E Shtunë, 31 Tetor 2026

DJALLI GJENDET VETEM NE SKAJE!

"Engjëj dhe djaj", vazhdim apo kundër "Kodit të Da Vinçit"? Në letërsi, "Engjëj dhe djaj" i paraprin "Kodi Da Vinçit". Ndërsa renditja e tyre në kinematografi është krejt e përkundërt. Industria hollywood-iane e filmit e paraqiti "Engjëj dhe Djaj" si vazhdim i "Kodi Da Vinçit" për të pasur të sigurt shikuesin e filmit të parë.

Megjithëse që të dy romane dhe filma që përpiqen të sqarojnë një prej raporteve më delikate e më misterioze të historisë së njerëzimit: raportin e shkencës me besimin, kushtëzimet midis relativizmit të dijeve dhe absolutizmit të fesë, nga dy pikëvështrime krejt të ndryshme; që të dy janë qortuar rëndë nga Selia e Shenjtë, duke përfshirë ceremoninë e paraqitjes së paradokohshme në Romë.

Pikërisht, sepse filozofia e producentëve të filmit "Engjëj dhe djaj" lidhet me një çështje ekzistenciale të mendjes njerëzore - përkundër përftimit përgjumësh të premierës së tij në Tiranë prej një morie "të diturish", që dolën nga salla duke pyetur njëri-tjetrin të habitur se, cili ishte engjëlli e cili ishte djalli - po nis të shkruaj diçka me shpresë se kështu mund të vë në veprim të vetmen kompetencë hyjnore që i është dhuruar njeriut - mendjen.

Gjithë historia njerëzore është e shkruar në shenja. Sepse një prej ligjeve më tinëzare të historisë është që ta sekretojë vetveten. Nëse ndokush do t‘i hynte punës për të hartuar një fjalor simbolesh të krishterimit të hershëm, vetëm për kuptimin e vijave dhe numrave do t‘i duheshin disa vëllime. Po nëse ndokush tjetër do të dëshironte të zbërthente simbolikën e luleve më vete dhe me kombinimet e tyre, apo thjesht të ngjyrave, apo ende më thjesht: të figurave gjeometrike, pa dyshim do t‘i duheshin biblioteka të tëra. Në fund të fundit, vetë shkrimi është shenjë ("symbol"), vetë gjuha është shenjë. Aq e vërtetë është kjo saqë tani telefonia e lëvizshme ka krijuar një alfabet të ri shenjash ("zlang"), për të formuar mendim pa nevojën e shkrimit.

Shekulli i 20-të është shekulli i triumfit të simbolistëve. U duk se më në fund mendja njerëzore ia kishte arritur që të dekodifikonte të shkuarën. U duk se dija e mundi sekretin, liria e mundi fanatizmin, kërkimi e mundi doktrinën, kompetenca njerëzore arriti të prekë të paarritshmen, bota u zhvesh lakuriq dhe më së fundi jemi si në kohën e Adamit dhe të Evës, kur asnjë ndalim nuk kishte lindur, kur asnjë fshehje nuk ishte e nevojshme, kur asnjë simbol nuk i duhej kujt.

Robert Langdon është njëri prej atyre simbologëve që ka ndërmarrë përsipër të shkodifikojë shenjën. Në filmin "Kodi Da Vinçit" ai thërritet nga Universiteti i Harvard-it që të çkriptojë kuptimin e një vrasjeje të çuditshme në muzeun e Luvrit - kumti i fundmë i shkruar me gjak i përfaqësuesit të një shoqërie të mistershme të njohur me emrin "Parësia e Parisit" - "Prioree de Paris". Dy prirje të skajshme ndërlikojnë fatin e shkencëtarit simbolog: në njërën anë janë "mjeshtrit" e së fshehtës, përfaqësues të bindjes se Jezu Krishti, "mbreti i paralajmëruar" i Torah-ut hebraik, përderisa kishte vëllezër dhe motra, domethënë përderisa ishte i trashëguar në linjë horizontale, mund të ishte trashëguar edhe në linjën vertikale, pra, mund të ekzistonte një "sangue reale", çka nënkupton natyrën njerëzore të Birit të Perëndisë; nga ana tjetër gjenden fanatikët e Opus Dei-t, që të kujtojnë "gjuetinë e shtrigave" të kohërave inkuizicioniste. Në një farë mënyre, edhe në "Kodin e Da Vinçit" përballen virtyti i dijes me verbërinë e fanatizmit, liria e mendjes me devotshmërinë doktrinare, ose, po të përdornim termat fetarë, engjëjt dhe djajtë.

Ndërsa në pjesën e dytë të filmit (pjesë e parë në letërsi), që titullohet pikërisht "Engjëj dhe djaj", shkencëtari simbologjist dhe ndihmësja e tij gjenden midis dy palësh tjetërsoj, po aq në konflikt të përjetshëm: kësaj radhe shkenca dhe besimi në një anë dhe një sekt i ndërmjetëm midis tyre, sekti i "të përndriturve", që i ka vënë synim vetes të përdorë pushtetin e dijes për të ndoruar çështje mbitokësore.

