E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Janë palo dosje. Unë nuk përkulem

"Nuk do t‘ia dalësh kurrë të trembësh popullin opozitar që nuk ka darë për të shkulur dhëmbë, po ka grusht që do t‘i thyejë, një e nga një, dhëmbët e korrupsionit tënd". Kjo ishte përgjigjja që dje në orët e vona të darkës u dha Edi Rama deklaratave të Kryeministrit Sali Berisha. "Do të thyejë dhëmbët e pushtetit të familjes tënde, dhëmbët e pushtetit të shërbëtorëve të tu dhe të klientëve e sekserëve të tu, dhëmbët e kësaj qenefpolitike që e ke kthyer në një gojë të stërmadhe që u ka nxjerrë shqiptarëve qejfit atdheun e tyre", insistoi Rama. Meqë e përmend shpesh tim atë dije se, tha ai, nuk do të mundesh kurrë ta përkulësh Edi Kristaq Ramën. "Nuk do të mundesh kurrë të cenosh nderin dhe dinjitetin e familjes sime çfarëdo të thuash dhe sado ta përsërisësh. Nuk do të arrish kurrë të zmbrapsësh Partinë Socialiste, deputetët dhe deputetet e saj që po i bëjnë vendit një shërbim historik dhe nuk do të të ndahen derisa të të ballafaqojnë me të vërtetën", theksoi Rama. Ai mohoi kategorikisht se ka favorizuar deputetët e PS-së apo biznesmenë në dhënien e lejeve të ndërtimit, ndërsa sulmoi ashpër edhe kreun e LSI-së, Ilir Meta, dhe ish-kryetarin socialist, Fatos Nano.

"Sali Berisha, pasi na e dha provën se ka humbur qetësinë dhe ekuilibrin mendor është lëshuar në një fushatë akuzash dhe shpifjesh, kjo fushatë është klithma e hajdutit që bërtet kapeni hajdutin. Është klithma e Saliut të dytë se po i afrohet fundit të Saliut të parë. Sot dita e fundit të afatit të opozitës për reflektim. Ne nuk kemi dhënë afat për ultimatum, ishe një afat për të reflektuar", theksoi Rama.

"Doli sot me një palo dosje, sqaroi Rama, për të mbështetur albinë mbi të vërtetën", u shpreh Rama. E nisi me mua, vijoi ai, duke lëshuar monstruozitete dhe të mbajtura dhjetë vjet në dollapin e armëve të tij.

Rama bëri të ditur se Berisha nuk ka asnjë shans të joshë deputetët që duhen. Kreu i PS kujtoi se tanimë pas familjes së tij, objekt i sulmeve janë bërë edhe deputetët dhe biznesmenët.

"Po sot kaloi nga të afërmit e mi te pseudosjet duke përgojuar emra sipërmarrësish të lirë, ndër ta dhe deputetë që vijnë nga bota e biznesit. Në një vend të lirë që ka pranuar konkurrencën në ekonominë e tregut", vijoi kreu socialist. Ai përmendi se KRRT e Tiranës është e balancuar ndaj kjo nuk jep asnjë shans për favorizim.

"Kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk jep leje ndërtimi, por firmos leje që i jep KRRT me 9 anëtarë, katër anëtarë janë të emëruar drejtpërdrejt nga Sali Berisha dhe katër anëtarë janë të zgjedhur nga ne, Partia Socialiste përfshirë dhe mua si kryetari i Bashkisë së Tiranës. Anëtari i nëntë që është konsensual me dy partitë. Ky formim i KRRT është balancuar edhe bërë në 2007. Po ashtu nuk ka asnjë leje ku unë të kem përdorur votën time. Lejet janë dhënë me votë të plotë në KRRT që do të thotë me një shumicë të madhe sa shumica e thjeshtë", insistoi Rama. Lideri i opozitës sqaroi se "deri në 2007 s‘kam marrë asnjë mbledhje që kontrollohej nga njeriu u Saliut edhe pse kam firmosur çdo vendim të atij organi. S‘ka asnjë leje të dhënë për pronë publike e lidhur me dhënien e një prone te parku "Rinia" sot është dorëzuar një padi për Sokol Olldashin dhe Sali Berishën". Rama u shpreh se do depozitohen përditë padi për çdo shpifje. "Sali Berisha do ta harrojë se do tërheqë popullin zvarrë për ta larguar nga beteja për demokraci, për zgjedhje të lira dhe të ndershme për të gjithë shqiptarët", këmbënguli Rama. Ai paralajmëroi Kryeministrin se do i duhet t‘i provojë deri në Gjykatën e Strasburgut "sepse ky palo burrë nuk ka pasur kurrë kurajë të provojë shpifjet dhe akuzat e tij në gjykatë". Berisha, tha Rama, e çoi në burg kryetarin e opozitës me akuza të rreme. "S‘besoj se keni harruar se si i patë të përqafuar. Por për Ilir Metën a ju kujtohet se çfarë baltë ka hedhur dhe tani e përkëdhel si kukullën e tij dhe s‘ka më akuza nga ato që ia numëronte përditë. S‘po merrem këtu me ç‘ka thënë kundër qeverisë të tij", u shpreh Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›