KQZ: Listat, rrezikohen fletët e votimit
Procesi i prodhimit të fletëve të votimit rrezikohet nëse njësitë vendore nuk dorëzojnë në kohë pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve listat përfundimtare të zgjedhësve me të dhënat e sakta. Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, u bëri thirrje dje krerëve të njësive vendore që të dorëzojnë maksimumi deri ditën e shtunë të dhënat për listat e zgjedhësve, pasi sipas tij vonesa e dorëzimit të listave do të vështirësojë procesin e prodhimit të fletëve të votimit. Referuar eksperiencës me njësitë vendore që vonuan dorëzimin e listave paraprake dhe ku KQZ u detyrua që të gjobisë 77 krerë të njësive vendore në të gjithë vendin, Ristani e pa me vend që të bëjë një thirrje publike disa ditë para afatit të fundit. Apeli i kreut të KQZ-së u bë dje gjatë mbledhjes, ku institucioni i menaxhimit të zgjedhjeve miratoi listën e kandidatëve për deputetë të disa partive, mes të cilëve dhe listën e PS-së. Bashkë me ndryshimin për Qarkun e Lezhës, arsyeja pse u kthye pak ditë më parë lista e kësaj partie, socialistët paraqitën dhe dy ndryshime të tjera për Qarkun e Kukësit dhe të Shkodrës. Duke iu përgjigjur kështu me të njëjtën monedhë strategjisë së demokratëve për të përmbushur kriterin që 30% e listës të jenë të gjinisë femërore. Për të plotësuar kriterin e 30%, PS shtoi një emër në fund të listës, Linda Frroku, duke e çuar në tetë numrin e kandidatëve, pavarësisht se Qarku i Lezhës parashikon 7 mandate. Edhe demokratët për këtë qark kanë paraqitur tetë kandidatura. Ndërsa për Qarkun e Kukësit, kandidati me numër rendor tre, Tatiana Gërxhaliu, shkon në vendin e katërt, aty ku ishte në propozimin fillestar, duke ngjitur në vendin e tretë Rexhep Ukperaj. Për të plotësuar kriterin e nevojshëm në listë është shtuar një tjetër kandidate femër, Hasije Zenelaj. Ndërsa në Qarkun Shkodër, kandidati i cili më parë ishte renditur i gjashti, Helidon Bele, u zëvendësua me Zana Golemin, dhe tanimë renditet në vendin e 12. Ndryshimet e propozuara nga socialistët u kundërshtuan nga përfaqësuesi i Partisë Demokratike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Njazi Kosovrasti. Ai tha se arsyeja përse u kthye lista e PS-së ishte vetëm Qarku i Lezhës, ndërsa janë paraqitur dhe dy ndryshime të tjera. Anëtarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, shpjegoi se pikërisht ky standard ishte thelbi i debatit mes anëtarëve kur nisi procesi i shqyrtimit të listave. "Jo më kot kërkuam që KQZ të merrte vendim përfundimtar për çdo qark, në mënyrë që edhe po të kthehej lista, qarqet e miratuara të mos ndryshoheshin më", tha Subashi. Përfaqësuesi juridik i PS-së, Genc Gjonçaj, shpjegoi se referuar nenit 73 të Kodit Zgjedhor, ndryshimet nuk mund të bëhen vetëm pasi është marrë vendimi përfundimtar i KQZ-së. "Përderisa nuk ka një vendim përfundimtar, ne e kemi parë të udhës të sjellim këto propozime", tha përfaqësuesi juridik i selisë rozë. Sa i përket demokratëve, ata propozuan tetë kandidatë në Lezhë dhe 16 në Elbasan, edhe pse ligji parashikon 14 mandate për këtë qark. Ndërsa në Kukës demokratët propozuan pesë emra, duke shtuar një kandidate femër, në mënyrë që të mos ndryshonin renditjen e fillimit të listës. Sot pritet të shqyrtohet pjesa tjetër e partive politike, listat e të cilave u kthyen për korrigjimet e duhura. Nga 36 parti që dorëzuan listat shumemërore, 31 prej tyre me vendim të KQZ-së duhet të bënin rregullime në lista, sidomos për mungesë dokumentacioni. Në garë është edhe një kandidat i pavarur, të cilit nga KQZ iu kërkua të sjellë listën e zgjedhësve që e mbështesin në formë elektronike, që të bëhen verifikimet e duhura.