E Diel, 1 Nëntor 2026

Vajtoj humbjen e miqësisë



Visar ZHITI

Përveç të tjerash, hallit të madh të ikjes së vëllait, pa e ditur se ku, një largim misterioz, si i zemëruar me të gjithë, shqetësimet e mëpastajme, dyshimet tronditëse, mortore, kërkimet, ku policia veç mbante shënime dhe ngrinte supet... shtohej dhe meraku tjetër, pa u kuptuar si dhe qysh, se mos e gjitha kjo shndërrohej në një bëmë të rëndomtë, ordinere. Mbushej me thashetheme rruge, keqinterpretime... Nuk duhet të banalizohet dhembja, duhet ruajtur dinjiteti i saj siperan nga trillimet e fjalët e kota, tha me vete Petrit Guraziu, siç duket nga që pa atë që s’duhej, të padurueshmin, me të cilin edhe kishin punuar bashkë. Dikur. Ah, dikur ishin dhe shokë. Dhe ai u shndërrua në njeri të tepërt. Pa asnjë arsye të dukshme. Pa ndodhì. Thjesht se paskësh qenë i tillë, a u bë, liria tani ta jepte këtë mundësi... Nuk do të donte ta takonte, ndërsa ai po i rrinte përballë dhe po shpaloste të kundërtën, acarues, duke e prekur me bërryl, po i thoshte se e kishte kërkuar gjithandej...
Folë!
Ishte një tjetër dënim grotesk të takohëshe pikërisht me të tani, jo me të, me rëndomtësinë e tij, që i gëzohej e kishte aftësinë edhe ta përçonte. Në liri ai kishte humbur sharmin negativ që të japin veset. E ç’rëndësi ka në u bë kështu a kishte qenë. Ai s’kishte vizion miqësie, as freski mëndjeje për gjërat, por këmbëngulje bezdisëse e fanatizëm. Duhej të dilte e vetja. Duke u lutur apo duke u grindur, duke kërkua falje apo duke përdorur grushtat. Moton se donte të bëhej dikushi, ai e kishte kthyer herë “si dikushi” dhe herë “si askushi”, asnjëherë si vetja. Jo vetëm që s’bënte dot gjë të rëndësishme, por as thoshte dot ndonjë gjë të pathënë më parë, jo nga ai, jo, por kishte kënaqësinë vanitoze të merrte pamjen e mendimtarit, të krijuesit, të kronikanit më të shquar të këtij qyteti, në asnjë mënyrë të poetit, ata s’i quante gjë, i përbuzte, se ishin nja 3 a 4 të tillë, me të cilët dhe rrinte, por jo, ai ishte shkrimtari që mjaftonte të merrte penën dhe të pinte e zeza.
...ishte i pagdhëndur e s’donte të gdhëndej, krenar për këto, kishte thënë Gjergji, kur e takoi mbasi doli nga burgu. Të kishte ndryshuar? Nuk besoj dhe aq te ndryshimi i dykëmbëshave, shtoi, por kanë ndryshuar rrethanat, mundësitë dhe ai ka mbetur po ai, i zbuluar... duke mos e përballuar dot lirinë, kaq të pakët sa ç’është, ka zgjedhur mllefin e sulmin, dhe shpinën gjithçkaje. Sikur ka zgjuar një tjetër, që flinte brenda tij. Atë të rrezikshmin, jo për shtetin, jo kundërshtar i sistemit, por për të përditëshmen e thjeshtë…
Petriti qe habitur me këtë arsyetim. ǒishte kjo mosmëshirë? Më dhimbet, tha Gjergji, por ai s’ndjente dhëmbje. Dhe këtë e dinte forcë karakteri. Vetëm urrente. Unë nuk dua ta urrej, edhe pse ai s’më duronte dot, e pashë, është e rëndë të kesh dështuar, jo në jetë, ashtu jemi shumë, por ai kishte dështuar, si ta them, së jetuari. Dhe s’dinte t’i dallonte këto, i dukeshin e njëjta gjë. Por njeriu ka dhe një të jetuar të brendshëm, sipas meje, rëndësi ka të dijë ta bëjë atë, qoftë si ide a shans që e pret. Ai s’priste asgjë më.
Ti po e përbuz?
