Kryeministrin Berisha fton Papandreun në Tiranë
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, priti sot në një takim Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, Ambasadorin Yannis-Alexios Zeppos, i cili ndodhet në Shqipëri për një vizitë, si pjesë e një grupi ndërkombëtar diplomatësh dhe personalitetesh që po zhvillojnë një tur vizitash konsultimi, në kuadër të projektit për hartimin e konceptit të ri strategjik të NATO-s. Kreu i ekzekutivit shqiptar i uroi mirëseardhjen dhe e falënderoi përzemërsisht Ambasadorin Zeppos për mbështetjen e jashtëzakonshme që Greqia, në vazhdimësi, i ka treguar Shqipërisë, si në procesin e anëtarësimit në NATO, ashtu edhe për ecjen para me shpejtësi në projektin për anëtarësim në BE dhe në procesin e liberalizimit të vizave. Ambasadori Zeppos e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë, duke i transmetuar atij përshëndetjet më të përzemërta të Kryeministrit të Greqisë, Jorgos Papandreu. Ambasadori grek e njohu Kryeministrin me misionin e grupit ndërkombëtar për konceptin e ri strategji të NATO-s. Në takim, kreu i Qeverisë vlerësoi si jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe të domosdoshëm hartimin e konceptit të ri strategjik për një aleancë efikase, të aftë për t’iu përgjigjur me sukses të plotë sfidave të shekullit XXI. Në këtë kontekst, Kryeministri i ripohoi Ambasadorit vendosmërinë e Shqipërisë, si aleate e re e NATO-s, për të dhënë kontributin e saj, si në konceptin e ri strategjik, ashtu edhe për të vazhduar mbështetjen për të gjitha misionet e Aleancës, në shërbim të paqes e sigurisë globale. Në përfundim të takimit, kreu i mazhorancës shfrytëzoi rastin për t’i shprehur ambasadorit Zeppos dëshirën për të pritur në Tiranë Kryeministrin e Greqisë, Jorgos Papandreu.