Shiu bllokon 30 automjete mbi tunel
Bllokohen dhe kalojnë natën në majë të malit, në përpjekje për të kaluar mbikalimin e tunelit të autostradës rreth 30 autovetura dhe disa furgonë pasagjerësh. Udhëtarët, kryesisht kosovarë, kanë qenë të detyruar të gdhihen mes baltës, shiut të ftohtë dhe frikës dhe vetëm në mëngjes është bërë e mundur të tërhiqen me kavo nga dy fuoristrada që punojnë te Tuneli i Thirrës. Mbikalimi, apo siç njihet "bypass"-i i tunelit të Kalimashit, edhe pse nuk figuron të jetë një rrugë e njohur për qarkullim, vazhdon të tërheqë gjithnjë e më shumë shoferët e Kukësit dhe të Kosovës. Këta të fundit ishin nisur nga Tirana, në tentativë për të kaluar në anën tjetër të tunelit, por në mbikalim kanë mbetur në baltë nën shiun e rrëmbyer, pa mundur të kalojnë. Kosovarët vinin nga perëndimi dhe kishin rënë pre e dëshirës për të udhëtuar në autostradë, por prishja e motit dhe reshjet e shiut e kanë bërë të pamundur kalimin nga rruga mbi mal. "U bllokuam rreth 400 metra pa arritur në majë. Makinat nuk kanë mundur të ecin as para dhe as mbrapa për shkak të llucës, tabanit të paqëndrueshëm dhe shumë të ngushtë, si dhe panikut që i kishte mbërthyer shoferët dhe pasagjerët", rrëfen 30-vjeçari Gani Veseli, i cili udhëtonte me familjen nga Gjakova. Më tej ai rrëfen se automjetet e mbetura në rrugë janë nxjerrë në mëngjes vetëm falë ndërhyrjes së dy mjeteve fuoristrada të kompanisë turke që punon për ndërtimin e Tunelit të Kalimashit. Ata i kanë tërhequr me kavo dhe rivënë në rrugë. "Shyqyr që erdhën këta të kompanisë turke dhe na nxorën, se përndryshe do të mbeteshim një javë të bllokuar", thotë një shofer 50-vjeçar nga Prizreni, i cili shtoi se ishte zhgënjyer nga kjo rrugë e shkurtër, por e tmerrshme. "Sa të jem gjallë, nuk e bëj këtë rrugë, do të eci me këmbë nga Puka dhe krejt Shqipërinë, por kjo qenka skandal", tha ai i frikësuar për çfarë kishte kaluar. "Ishte ftohtë dhe patëm frikë se do të na hanin ujqit", tha një grua, e cila kishte kaluar rreth 12 orë në makinë pa lëvizur. Bashkë me karvanin e gjatë të mjeteve kosovare kanë mbetur edhe disa mjete me targa Kukësi e ndër këta të fundit dy furgonë me pasagjerë. "Të gjithë jemi lutur vetëm të shpëtojmë gjallë, u shembtë edhe kjo rrugë të shkurtër. Si nuk kujtohet kush për të", thotë një pasagjer nga Kukësi, i cili tregonte tmerret e përjetuara në mal gjatë gjithë natës, vetëm e vetëm për të kaluar shkurt nga njëri skaj i tunelit në tjetrin dhe për të shmangur rrugën e gjatë nga Puka. Rruga e shkurtër, e ashtuquajtur "by pass" i tunelit, është e gjatë 14 km dhe udhëtimi në të, në mot të mirë, zgjat rreth 50 minuta, duke e shkurtuar gjatësinë e përgjithshme të rrugës nga Kukësi në Tiranë me më shumë se gjysmën e gjatësisë dhe të kohës. Por atë e kanë depërtuar fillimisht vetëm fuoristradat, të cilat transportonin pasagjerë nga Kukësi në Tiranë, por dhe thjesht nga njëri skaj i tunelit në tjetrin. Por shoferët e furgonëve, duke parë se po humbin pasagjerët, filluan në mënyrë të pamenduar mirë ta bëjnë edhe ata këtë rrugë.