Jo, po e vajtoj. Ishim shokë. Mjaftonte që na dukej kështu. Vajtoj atë që kurrë s’ka qenë tek ai, miqësinë, që për mua është lartësi e njeriut, pse jo dhe e shenjtë. E ndryshme nga dashuria, e cila do më shumë zemër. Miqësia do mendje më shumë.
Gjergji, vazhdo, po më pëlqen të të dëgjoj, ke të drejtë...
Pa miqësinë jeta do të ishte e zbrazët, tha dhe sikur e humbi fillin. Pse e ndërpreu, pse e mburri? Sipas Epikurit, gëzimet i sjell miqësia, vazhdoi Gjergji, njeriu ka nevojë për njeriun dhe unë e vajtoj humbjen e miqësisë, është një burg i tjetërllojtë. Miku mund të jetë dhe i pa qenë, dhe kujtim, dhe ajo që beson, por edhe një qen, një kalë, një pemë... Ja, unë tani e kam shtuar shoqërinë, po, po vërtet, me Lulin dhe Ergin, pastërtia e tyre, pafajsia fëminore të magjepsin. Dëgjo, mund të mos gjesh shokë, ndodh, por ti je i gatshëm për miqësi, e jep atë edhe verbërisht. Pa llogaritur gjë. Ndërsa ai jo, donte të humbte shokë. Se te tjetri nuk shikonte atë që është, por atë që s’është. Jo ta shumfishojë veten me të tjerë, po ta shumfishojë veten te të tjerët. Dhe kur ata s’janë të detyruar të pranojnë, nis zemërimi dhe arroganca...
Dhe një kafe s’të vjen ta pish më me të.
Pse? Ti fal dhe ata që të kanë dënuar?
Jo, unë nuk e kam dënuar. Është ai që na dënon ne, me zhgënjimin, me mosmiqësinë. Dhe besomë, i ngazëllehet kësaj. Se ai s’e ndjen gëzimin e tjetrit, por tjetri i duhet për gëzimet e tij... Të jenë të tjerët që të më mbushin dhe mua dhe jo vetëm që të zbrazem unë. Ai s’e vriste mendjen për këto gjëra, s’hante pyka...
Petriti krahas adhurimit për vëllanë, mirënjohjes, ndjeu një si shtjellë të rrezikshme. Ku jemi kështu dhe a do të dimë të shkojmë? Për ku? Te njëri-tjetri...

* * *
Që të mos keqkuptohem, unë po tregoj, jo se shpresoj në përmirësim, as se e pëlqej hakmarrjen, por po e vuaj këtë dukuri, shqetësohem, më duket sikur dinim të ishim më miq nën diktaturë dhe më thellë në burg, kurse tani, teksa i avitemi lirisë, me britma, sikur po ndryshohet klima e mënyrës së të jetuarit, po ftohet e po afrojmë acaret. Do të kisha besuar se do të afroheshim me njëri-tjetrin për t’u dashur më shumë, më mirë, se edhe kjo ka po aq rëndësi, por po ndodh e kundërta, secili ikën, edhe nga vetja, jo më nga tjetri.
Siç po thosha, ai, ish shoku, plot me ish-a po mbushet kjo kohë, në fillim ishte punëtor dhe, ashtu si ai, e shikoja këtë gjë si një padrejtësi të fatit, të sistemit… Do të bëhej shkrimtar. Pse jo? Regjimin nuk e donte, por dhe s’kish pse ta luftonte. Dhe si? Shëmbuj nuk gjente. Ta arrinte njëherë shkrimtarin, pastaj shohim e bëjmë për desidentin. Si i kanë rusët, polakët?
S’dihej pse e thërrisnin “Hanxhari”, mbase ishte pseudonimi i tij letrar, që e kishte zgjedhur, që kur nuk shkruante apo e kishte emrin e tij të vërtetë dhe, bashkë me mbiemrin e mbetur Jeniçeri, dukej sikur kishin ndikuar së tepërmi në fizionominë e tij. Kishte profilin hijerëndë të një hanxhari të pamprehur e bënte vazhdimisht “yxhym” si jeniçerët. Inatçi, herë pas here rebel, me një sup të pjerrur, sikur sapo të kishte hequr një shkallë të padukshme, që e mbante për t’ju ngjitur bedenave, karrierës dhe subjekteve të librave të ardhshëm. Në fakt, punonte dhe me shkallët e shkruante fshehurazi. Ishte hidraulik i kategorisë së shtatë, i specializuar për shatrivanët, kështu thoshte me mburrje, kur në qytet s’kishim asnjë të tillë, madje shatërvanët ishin të rrallë nëpër qytetet e Shqipërisë. Çdo rubinet që zinte me dorë gjatë punës, ndonjë bërryl nëpër tubat e kanalizimeve të ujit, do të shpërthente menjëherë e do ta qullte të gjithin. Do t’i vinte gjoksin heroikisht, por për ta mbyllur, do të gjendej gjithmonë një tjetër. Shpërthimi i ujit kristal, ato rrëkera frymëzuese, më ndezën dëshirën për artin, thoshte. Dhe nuk do t’i ndahej uji krijimtarisë së tij, i njëjtë si ai i atyre kanaleve...
