E Diel, 1 Nëntor 2026

REVANSHI MBAS KRIMIT...



Pyetja e vjetër, t’i besojmë apo mos t’i besojmë kumtit të fantazmës (të çdo lloj fantazme që shfaqet në jetën tonë), te Marksi merr një përgjigje të qartë. Analiza që i bën ai kapitalit, pra anketa e krimit, është e saktë dhe e besueshme. Problemi shfaqet fill pas saj. Te kështjella daneze fantazma mesjetare, duke i kërkuar Hamletit marrjen e hakut (e bashkë me të përmbysjen e uzurpuesit, etj. etj. ) nuk harron t’i japë hakmarrësit një porosi themelore. Ajo i kërkon atij të jetë i përmbajtur në revansh. Ideja nuk është e re. Nuk është as e Shekspirit, as e Saxo Grammaticus, tek i cili dramaturgu u mbështet, e as te sagat islandeze, ku u mbështet Saxo. Ideja është e vjetër sa bota. Përmbahu! Mos e tepro hakmarrjen. Këtë porosi e gjen në maksimat, gojëdhënat, rrëfimet, kodet zakonore, kronikat poetike të shumicës së popujve. Atë e gjen në themelin e poemave homerike, në tragjedinë antike, madje në rrënjët e qytetërimit grek. (Zotat e Olimpit i ndëshkuan grekët, kur ata e tepruan revanshin e tyre ndaj trojanëve). Ka qenë dhe mbetet një nga idetë më emancipuese, që ka prodhuar njerëzimi në të gjitha kohërat. Është e mundur që Karl Marksi, njeriu që gjithë jetën u mor me çështjen e përmbysjes së rendit borgjez dhe zëvendësimin e tij nga diktatura e proletariatit, të mos e njihte këtë ide? Të mos i shkonte mendja asnjëherë se kjo përmbysje klasash, më e madhja, më rrënjësorja në historinë e botës, do të shoqërohej nga përrenj gjaku, nga shkallmime, tmerre e mllefe hakmarrëse të papara kurrë ndonjëherë në këtë planet? Përjashtohet çdo hamendje që Marksi të mos e dinte, atë që e dinte çdo rapsod i pashkollë, e shumica e gjysheve që me përralla i vënë në gjumë vocërrakët. Nuk është rrjedhojë e asnjë pezmi, por rrjedhojë e logjikës, mendimi se Marksi e dinte, por ai parapëlqeu të mbyllte sytë e ta linte të kryhej ajo llahtarë.

Ismail KADARE

Kronika e “tjetrit” ka pasur e, me sa duket, do të ketë nevojë për ushqim të ri. Ankthi i dikurshëm i mosgjetjes së huritëve prej hititëve, në njëfarë mënyre, është përsëritur shumë herë në botën tonë. Është një e vërtetë e njohur se, kur “tjetri” mungonte, ai do të kërkohej. E natyrisht, kur nuk gjendej, do të shpikej.
Luftërat civile, ato ku kundërshtarët e kishin gjithçka të njëjtë, pamjen, gjuhën, madje dhe atë që ishte vështirë të vërtetohej, gjakun, ishin po aq të egra, në mos më shumë se të tjerat. Idetë e ndryshme ishin të mjaftueshme për të prodhuar urrejtje, po aq sa derdhja e gjakut. Besimet fetare, gjithashtu.
Një rivalitet i çuditshëm u shfaq midis lidhjeve të gjakut dhe atyre të doktrinës. Nazistët, ndonëse ishin të magjepsur pas mistikës së gjakut, gjersa u hynte në punë kundër hebrenjve dhe popujve të nënçmuar prej tyre, nuk mëdysheshin ta shkelnin atë me këmbë, kur ishte puna për besnikërinë ndaj nazizmit dhe Führer-it. Kurse për tiranitë komuniste shkelja e lidhjeve njerëzore, në emër të besnikërisë ndaj doktrinës, u kthye në një bast të madh. Për familjen e re, atë “doktrinare”, u ngrit një propagandë e tërë, e ndihmuar nga artet, filmat, poemat dhe dramat e pafundme të një epoke të çmendur.
E pavarësisht se kjo fjalë përdoret përherë e më shpesh në gjykimin e ngjarjeve, asgjë nuk pengon që tmerri të përsëritet. Si rrallëherë në historinë e njerëzimit po kërkohet, po shpiket, po jepet alarmi, po përgatiten armët, për të goditur “tjetrin”.
Pyetja e vjetër, atje te gryka e shpellës, përsëritet e përsëritet pa pushim.

