E Shtunë, 31 Tetor 2026

RRITJE EKONOMIKE APO ZHVILLIM EKONOMIK?

Në prag të fushatës elektorale duket sikur diskursi politik i mazhorancës është përqendruar te sukseset statistikore të këtij mandati katërvjeçar qeverisës. Kjo paradë shifrash dhe arritjesh, në syrin e opinionit publik, ka pasur si refren kryesor rritjen e "paparë" ekonomike të Shqipërisë, si dhe nxjerrjen nga varfëria ekstreme të qindra mijëra shqiptarëve.

Që në krye të herës më duhet të them që rritja ekonomike është kusht i domosdoshëm, por jo i mjaftueshëm për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm të një vendi. Nga entuziazëm i madh për lajmin se, Shqipëria ka pasur për vitin 2008 rritjen ekonomike më të lartë në Evropë, u bëra kurioz të shikoja raportet e institucioneve ndërkombëtare për vendet me rritje ekonomike më të lartë në botë. Për çudinë e opinionit publik, por jo të një ekonomisti, 5 nga 10 vendet me rritjen më të lartë ekonomike në botë ishin afrikane (vendin e 5-të e zinte Republika e Kongos), ndërkohë që Shqipëria ishte e renditur e 27-a dhe nuk ishte as në listën e 5 vendeve me rritje më të lartë në Evropë. Qartazi, ky ilustrim dëshmon se ka një raport të drejtë mes shkallës së varfërisë së një vendi dhe rritjes së tij ekonomike. Në këtë kontekst, Shqipëria si një nga vendet më të varfra në Evropë, kishte "luksin" të kishte rritjen potenciale më të lartë në kontinent, gjë që nuk e ka arritur as në vitin 2008 me rritjen e saj reale prej 6%. Ky konstatim mund të duket paradoksal, por që praktikisht është shumë racional. Për shembull, Liberia, që është një nga vendet më të varfra në botë, rrit Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) për frymë nga 400 dollarë në 500 brenda një viti, duke regjistruar një rritje galopante ekonomike prej 25%, por zor se ky "sukses" mund të konsiderohet shpëtim për mjerimin e tejskajshëm të këtij vendi.

Argumenti që përsëritet me mburrje të madhe nga debatuesit e zjarrtë të mazhorancës, se "ua kemi kaluar për rritjen ekonomike edhe vendeve më të zhvilluara të Evropës", është po aq bindës sa është edhe argumenti që afrikanët jetojnë më mirë sesa evropianët. Në një analizë finale, duhet theksuar që norma e rritjes ekonomike në Shqipëri, për vitin 2008, ishte thjesht mesatarja e 10 viteve të fundit, një normë akoma e qëndrueshme, por jo impresive.

Një argument tjetër, që dëgjohet shpesh në debatet politike, të cilat për opinionin publik nuk janë gjë tjetër veçse kakofoni shifrash, është arritja mallëngjyese e nxjerrjes nga varfëria ekstreme e mbi 200 mijë shqiptarëve. Kësaj radhe, debatuesit e mazhorancës duket sikur ua mbyllin gojën debatuesve të opozitës, duke u thënë që të lexojnë raportin e Bankës Botërore për t‘u bindur. Fatkeqësisht, këta të fundit, shpeshherë e pranojnë këtë raport si një të vërtetë hyjnore. Çështja qëndron jo te sfidimi i shifrave, që për mua mund të jetë edhe 300 mijë, por te përcaktimi empirik i varfërisë ekstreme që, në mënyrë eksplicite thotë: çdo qytetar, i cili jeton me më pak se 2 dollarë në ditë, konsiderohet një person që jeton nën "nivelin e varfërisë ekstreme". Sa herë që dëgjoj këtë argument në debat, pres më kot që përfaqësuesi i opozitës të pyesë: Nëse është e vërtetë që mbi 200 mijë persona statistikisht kanë dalë nga varfëria ekstreme prej 2 dollarë në ditë, a është e logjikshme që një person që merr 2.1 dollarë të mos konsiderohet ekstremisht i varfër, vetëm se mund të përtypë një çamçakëz më shumë në ditë? Kështu, të "inventarizosh" si arritje qeverisjeje luftën kundër varfërisë, të bazuar thjesht mbi një vlerë arbitrare dhe statistikore, pa ofruar një strategji politikash dhe paketash sociale për reduktimin e varfërisë, është thjesht nihilizëm.

Në një analizë sintetike, ekonomia shqiptare, për shkak të mungesës së një vizioni qeverisës dhe një modeli të qartë zhvillimor, kërcënohet nga dy rreziqe potenciale, të ndërlidhura me njëri-tjetrin:

1. Rritje ekonomike jo e qëndrueshme

2. Rritje ekonomike që nuk përkthehet në zhvillim ekonomik.

Gjatë gjithë këtyre viteve të tranzicionit, ndoshta në mënyrë të pashmangshme, Shqipëria ka ndjekur një model zhvillimi ekonomik të bazuar kryesisht mbi konsumin e "ushqyer" nga remitancat e emigrantëve, sesa mbi investimet private dhe punësimin. Fakt për këtë është raporti shumë i ulët kumulativ në vite mes rritjes së fuqisë punëtore dhe rritjes ekonomike. Në një kohë kur kriza ekonomike globale po reflektohet ndjeshëm në Shqipëri nëpërmjet uljes së remitancave, tkurrjes së kreditimit për investimet private, rritjes së pajustifikuar të shpenzimeve operative dhe reduktimit të të ardhurave buxhetore, rritjes së borxhit të jashtëm, rritjes së deficit tregtar etj., ky model zhvillimi nuk është një premisë inkurajuese për një rritje të qëndrueshme në vitet në vazhdim.

Rritja ekonomike nuk ka asnjë vlerë, nëse ajo nuk kultivon mirëqenie dhe nuk shpërndahet në mënyrë harmonike në të gjitha shtresat e shoqërisë, e për më tepër, në shtresat e varfra të saj. Në të kundërt, antiglobalistët do të kishin të drejtë kur thonë që, një vend mund të ketë rritje ekonomike edhe kur të varfrit varfërohen më tepër dhe të pasurit pasurohen akoma më shumë. Eshtë e vështirë të besosh që rritja ekonomike e Shqipërisë është përkthyer sa duhet në zhvillim ekonomik kur:

-çdo ditë e më tepër konstatojmë shtimin e makinave luksoze dhe jo të makinave familjare;

-çdo ditë e më tepër shikojmë lokale që hapen (rrallë falimentojnë) dhe që shtojnë orët e lira të papunëve, ulin produktivitetin e të punësuarve dhe jo fabrika që hapen për të ulur papunësinë e reduktuar varfërinë;

-çdo ditë konstatojmë sesi blihen me çmime të kripura më shumë apartamente në zona luksoze, sesa shiten e blihen apartamente me çmime të arsyeshme në zona suburbane apo në qytete të vogla.

Eshtë e vështirë të pretendosh për zhvillim ekonomik, kur një i ri kryeqytetas po shijon "moshën e internetit", ndërkohë që bashkëmoshatari i tij në periferi duhet të braktisë shkollën për të siguruar bukën e gojës. Këto janë sfidat e një qeverisjeje vizionare, e cila në vend që të flasë në emër të shifrave që nuk i beson as vetë, duhet të punojë që rritja ekonomike dhe zhvillimi ekonomik të kenë një destinacion të përbashkët: Rritja e mirëqenies së shqiptarëve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›