Në të dyja rastet thelbi i konfliktit është dekodifikimi i së fshehtës, çkriptimi i historisë dhe i dijes. Te "Kodi Da Vinçit" e fshehta tremb kishën: nëse do të provohej se Jezusi ishte trashëguar në vijë ndërkohore (diakronike), kjo do të trondiste rëndë bazat e besimit të krishterë. Pikërisht duke e ndjerë rrezikun e kësaj tronditjeje, regjisori i filmit i është shmangur linjës së romanit dhe ka bërë një kompromis të tipit të tragjedive antike greke: Sofia, pasi i ka zbuluar katakombet e "Roseline", "linjës së trandafilit", linjës së trashëgimit të Krishtit, pohon: "E provova të ec mbi ujë dhe nuk ia dola. Së paku për kaq s‘kemi pse t‘i kundërqëndrojmë besimit". Tek "Engjëj dhe djaj" është një sekt i midistë, shkencor dhe fetar, që rrezikon jo vetëm kishën, por edhe shkencën. Ata quhen "të përndriturit", titull që të kujton menjëherë besimin, por në fakt përfaqësojnë një sekt të rrezikshëm diturie, që zakonisht quhen "shentologë" ("scientologue"). Më saktë, ata nuk janë shkencëtarë, por duan të përdorin dituritë e shkencëtarëve, sikurse ndodh edhe në filmin "Engjëj dhe djaj"; por nuk janë as sekt besimi, megjithëse duan të hiqen si të tillë, madje edhe të kontrollojnë Pontifikatin. "Të përndriturit" janë rrëmbyesit e sekretit të shkencës më moderne të kohës, cilindrit të antimateries, atribut që njeriu nuk e kishte zotëruar për mijëra vjet me radhë, me qëllim që të kontrollojnë fatet e botës, duke përfshirë vetë Selinë e Shenjtë. Nga ky vështrim, dy romanet, gjegjësisht dy seritë e filmave mbi kodet, duket sikur janë kontraversë ndaj njëri-tjetrit. Në "Kodin e Da Vinçit" çmistifikohet sekreti, synohet dekodifikimi i kumtit; kurse në "Engjëj dhe djaj" mistifikohet sekreti: nëse dijet do të administroheshin nga të vetëquajturit "të përndritur", bie fjala nëse "valixhja bërthamore", sekreti i "big bang"-ut e fshehta e "antimateries", do të binin në duart e njerëzve që dijen e duan për të sunduar botën me kompetencë divine, atëherë katastrofa ka trokitur. Prandaj sekreti duhet mistifikuar. Duket sikur simbologjisti Langdon po deshifron shenjat, por në fakt ai po identifikon sektin. Pikërisht kjo e bën profesorin e Harvard-it të dashur për kishën (në "fiction", jo në realitet), sepse edhe kishës, edhe shkencës, u kanoset i njëjti rrezik. Në thelbin e vet dija është e shenjtë, sepse është shfaqje e një dhuntie hyjnore, e kompetencës së të menduarit. Por jo aq e shenjtë sa doktrina. Shkenca është kritike dhe dyshimtare, ndryshe nuk mund të jetë. Rreziku vjen prej skajeve. "Opus Dei", me doktrinarizmin e vet, në fakt vret "heronjtë e mendimit", nëse ka vërtet të tillë. Ndërsa scientolog-ët, engjëj-fetarë në shfaqje dhe demonë-diturie në përmbajtje, njësoj i vrasin "heronjtë e mendimit", duke u shfaqur si një rrezik mbiglobal: ata do të shkaktonin jo vetëm vakancën e Pontifikatit, por edhe shkatërrimin e vetë botës, nëse do t‘i njihnin të gjitha sekretet e zbuluara të mendjes njerëzore.

"Engjëj dhe djaj" në fakt vjen në formën e një pikëpyetjeje: deri ku duhet të shkojë sekretimi dhe e kundërta: dekodifikimi? A duhet të ketë një ekuilibër midis tyre? A ka një pikë ku shkenca relative liberale dhe besimi absolut doktrinar mund të pajtohen? Për mijëra vjet njeriu nuk ishte i zoti të shkaktonte vetëshkatërrimin. Për mijëra vjet "përmbysja e madhe" ishte atribut hyjnor. Por në shekullin e 20-të njeriu u bë i aftë të deformojë gjenetikisht jetën, të krijojë specie e gjallesa të reja dhe më së fundi ta nxjerrë globin nga orbita. Vetëm prej arsenaleve bërthamore të raportuara legalisht bota do të vetëshkatërrohej mbi 200 herë. Regjisori i filmit i është larguar aq shumë përmbajtjes së romanit, duke ofruar kompromise shumë të mëdha, saqë duket sikur jo scientology-a dhe shentologët ("scientologues"), por shkenca, më së fundi kanë ardhur të pajtohen mes tyre!

Bota e ka shkruar historinë e saj në shenja dhe ajo e djeshmja gjithnjë e më shumë po zhvishet prej sekretit në një rend të përkundërt me atë të sotmen, e cila gjithnjë e më shumë sekreton vetveten. Ndërsa simologjistët dekodifikojnë të shkuarën, e sotmja krijon pafundësisht kode të reja. Teknologjia duket sikur nga dita në ditë do të shkarkojë satelitët nga qielli dhe toka do të përmbytet prej sekreteve: miliarda sms, miliarda e-mail-e, miliarda kumte elektronike peshojnë mbi glob. Aq sa përfytyrimi për zbrazjen e këtyre satelitëve të ngjajë si një katastrofë. Por kush do t‘ia dijë për të tilla kumte! Bota duhet të mbrohet prej sekteve, sepse katastrofa vjen nga skajet. Bota duhet të dijë ç‘të mbrojë. Nuk është e vërtetë se "edhe engjëlli, edhe djalli, gjenden bashkë tek i gjalli". Kështu ishte dikur. Sot njeriu është qenie e butë. Djalli gjendet vetëm në skajet.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›