E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sori: Faleminderit Tan Hoxha!

"Pa televizionin ‘Top Channel‘ unë do të isha askushi, pra falënderimi im më i madh është për Dritan Hoxhën, i cili arriti të ngrejë një televizion të këtyre përmasave, që më krijoi mundësinë të bëhesha i famshëm", kështu është shprehur nga Orikumi, Qetsor Ferunaj, fituesi i edicionit të dytë të "Big Brother Albania". Të shumtë kanë qenë admiruesit që kanë dalë për të pritur fituesin nga Dukati dhe konkurrentët e tjerë të "Big Brother", të cilët e kanë shoqëruar Sorin për në vendin e tij. Si në një miting të vërtetë, njerëzit kanë dalë të takojnë "heroin" e "Big Brother", duke nisur që në hyrje të qytetit të Vlorës. Turma u është bashkuar banorëve të "Big Brother", e kështu së bashku kanë kaluar në bulevardin e qytetit të Vlorës, duke i uruar mirëseardhjen fituesit. Më pas festa ka vijuar në Orikum, ku ishin mbledhur edhe dashamirës prej zonave përreth. Të gjithë nderonin Sorin. Duartrokitjet e brohoritmat, por edhe një qytet i zbukuruar si asnjëherë tjetër, kanë shoqëruar festën e përgatitur me këtë rast. Sori, së bashku me miqtë e tij, banorët e shtëpisë së "Big Brother", është ngjitur më pas në podium, ku i prisnin parodistët e Vlorës, këngëtarë të ndryshëm, si dhe Agron Llakaj, aktori i humorit, moderatori i spektaklit të humorit "Portokalli". "Nuk kam fjalë të shpreh emocionet për këtë pritje madhështore që më është bërë. I falënderoj të gjithë", tha Qetsori, i cili ka shtuar se çmimin ia kushton bashkëshortes dhe djalit të tij. Më pas, Sori e banorët e tjerë të "Big Brother Albania" kanë bërë fotografi e kanë dhënë autografe për fansat e tyre në Orikum.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›