* * *
“Një fantazmë po vërtitet në Evropë, fantazma e komunizmit”. Me këto fjalë fillon Manifesti komunist i Marksit dhe Engelsit. Të kujton disi fillimin e “Hamletit” të Shekspirit. Ashtu si rojat e kështjellës së Danimarkës, shumë njerëz do të kenë pyetur në kohën e botimit të tij: “ǒështë kjo fantazmë e re?” Dhe më pas, pa dyshim do të vinte pyetja tjetër: Përse po shfaqet, ç’kumt po sjell?
Fantazma te “Hamleti” u shfaq për të kumtuar një krim dhe, natyrisht, për të kërkuar gjakmarrje. Manifesti komunist gjithashtu kumton një krim dhe kërkon një përmbysje, thënë ndryshe, një revansh. Këtë herë dhe krimi dhe përmbysja që kërkohet janë botërore. Dhe revanshi, merret me mend, ashtu do të jetë: i lemerishëm.
Në të vërtetë, ndodhi pikërisht ashtu. Historia dihet, është pjesë e historisë së “tjetrit”. Një nga më të zymtat në kronikën e njerëzimit. Miliona viktima, burgje, tortura, tmerr i pafund. Këshilli i Evropës, pak kohë më parë, pas shumë mëdyshjesh u kërkoi, më në fund, vendeve ish-komuniste dënimin e krimeve të komunizmit. Ka vite që mendimet ndeshen e përplasen për këtë çështje. Madje qysh kur perandoria komuniste ishte ende në këmbë.

* * *
Në atë kohë, sidomos pas vdekjes së Stalinit, u gjet njëfarë konsensusi për të shpjeguar tragjedinë. Ishte një ngushëllim, më saktë, një justifikim. Thelbi i ngushëllimit ishte dënimi i Stalinit. Me fjalë të tjera, komunizmi ishte i drejtë, por ai u përçudnua. Më saktë: Lenini mbetej i shenjtë, por ishte Stalini ai që i leu duart me gjak.
Nuk arritën njerëzit të marrin frymë të lehtësuar, kur e vërteta u shfaq me fytyrën e saj të plotë: Stalini nuk kishte bërë gjë tjetër, veç kishte kryer porositë e Leninit. Pra, ky i fundit, ishte rrënja e së keqes, njëlloj i egër si pasardhësi, madje më i pashpirt. Konsensusi u modifikua: Të dy së bashku, Stalini dhe Lenini, madje dhe Trocki i dënuar prej tyre, ishin të mbrapshtë. E bashkë me ta, njëlloj si ata, ishin pasardhësit e tyre, të mëdhenj e të vegjël: Mao Ce Duni, Çaushesku, Ulbrihti, Hoxha, Kastro, etj. Ngushëllimi megjithatë mbetej Karl Marksi!
Po të perifrazojmë frazën e parë të Manifestit komunist, mund të themi se kohët e fundit një pyetje vërtitet nëpër Evropë: zbret apo nuk zbret faji gjer te Marksi? Përgjigjja kërkon gjakftohtësi, paanësi, mungesë mllefi. Duke qenë ithtarë të botës së letrave, ne, shkrimtarëve, na lejohen ndoshta më shumë se të tjerëve referencat nga bota e letërsisë. Në këtë rast, kemi të drejtë më shumë, ngaqë qysh në krye të Manifestit komunist, Marksi i qaset vetë këtij përfytyrimi, duke e identifikuar njëfarësoj veten e tij me Fantazmën shekspiriane. Ashtu siç u shfaq ajo në pirgjet e kështjellës daneze, Marksi, në kullën e Evropës, shpall kumtin e “fantazmës së komunizmit”. Kumti dhe programi janë të ngjashme: shpallet një krim, kërkohet vënia në vend e padrejtësisë. Krimi është bërë prej borgjezisë, kundër proletariatit botëror, rrjedhimisht kërkohet revanshi i tij: përmbysja e borgjezisë, vendosja e diktaturës së proletariatit.
Ky është thelbi. Dhe pyetja tani bëhet më e rrokshme: faji i komunizmit ka lidhje me thelbin, me rrënjët, apo me ato që ndodhën më pas, me degët?

