E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alia: Lufta antagoniste PD-PS dëmton stabilitetin

"Natyrisht, unë jam në pension. Por pushteti i quajtur demokratik më ka pushuar vajzën nga puna"

"Në Shqipëri vazhdon një luftë përçarëse si nga PS-ja ashtu edhe nga PD-ja, nuk ka përplasje alternativash, idesh, programesh siç ngjet në vendet e zhvilluar europiane"

Çerçiz Loloçi

Një grup gazetarësh danezë të shoqëruar nga pinjolli i familjes së Mufit Libohovës, për herë të parë, ndodhen në Shqipëri ku janë takuar me një sërë personalitetesh nga politika, gazetaria, kultura etj. Ndër këto takime, veçojmë ato me ministrin e Drejtësisë, Bujar Nishani, me korrespodentin e agjencisë "Reuters" Benet Koleka, me drejtuesit e PEN Qendrës së Shqipërisë, Sadik Bejko dhe Entela Kasi, me ish-kryeministrin demokrat, Aleksandër Meksi, me akademikun dhe profesorin e njohur, Xhevat Lloshi, me kineastin e talentuar, Eno Milkani, me kryetarin e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë dhe kryeredaktorin e gazetës "Shqip", Aleksandër Çipa, me kryeredaktorin e gazetës "Shekulli", Ened Janina, me kryeredaktorët e lajmeve në "Top Channel", Mentor Kikia dhe Bledar Zaganjori, me drejtuesin e emisionit "Fokus" në televizionin "Koha", Robert Papa. Gjithashtu, ata zhvilluan një takim dhe bënë një intervistë me ish-presidentin e parë pas zgjedhjeve parlamentare të 31 marsit 1991, zotin Ramiz Alia.

Zoti Alia, është kënaqësi që takohemi me ju. Do të donim diçka rreth karrierës suaj politike?

Karriera ime politike zë fill në moshë shumë të hershme. Kur isha vetëm shtatëmbëdhjetë vjeç, jam angazhuar në Luftën Nacionalçlirimtare, kam qenë partizan. Në atë periudhë kam qenë drejtues i rinisë, por edhe në strukturat partizane deri në komisar divizioni. Nga viti 1957 -1959 kam qenë ministër i Arsimit, ndërsa pas kësaj periudhe kam pasur poste të larta në strukturën e ish-PPSH-së: anëtar i Komitetit Qendror, anëtar i Byrosë Politike, kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Mbas vdekjes së Enver Hoxhës, kam qenë sekretar i Parë i KQ të PPSH-së, ndërsa pas zgjedhjeve të para pluraliste më 31 mars 1991 kam qenë President i Republikës. Në kushtet e reja të krijuara dhashë dorëheqjen nga ky post dhe Presidenti pasues më arrestoi dhe më futi në burg. Kjo është me pak fjalë karriera ime politike.

A mund të na thoni se për çfarë motivi jeni rreshtuar në radhët e partizanëve në moshë shumë të re?

Motivi im ka qenë motivi i të gjithë shqiptarëve, motiv patriotik. Jo vetëm i shqiptarëve, kjo ka qenë shtysa për shumë vende europiane. Rezistencë ka pasur edhe në vendin tuaj, në Danimarkë. Në Norvegji, kuislingët bënin thirrje që të mos luftohej kundër Gjermanisë naziste, megjithatë edhe atje pati pjesë të popullsisë që e kundërshtuan me armë në dorë pushtimin. Kam qenë në Kopenhagën dhe kam vizituar një muze antifashist. Pra nuk ka vend europian që të mos ketë luftuar kundër fashistëve dhe kjo nuk ishte thjesht për ideale, por për mbrojtjen e atdheut. Vështirë të gjesh popuj që të pranojnë pushtimin apo humbjen e lirisë.

Cili është koncepti juaj për lirinë?

Kjo pyetje kërkon një përgjigje të gjatë. Megjithatë, unë do thosha se liria patriotike është diçka e veçantë. Shkalla e lirisë është e ndryshme në vende të ndryshme. Natyrisht, vendi juaj, Danimarka, është një shoqëri e përparuar dhe për rrjedhojë ka një shkallë të gjerë të lirisë, ka standarde të konsoliduara. Ndërsa kjo nuk mund të thuhet për vendin tim, apo për Egjiptin, Senegalin, që janë shoqëri më pak të përparuara. Unë fola pak më parë për luftën kundër nazifashistëve. Në të gjithë Europën u bë luftë për liri. Kjo ngjau edhe në Shqipëri dhe nga një vend i pushtuar, ne u bëmë të pavarur.

Si i përjetuat periudhat para dhe pas vendosjes së demokracisë?

