Godo, mirënjohje Italisë për ndihmën e dhënë në tragjedinë e Gërdecit
Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, i dorëzoi ambasadorit italian, Sabba D’Elia, një certifikatë mirënjohjeje për ndihmën e dhënë të lënduarve në tragjedinë e Gërdecit një vit më parë. Me anë të kësaj certifikate, Ministria e Shëndetësisë vlerësoi gatishmërinë dhe punën e Ambasadës Italiane në transportimin për kurim në Itali të disa të lënduarve. Nga tragjedia e ndodhur në fshatin Gërdec humbën jetën 26 persona, ndërsa rreth 200 të tjerë mbetën të plagosur. Një pjesë e pacientëve u dërguan për kurim në spitalet italiane, ku ishte dhe numri më i madh i pacientëve dhe ato greke. Në këtë takim u rifreskua edhe një marrëveshje me 18 projekte, nënshkruar dy vjet më parë, por që deri tani kishte mbetur në letër. Ndërsa ambasadori italian, Sabba D’Elia, u shpreh se bashkëpunimi mes dy vendeve do të jetë i vazhdueshëm dhe se ndihma e shtetit italian në fushën e shëndetësisë do të përqendrohet aty ku nevojat janë më urgjente.
16 Mars 2009