Dhe iu fut dërrçe shkrimeve. Për dreq, absurd vërtet, po forconte miqësinë me Gjergjin. Që s’ishte askushi, gjimnazist me biografi të keqe. Që e kishte kuptuar fare mirë se ai veç donte dikë që të duronte leximet e tij, atë diare që zgjaste 2 orë, 3, 4, 15 fletë, 20, 35... do ta quante një nga dashakëqinjtë e tij. Madje, kur u bë magazinier i paisjeve sanitare, shkruante dhe në magazinë. Më vonë, vendin e dëgjuesit, ulur në ndonjë bide a banjo porcelani, do ta zinte Petriti.
Në fakt kishte përparuar në të shkruar, por pa asnjë ide a mendim të rëndësishëm, as një metaforë, le që ato ishin të dënueshme te poezitë, proza s’do metafora, ma tha D... dhe ai veç rrëfente, në vetën e parë njëjës gjithmonë, me dialogje shpesh mizerabël, më shpesh shabllone, pa befasira, veç me gra që përfundonin në shtrat me të, teksa ai bëhej flakë i kuq si speci. Personazhi kryesor - punëtor muskuloz si ai, me kaçurela të dëndura, kështu kam qënë vërtet, thoshte, por të gjithë e njihnin për tullac. Kurrë s’e ka patur atë kaçube të dëshiruar flokësh mbi kokë, thoshin. As fantazinë e duhur në kokë, shtonin. Gjithmonë cmirëzinjtë e tij. Por ai çante përpara, po botonte. Dashuria në krijimet e tij ishte mishtore, e fshehtë, pa përkushtim e vuajtje, dalldi pa magjepsje, shfrim e turp. Në jetë s’fliste për dashurinë. Kishte entuziazëm, të cilin e shndërronte në fanatizëm...
Mori një çmim të tretë në një konkurs në qytetin fqinjë, talentet gjithmonë vlerësohen në vend tjetër, qeshi me të madhe duke pirë birrë me shokët e duke u mbllaçitur si në dorëshkrimet e tij. Në kryeqytet u njoh me shkrimtarë dhe veprat e tyre i dukeshin ashtu siç i kishte marrëdhëniet me ta së fundmi, gjatë atij leximi. Shkëlqyer, çka, s’bën fare, jam zënë me autorin, po mua idiotit pse m’u duk ashtu libri, kur e rilexova ishte kryevepër, sikur ta kisha shkruar unë, jemi keqkuptuar një herë... Kështu gjykonte dhe për shokët e vet në qytet, ata ishin sipas asaj që i duhej atij, Martini bën ndere, ma dha biçikletën që të hkoj në Kavajë për tëparë ndeshjen; i mirë është Xhezua, debili, si s’më kërkoi një autograf ai, karnavali... për ta pirë në kupë... mut fare, zotni pastaj. Gjergji është më i mirë se Petriti, kurse të nesërmen Petriti ishte më i mirë se Gjergji. Por, sapo nuk i duhej më, i harronte të dy dhe këdo. Pastaj futej në sherr për shokun, pa ditur të ishte shok i vërtetë. Dhe nuk ia shtrinte dorën kurrkujt, nuk trembem kurrë, thoshte. Krenarinë dhe dinjitetin i dinte të njëjtën gjë, sinonime.