Periudha para demokracisë janë vitet nëntëdhjetë. Në postin e drejtuesit kryesorë të partisë dhe të shtetit, unë e kuptova se duheshin bërë ndryshime për të kaluar në një shoqëri të re. Problemi themelor i atëhershëm ishte se si do të bëhej kalimi nga komunizmi në demokraci. Në vende të ngjashme me sistemet tona pati trauma të mëdha sociale. Ndërkohë, vendi kishte problem gjithashtu të mëdha, kryesore ishin problemet ekonomike. Shqetësimi im ka qenë që të mos kishte përplasje sociale, gjakderdhje, sepse ishte i mundshëm që të shoqërohej me përplasje. Unë e konsideroj shumë pozitiv që ky kalim u bë i qetë, paqësor, u realizuan zgjedhje të lira dhe nuk pati konfrontim social.

A ishte i domosdoshëm ky ndryshim?

Patjetër. Pas shembjes së murit të Berlinit sistemi socialist ra duke filluar nga ish-Bashkimi Sovjetik, në krejt ish-Europën Lindore. Shqipërisë i takoi ta bënte e fundit këtë ndryshim. Ishte e domosdoshme se kjo do ndodhte edhe në vendin tonë.

Sipas jush, përse socializmi duhet të binte?

Kjo është një temë e madhe dhe kërkon një përgjigje të gjatë. Por me pak fjalë duhet thënë se fuqia e socializmit nuk ishte aq e madhe, rrënjët e tij ishin të dobëta, ekonomia në ish-vendet socialiste ishte shumë më prapa se ajo e Perëndimit.

Mendoni ju se socializmi ka qenë gabim?

Nuk e mendoj kështu, por janë bërë gabime. Mendoj se kishte rrugë të tjera zhvillimi, por është zor të bisedosh tani rreth këtyre rrugëve dhe rreth kësaj teme. Sepse ju mund të ma mbyllni gojën duke më thënë: përse nuk i bëtë këto ndryshime, përse nuk i gjetët këto rrugë?

Cilat janë raportet tuaja personale në këtë pushtet?

Natyrisht, unë jam në pension. Por pushteti i quajtur demokratik më ka pushuar vajzën nga puna, si pedagoge e filozofisë dhe tani punon në një organizatë jofitimprurëse. Kjo është gjë e keqe që aplikohet jo vetëm nga partia që sot është në mazhorancë, por edhe ajo që ishte më parë. Dhe kjo është një gjë e keqe. Në Shqipëri vazhdon një luftë përçarëse si nga PS-ja ashtu edhe nga PD-ja, nuk ka përplasje alternativash, idesh, programesh siç ngjet në vendet e zhvilluar europiane. Midis forcave kryesore politike në Shqipëri zhvillohet gati një luftë antagoniste, çka e mban popullin të ndarë, me konflikt të përhershëm. Dhe kjo ndarje nuk vjen për shkak të sistemit.

A pasur kundërshtarë të regjimit që janë internuar apo janë futur në burg?

Natyrisht, ka pasur, sepse socializmi e kishte shpallur natyrën e shtetit: diktaturë e proletariatit. Sigurisht, janë bërë gabime dhe faje. Nuk mbroj dot një gjë që është bërë në të shkuarën. Por ajo që më shqetëson sot është se të gjitha partitë politike janë për demokracinë, për sipërmarrjen e lirë, për shtetin e së drejtës, për të qenë anëtarë të BE-së dhe të NATO-s dhe nga ana tjetër një gjysmë nuk e sheh dot me sy gjysmën tjetër. Ju nuk dini shqip dhe më mirë që nuk e dini se po të ndiqnit një seancë parlamentare do të vinit re se si lideri i mazhorancës e shante dhe fyente liderin e opozitës. Kjo gjuhë është e papërshtatshme, e patolerueshme. Por nuk ndodh vetëm nga një krah, përsëritet edhe nga krahu tjetër. Edhe PS-ja iu përgjigj me të njëjtën gjuhë.

Përse ndodh kjo luftë politike?

Këtë përgjigje duhet ta kërkoni te lidershipet e dy partive kryesore. Në Shqipëri, si edhe në vende të tjera të ish-Europës Lindore, ka një shtresë të përndjekurish politikë, të cilët janë të organizuar në disa shoqata. Çuditërisht, pozicioni i tyre është tepër korrekt, paqësor, por ata nuk mbrohen sot as nga PS-ja dhe as nga partia që është në pushtet.

Sipas jush, a i mendoni të rrezikshme PD-në dhe PS-në për stabilitetin e vendit?

