Prozë me ndriçim optimist
(Refleksione rreth tregimeve të Miri Dhramit)
Majlinda BASHLLARI
Gjithmonë kam besuar se e vërteta, ashtu si arti apo dashuria, është indiferente. Pak rëndësi ka si e shohim ne, në ç’marrdhënie hyjmë me të, ajo mbetet gjithnjë e tille: një entitet që ekziston në vetvete dhe që, herët a vonë, të imponohet
Shkurtin që shkoi, krejt rastësisht, lexova për herë të parë një prozë nga Miri Dhrami. E kam shumë të vështire të shijoj përmes internetit letërsinë në përgjithësi dhe sidomos prozën. Qofsha e gabuar, por leximet në ekran shkatërrojnë mënyrën e të lexuarit dhe atë ndjesi mistike, që ta fal vetëm letra.
Më la një përshtypje të çuditshme, jo se aty thuheshin gjëra të jashtëbotshme. Ishte diçka që lidhej me frymëmarrjen. Ishte sikur, befas, të kishe mbërritur mbi një shkëmb, diku në bregdet dhe bluja e thelle dhe drita e diellit hynin qetësisht e pa bujë në mendjen e lodhur nga trafiku që s’merr fund kurrë, pluhuri i rrugës dhe i shpirtrave, me te cilët japim e marrim në jetën e përditshme.
Asnjë subjekt i jashtëzakonshëm, asnjë personazh që mrekullisht shpëton fshatin a botën. Asgjë prej supermeni apo, për me keq, skizofreni a trishtim i dalëboje. Një frazë ku mendimi krijon tension të pandërprere, deri ku vihet pika e fundit. Një curril i hollë drite që nuk te ndahej. Kisha harruar kur ishte hera e fundit që kisha parë një ndriçim kaq të thjeshtë e optimist në një vepër letrare. Në gjithë këto vitet e fundit një gri ku e zbehtë e ku e errët, dukej se ish shkrirë përfundimisht me ekzistencën dhe e pata pranuar pa luftë, si një natyre të dyte. Pothuaj si pranon një binjak të ndajë, edhe kur nuk ka dëshirë, çdo gjë me binjakun tjetër.
Kaq, dhe disa javë më vonë pata në duar librin e tij “Një fizarmonike mes malesh”.
Më tepër se kënaqësia e thellë estetike, që po merrja e që sinqerisht nuk e kisha pritur, më ngazëllente shpresa, që me duhet ta pranoj se m’u ngjit pikërisht nga disa personazhe të librit, pra një ndjesi gëzimi se ende mund te shkruhet letërsi e shëndetshme. Edhe një herë mendova se bota, jeta, elementet fizike dhe shpirtërore janë percepsione më tepër individuale, sesa të grupit. A nuk është e tillë edhe pavdekësia, pra krejtësisht përjetim personal dhe qe arrihet vetëm kur i je dorëzuar pa kushte, të themi për shembull, dashurisë?
Tregimi i parë, që lexova nga libri, ishte “Traktori”. Një rrëfim i drejtpërdrejtë dhe njëkohësisht provokativ. Sepse arti i mirë nuk mund të jetë ndryshe. Gjatë gjithë kohës mendimi punonte paralel me frazën që lexohej, e njëkohësisht shijonte lojën e ironisë së autorit apo të autosarkazmës së personazheve. Madje, tani që po e shkruaj këtë frazë, mendoj se kjo, pra autosarkazma, është pikërisht një nga armët me të forta të prozës së Dhramit. Humori i hollë, naiviteti në dukje, një sinqeritet çarmatosës, janë mjete që përgatisin ta çojnë fabulën drejt konfliktit të pashmangshëm dhe, më në fund, drejt mbylljeve krejt të papritura.
Më pas, lexova të gjitha tregimet e tjera, në intervale, për të absorbuar qetësisht lëndën, për të ndare çfarë ishte origjinale dhe çfarë pasojë e substancës letrare të injektuar. Kush ka lexuar “Fiku i ëmbël mbi rruge”, “Jakopsi”, “Lëkuraxhiu dhe hija” etj, e pamundur të mos pranojë se është një libër i shkëlqyer, origjinal dhe i paharrueshëm.
A është perfekt? Shpesh, shkëlqimi nuk ka të bëjë me perfeksionin. Sepse gjërat perfekte ndodh të jenë të harrueshme. Sot shkruhet shumë dhe lexohet pak. Por libri i mirë mbetet diku në kujtesë, si një kristal i vogël drite që shkëlqen më tepër kur përreth errësohet.
Në njëfare mënyre, ne të gjithë kemi diçka pagane: adhurimin ndaj fjalës. Që ishte e para. Më parë se drita e gjithë zotat e tjerë.
16 Mars 2009