* * *
Pyetja e vjetër, t’i besojmë apo mos t’i besojmë kumtit të fantazmës (të çdo lloj fantazme që shfaqet në jetën tonë), te Marksi merr një përgjigje të qartë. Analiza që i bën ai kapitalit, pra anketa e krimit, është e saktë dhe e besueshme. Problemi shfaqet fill pas saj.
Te kështjella daneze fantazma mesjetare, duke i kërkuar Hamletit marrjen e hakut (e bashkë me të përmbysjen e uzurpuesit, etj. etj. ) nuk harron t’i japë hakmarrësit një porosi themelore. Ajo i kërkon atij të jetë i përmbajtur në revansh.
Ideja nuk është e re. Nuk është as e Shekspirit, as e Saxo Grammaticus, tek i cili dramaturgu u mbështet, e as te sagat islandeze, ku u mbështet Saxo. Ideja është e vjetër sa bota. Përmbahu! Mos e tepro hakmarrjen. Këtë porosi e gjen në maksimat, gojëdhënat, rrëfimet, kodet zakonore, kronikat poetike të shumicës së popujve. Atë e gjen në themelin e poemave homerike, në tragjedinë antike, madje në rrënjët e qytetërimit grek. (Zotat e Olimpit i ndëshkuan grekët, kur ata e tepruan revanshin e tyre ndaj trojanëve). Ka qenë dhe mbetet një nga idetë më emancipuese, që ka prodhuar njerëzimi në të gjitha kohërat.
Është e mundur që Karl Marksi, njeriu që gjithë jetën u mor me çështjen e përmbysjes së rendit borgjez dhe zëvendësimin e tij nga diktatura e proletariatit, të mos e njihte këtë ide? Të mos i shkonte mendja asnjëherë se kjo përmbysje klasash, më e madhja, më rrënjësorja në historinë e botës, do të shoqërohej nga përrenj gjaku, nga shkallmime, tmerre e mllefe hakmarrëse të papara kurrë ndonjëherë në këtë planet?
Përjashtohet çdo hamendje që Marksi të mos e dinte, atë që e dinte çdo rapsod i pashkollë, e shumica e gjysheve që me përralla i vënë në gjumë vocërrakët. Nuk është rrjedhojë e asnjë pezmi, por rrjedhojë e logjikës, mendimi se Marksi e dinte, por ai parapëlqeu të mbyllte sytë e ta linte të kryhej ajo llahtarë.

* * *
Disa paragrafë, që mezi gjenden në veprën e tij e ku Marksi shtron, më në fund, këtë “problem” (hakmarrjen e tepruar), në vend që ta lehtësojnë, e rëndojnë më keq. Naiviteti i tyre është ulëritës, për të mos përmendur një shprehje më të rëndë. Kuptohet që larg se ato paragrafë janë shkruar sa për të larë duart, si Pilati. Në ato paragrafë ai, më në fund, ia jep porosinë klasës punëtore, që të përmbahet në revanshin e saj. Por porosia është fund e krye e rreme. Sipas Marksit, proletariati i zemëruar nuk duhet të shfrejë dufin e tij kundër ndonjë duzine miliarderësh, që mbajnë çelësat e kapitalit. Gjithmonë sipas Marksit, kjo tufëz miliarderësh duhet të veçohen në një ishull, ku të ngrysin të qetë ditët e tyre!
Është vështirë të mos bësh pyetjen: Herr Marks, vërtet kaq naiv keni qenë, sa të mos e dinit se, kur një rend botëror kapitalist përmbyset nga themelet në kulm, nuk janë vetëm një duzinë miliarderësh, por miliona zyrtarë e shërbyes të këtij rendi, aradha të tëra oborrtarësh, bankierësh, gjykatësish, klerikësh, tregtarësh, policësh, nëpunësish, fermerësh, artistësh, ushtarakësh, kodoshësh etj. etj., që do të jenë në shënjestër të urrejtjes e të hakmarrjes?
Se do të ndodhte ajo që ndodhi në të vërtetë në të gjitha vendet komuniste, ku dhjetëra miliona fate njerëzish u përmbysën nga uragani i urrejtjes klasore.
Jo disa paragrafë të humbur, por pjesën themelore të veprës së tij Karl Marksi duhej t’ia kushtonte porosisë, që jepte fantazma daneze dikur. Një “manifest i dytë komunist”, ai që do të duhej të fillonte me fjalët se “një fantazmë hakmarrëse do të vërtitej në Evropë, pas fitores së proletariatit, etja e revanshit pa fré”, ishte i domosdoshëm.
Me atë shpallje të dytë të programit të tij, Karl Marksi, në mos do të shmangte gjithë krimet e ardhshme, së paku do të shpëtonte një pjesë të njerëzimit nga furia e revanshit të verbër. Dhe historia e “tjetrit” do të ishte ndryshe.

16 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›