Nuk deklaroi pasurinë, ILDKP kallëzon ish-deputetin
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive kallëzoi penalisht kryetarin e Komunës së Kolshit, Qarku i Kukësit, Abedin Oruçi, për fshehje të pasurisë në shifrat mbi 30 milionë lekë të reja, si dhe ish-deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, Hajrulla Paturri për “refuzim për deklarim të interesave private”. Pas kontrollit të ushtruar nga ILDKP ndaj subjektit Abedin Oruçi, rezultoi se në vetëdeklarimet e tij pranë ILDKP, zyrtari lokal nuk ka pasqyruar: tri objekte banimi, me sipërfaqe totale ndërtimi 1020 metër katror; troje me sipërfaqe të përgjithshme 3614 metër katror; si dhe një pikë karburanti, të gjitha në territorin e Qarkut të Kukësit. Të dhënat janë zbuluar prej informacioneve të mbërritura nga ALUIZNI, ku subjekti ka dorëzuar dosjen për legalizimin e objekteve të ndërtuara në mënyrë informale, si dhe nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Kukës. Pas konstatimit të parregullsive, Inspektorati i Lartë i kërkoi subjektit Oruçi të paraqiste sqarimet e tij mbi objektet e padeklaruara, gjë e cila u refuzua prej tij. Në opinionin e ekspertit vlerësues, vlera e ndërtimeve të padeklaruara në Inspektoratin e Lartë nga kryetari i Komunës Kolsh është 31.413.017 lekë të reja, shumë, e cila për më tepër, nuk justifikohet nga të ardhurat e subjektit ndër vite. Sakaq, subjekti Paturri, në dijeni të plotë të detyrimit për deklarim të interesave private brenda 15 ditëve “pas largimit nga funksioni”, parashikuar nga neni 15/7 i ligjit nr. 9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i njoftuar zyrtarisht nga Kuvendi i Shqipërisë dhe i komunikuar drejtpërdrejtë nga Inspektorati i Lartë, nuk ka përmbushur ende detyrimin ligjor. Në muajin nëntor 2009, ILDKP ka vendosur masën administrative “gjobë” ndaj ish-zyrtarit për “vonesë në deklarim”, fakt i cili është bërë publik në media. Pavarësisht këtyre masave, subjekti ende nuk ka dorëzuar deklaratën e interesave private, duke konsumuar elementët e veprës penale “refuzim për deklarim...”.
#