E Diel, 1 Nëntor 2026

DORË PËR DORË



Mehmet ELEZI
DORË PËR DORË

Dorë për dorë si kroi me borën e vetmuar në bjeshkë
Si qumështi me fijen e barit, dorë për dorë.
Dorë për dorë si shkronja me pyllin e prerë në besë
Si djepi me buzën përvëluar për puthje, dorë për dorë.

Dorë për dorë si malli me këmishën e hollë të mungesës
Si hëna me një yll që kërthijohet, gjunjëvrarë, dorë për dorë
Dorë për dorë si polici me vrasësin që është fshehur
Si shtëpia dhe hija e varrit, dorë për dorë.

Dorë për dorë si dita më një pyetje pingul mbi ballë
Si geri me arrën që gërryen në zguer të lisit, dorë për dorë
Dorë për dorë si unë dhe heshtja rrotull që më pi ngadalë
Si lulja dhe trupi që tretet nën rrënjët e saj, dorë për dorë.

NATËN E MBRËMSHME

Natën e mbrëmshme është kryer krimi
Veç këto shenja u gjetën:

Perëndimi i detit u gjet i fshehur nëpër unaza diamanti
(Dallgët dënesnin përmbys përmbi bar)
Thellësia e detit kish humbur në një njoftim të Nasas
për zbulimin e një tjetër vrime të zezë
Thellësia e detit kish humbur në një varr klandestinësh në ujëra.

Deti më s’u pa

Thashethemet e natjes thanë se detin e mblodhën
peshkatarët nëpër rrjeta
E ngarkuan në kurriz, në kokrriza kripe, në karroca të vjetra
E nëpër agshol
E qitën me e shitë në qytet

Përgënjeshtrimet thanë se deti është parë lot i varur
në një fletë ulliri.

Natën e mbrëmshme është kryer krimi
Veç këto shenja u gjetën
Vrasësit janë larguar në drejtim të paditur.

VAJZA E AEROPORTIT

Prej s’diseku u shfaq e s’diseku po shkonte
Vetëtimë e thyer nëpër degë
Një ulurimë ujkonje e ndoqi pas.

Ndërsa flokët e saj e mbushën me pyll krejt një qytet
Unë e pashë veten të shtrirë në vig

SHESHI I SEKSERËVE

Pash në pash, pa u përdredhur, dot s’e çakam pyllin e sekserëve!
Gjithfarë fytyrash larë në dush dylli, sy macesh, kravata të modës
së mijëvjeçarit të dytë
Pëshpëshe dinake krye në krye, dy nga dy: rrallë bëhen bashkë tre
(Nëse s’llogaritim trotuarin që shkelet e lëpin lëmoshën e ditës.)

Shitblerje apartamentesh, trojesh të zëna me forcë, muranash me
myshk në kufi, gjysështetesh,
Nepërka e hollë e pëshpërimës zhbiron mure, shemb shtretër
bashkëshortorë, zbraz gota, gjak derdh.
ǒpopullsi pyllnajë në një pëllëmbë vend, platformë nafte mbi valë deti
Hartë, Kullë Babiloni, gjithë gjuhët e pares, të gjalla e të vdekura.

Të tjera fytyra dylli, dhe sy macesh prapë, dhe kravata Pierre Cardin të
sfilatave që priten
Çuçllamë krye në krye, gjatë një coffee-break a në një tavolinë rrumbullake
Emisarë me qeveri mbështjellë me celofan nëpër valixhe
Me qeveri që fryhen si shkumë, ringrejnë, rrëzojnë e rrënojnë fate.

Te sheshi i sekserëve s’u shitkan gazetat: lajmet e tyre aty janë të vjetra
Një alo... dhe logu tkurret e rrudhet: ç’trajtë do të marrë pas një ore harta?
Dhjetëmijë varre thashë, sall dhjetëmijë. Rrokatur ky qenka, si s’merr vesh robi
Dhjetëmijë një garsonierë te Vorri i Bamit, thashë, parafabrikat.

Muzgu këtu mund të nisë në agun me krehër vese krehur
Java këtu mund të mbyllet në syrin e larë të së hënës
Dhe Dita e Jetës në një qese plastmasi mund të ngulfatet, të kopë e të vdesë
Ose - a nuk është njësoj? - në një çantë diplomatësh.

NE BERNË

Ditët flokëgjata të shirave ranë me fjetë përmbys përmbi liqenj, ndërsa krejt papritur, prej qiellit adoleshent të Bernës derdhen përnjiheri flokë bore sa grushti dhe rreze dielli, ndoshta lahen engjëjt. Qielli mbush dheun me piktura impresioniste. Në orën 18.00 në Hotel Bellevue jepet pritje. Përnën arkada ambasadorët e jashtëzakonshëm e fuqiplotë shpërndajnë politikë dhe erëmirë parfumesh të modës së fundit. Pak më tej, në brigjet e Aarit, faqet e natës mund të kafshohen si mollë. Po kopin prej shëndetit. Ndërsa në Rozengarden, nën arkadat e praruara të shtëpisë së hënës, jepet një pritje lulesh. Shpërndahet erëmirë trandafilash të jashtëzakonshëm e fuqiplotë, që çelin përnjiheri në katër gjuhë, duke tundur vathë liqenjsh të gjelbër vjerrë në bulë të veshit.

16 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›