizite pritet tё nënshkruhen edhe marrëveshje bashkëpunimi mes dy vendeve.