* * *
Me përmbysjen e diktaturës, patjetër edhe ai u kënaq dhe përmbysi diçka nga vetja. S’kishte qenë vegël e saj, por s’dinte të ishte i lirë. E tmerrshme! I mungonte sinqeriteti, çiltërsia me veten, guximi artistik dhe po shkruante më keq se në robëri. Romani i Hanxhar Jeniçerit “Fejesë pa dashuri në fshatin kodrinor” u botua pasi ra diktatura, me sponsorizim të Bashkisë, nga fondi i ndihmave të të persekuturave, duke e konsideruar dhe atë si autor të persekutuar nga regjimi. I persekutuar është, tha njëri nga poetët e qytetit, ai më shpotitësi. A nuk e ka persekutuar Zoti, duke mos i dhënë talentin e mjaftueshëm?!..
Pra, të lutem, vëlla i dashur, mos më tako më me të, i thoshte Gjergji Petritit. Po ti e njeh vetë, mbrohej ai. Tamam nga që e njoh. Tani vonë më tha se donte të shkruante për mua, për jetën time, tregonte Gjergji, do të bënte vëllimin e dytë të romanit të tij, që ia botoi bashkia... Që po të ketë një kontroll, ndërhynte prapë Gimi, duhet ta gjobisin bashkinë, se ka sponsorizuar një libër kot, broçkulla me thes. Krahas turpit që kjo bashki ka qenë komitet partie, gestapo, kuesturë, burg, shtëpi kulture, shtëpi publike, e ku di unë se çfarë, theretore, shtoi dhe një tjetër gafë, botime mjeranësh, llomotitje kodoshësh letrarë… E çfarë i the ti, kur të tha se donte të shkruante jetën tënde?, mezi po priste përgjigjen Petriti. Shkruaj tënden, ia ktheva, se unë s’kam, burgu nuk ishte jetë. Po a mund ta përdor këtë që më the, sa asgjësuese që është, klithi dhe i pashë zili prej bishe në sy. S’e di pse.
Ndërkohë Hanxhar Jeniçeri u qe kthyer të gjithë atyreve, me të cilët ishte grindur në diktaturë. Pajtim kombëtar, tha, flaku borsalinën, por kështu s’durohej. Dhe vendosi të mos i fliste më Gjergjit e nja dy të tjerëve si ai që, edhe pse nuk shkruanin, po na bëheshin protagonistë, ish-të burgosur, unë i sfidoj. Burgun e kam vetë në mendje, bërtiti. Pastaj Gjergji gjeti prapë një femër të bukur, atë aktoren-pianiste, mund të ma prezantonte dhe mua. Prandaj e burgosën atëherë, punë femrash... Talentet e mëdhenj janë shkollë mbi shkollat, i kishte thënë Petritit dhe kishte rrahur gjoksin. Petrit, do ta pijmë një kafe bashkë, vringëlliu Hanxhari, kam një muhabet. Nxitoj, kam ca halle, ngutej vërtet Petriti. I di. Por ka ndonjë lajm nga Gjergji, jo? E ç’do më thoshe? Hajt, po ta them. Dua të shkruaj një vepër, jo roman, as triller, as dramë, një përzierje kohësh dhe teknikash. Sot duhet memoristika, ajo pi ujë, kam nevojë për ndihmën tënde. Jam i sigurt që do të korrim para. Është koha e parave dhe e maskarenjve. Personazhet kryesorë do të jenë... Gjergji... unë dhe ti, pozitivë ne, gjithë të tjerët negativë. Në ferr... Shkërdhatat… Me emra të vërtetë... Dokument.... Që ta tundim... Por të më tregosh për vete, për Gjergjin. Kur të vijë, folë vetë me Gjergjin, ia ktheu Petriti. Po ai s’po vjen? Dhe më mirë është të mos vijë, dëgjomë mua. Punë do na prishë. Sa më akuzuese të jetë vepra ime, aq më sukses do të ketë, kujdesem unë, ç’ke ti, fitimet i ndajmë, ç’i takon Qezarit, jepja! Dhe veprën pastaj na i përkthen vajza ime, e kam refugjate në Gjermani, bashkëjeton me një..., po llomotiste.
Nga zori, Petritit iu bë se ia dha vrapit. Atyre që u trembej, rrënuesve banalë, shpërdoruesve të dhembjes së tjetrit, tregtisë së vlerave jetike, mediokritetit vrastar, ç’të rëndiste tjetër, baltës… nuk po u shpëtonte dot. Po Gjergji? Prandaj do të ketë ikur, iu fsheh këtyre dhe më la vetëm...

16 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›