Kur kishte vetëm një forcë politike që drejtonte vendin, bëheshin edhe shumë gabime. PD-ja dhe PS-ja lindën si parti të reja pas 1990-s; ato janë ndërtuar me konceptet e një shoqërie demokratike. S‘mund të them se janë të rrezikshme, por stabilitetin e dëmtojnë. Sot Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina, janë të vetmet vende të Ballkanit, që gjenden jashtë Bashkimit Europian dhe nuk e gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë. Përgjegjës për këtë gjë në vendin tim s‘mund të jetë kush tjetër përveç pozitës dhe opozitës.

Kur Shqipëria të jetë anëtare e BE-së, a do të jetë sërish kështu?

Unë nga natyra jam optimist. Kur Shqipëria të bëhet pjesë e BE-së, natyrisht do të jetë më mirë nga të gjitha aspektet. Besoj se edhe klasa politike do të jetë më serioze, por edhe niveli ekonomik do të jetë më i lartë.

T‘u rikthehemi edhe një herë dënimeve politike; a e ndieni edhe ju veten fajtor?

S‘ka dyshim se janë bërë gabime dhe nuk i mohoj. Unë vetë kam qenë drejtues i rëndësishëm në atë periudhë dhe nuk i shpëtoj përgjegjësisë. Edhe sot që i mendoj, më vjen keq. Por duhet të them edhe disa gjëra pozitive. Në vitin 1945, ne kishim 90 për qind të popullsisë analfabete, ndërsa në 1985 nuk kishim asnjë (arritëm të bënim me shkollë të mesme rreth 65 për qind të rinisë); në 1945 ne kishim disa dhjetëra me arsim të lartë, ndërsa më 1985 arritëm në 150 mijë kuadro etj.

Duke krahasuar dy sistemet; kë vlerësoni si më të mirë?

Patjetër që ky sistem është më i mirë dhe Shqipëria është më mirë se më parë. Atëherë, pas luftës, ne mendonim dhe besonim se socializmi ishte rruga më e mirë. Por edhe shkalla e nisjes, nuk ka qenë njësoj për Shqipërinë me vendet e tjera të ish-kampit socialist. Në 1944, ne kishin 65 për qind të fshatrave të shkatërruar nga fashistët. Edhe urat ishin rrënuar të gjitha. Unë atëherë isha në Shkodër dhe sapo më njoftuan për një detyrë të re: komisar divizioni. Ishte data 1 dhjetor 1944. Dhe e dini se sa ditë e bëra që të vija në Tiranë, plot tri ditë.

A jeni ndihmuar ju nga jugosllavët, rusët dhe kinezët?

Po, ne kemi pasur një periudhë të vogël kohore bashkëpunimi me jugosllavët, një periudhë disi më të gjatë me rusët dhe me kinezët. Natyrisht që edhe jemi ndihmuar prej tyre. Ndihma kineze ka qenë më e rëndësishmja.

A ndikoi ndihma ruse që ju të përqafonit socializmin?

Siç u thashë më lart, ne besonim te socializmi, na dukej si rruga më e drejtë, por nuk duhet harruar Jalta. Siç mund ta dini, tri fuqitë e mëdha, vendosën për konfigurimin e ri të hartës së botës pas Luftës së Dytë Botërore. Shqipëria, me luftën kundër nazifashistëve, ishte rreshtuar në kampin botëror antifashist dhe kjo është një gjë mjaft pozitive, por ajo s‘pati gjë në dorë për të vendosur për fatin e saj. Secili shtet atëherë u konceptua kaq për qind në favor të një fuqie të madhe dhe kaq në dominimin e një tjetre. Për Shqipërinë nuk është folur fare. Ndoshta është menduar nga Stalini si një vend që mund të përfshihej në ish-Jugosllavi. Dhe përpjekjet e jugosllavëve, siç u panë në vitet pas çlirimit, nuk reshtën që Shqipërinë dhe Kosovën, ta konsideronin si republikën e shtatë të tyre.

Ju dolët nga Traktati i Varshavës; a pati ndonjë afrim nga Perëndimi asokohe?

Po ne e denoncuam Traktatin e Varshavës dhe dolëm prej tij. Më kujtohet që kam takuar dy senatorë italianë, pasi ne kishim dalë nga Traktati i Varshavës dhe kishim hequr bazën ruse. Ishte një bazë e madhe që kërcënonte krejt Perëndimin. Ajo nuk i shërbente Shqipërisë, por interesave ruse në Mesdhe. Derisa ishte baza, Italia fqinje mbante një arsenal të tërë armësh, nga më modernet dhe harxhonte miliarda dollarë për mbrojtjen e saj. Kur iku baza ruse, Italia u lirua nga ky ankth dhe nga këto shpenzime marramendëse. U them senatorëve: përse nuk na ndihmuat për këtë shërbim që ju bëmë? Donim, thanë ata, por kishin frikë nga rusët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›