E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gaqo Apostoli, për dashurinë e një gruaje

Jemi mësuar më shumë të dëgjojmë të flitet për të gjithnjë në lidhje me çështje politike, megjithatë ai ka treguar se është mjaft i lidhur edhe me artet, muzikën e letërsinë. Kjo e fundit ngaherë e ka ngacmuar dhe e ka frymëzuar. Një vëllim poetik ka qenë ngaherë peng për Gaqo Apostolin, një dëshirë që tashmë e ka realizuar. Promovohet sot libri me poezi "Ǒma trazoi jetën një grua", me autor Gaqo Apostolin, i cili vjen për lexuesin nga shtëpia botuese "Dudaj". Poeti Xhevahir Spahiu është shprehur për krijimtarinë e Apostolit si në politikë, ashtu dhe në poezi, se "të dyja fillojnë me ‘po‘... shfaqen si një qenie me dy kokë që përfyten e duan t‘i hanë kokën njëra-tjetrës. Apostoli ka vite që vozit në dy dete. Midis të dyve, me sa duket, vetiu zgjedh të dytin: poezinë... Vetiu e ndjen se e dyta, poezia, njerizon të parën, politikën. E shpëton nga damkosja". Gaqo Apostoli është përballur me lexuesin që në rini, kur rreth katër dekada më parë botonte poezitë e para në gazetën "Drita", e më pas në revistën "Nëntori", në gazetën "Studenti" etj. Poezitë e tij janë bërë të njohura për publikun shqiptar edhe përmes teksteve të këngëve të kompozuara prej artistëve si Limoz Dizdari, Tish Daija, Agim Krajka, Flamur Shehu etj., disa prej të cilave janë vlerësuar edhe me çmime të para në festivalet e pranverës, në koncertet e majit, apo në anketat muzikore ndër vite.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›