E Shtunë, 31 Tetor 2026

DUHET TA BESOJME? JO, DUHET TA LARGOJME

Intervista e së enjtes mbrëma e kryeministrit ishte një routine e plotë. I njëjti kryeministër, i njëjti patos i pakonsumuar prej betejave politike e prej viteve që rrjedhin, e njëjta kapardisje, e njëjta studio në të cilën ai shfaqet, i njëjti zell gazetaresk për ta kapur gafil, i njëjti stil përgjigjesh që e ka burimin tek i njëjti stil komunikimi i vetë Berishës ("ju më pyesni për çfarë të doni, e unë ju përgjigjem si të dua" - kjo është fraza më e dashur që ai e përmend vend e pa vend, krejt i bindur se me këtë thotë një gjë veçanërisht inteligjente), e kështu me radhë. E vetmja gjë e panjohur për ne ishte qëndrimi ndaj ish-ministrit të tij të Kulturës (nuk ishte shprehur deri më sot lidhur me këtë gjë), por edhe në këtë mes nuk na dha asgjë të re. Tezat e tij ishin shprehur pikë për pikë dy ditë më parë nga Aleksandër Frangaj dhe nga Mesila Doda në po atë studio, në një debat tjetër. Bëri thjesht një shtesë: në këtë gjueti gazetareske "antikushtetuese", "Top Channel"-i është përdorur nga kryetari i PS-së në veçanti. Ǒështë e ç‘vete me këtë kryeministrin tonë! Vuan i shkreti prej një sindrome, për të cilën shkenca e psikologjisë analitike ende nuk ka dhënë ndonjë përkufizim të vetin (me sa di unë, të paktën): sulmon të tjerët bash lidhur me ato mëkate, të cilat ai - gjindja po se po - i lidh në mënyrë visherale me po atë. Sa më e madhe të jetë ndjesia për mëkatin e vet, aq më i madh është sulmi që u bëhet të tjerëve si bartës të të njëjtit mëkat. E gjithë kjo luan - me sa duket - funksionin e një ushtrimi apo seance ekzorcizmi. Kjo është arsyeja që ai ka akuzuar përherë të tjerët për korrupsion, për zhvatjen e pronave publike, për përdorim të mass-media-s, për vjedhje votash, për kontroll të institucioneve të pavarura. Nëse sindroma e përshkruar më sipër është vërtet ende e paemërtuar në shkencën e psikoanalizës, s‘do ishte keq të emërtohej sindroma "Berisha".

Por Sali Berisha tha megjithatë diçka interesante në ballafaqimin me gazetarët në studion e "Opinion"-it (në fakt, e përsëriti): "në rastin e një humbjeje në zgjedhjet e qershorit, do ta lë për fare partinë dhe politikën". Duhet besuar Berisha në këtë deklaratë? - më pyetën dy-tre miq të face-book-ut. Po, duhet besuar - u thashë atyre. E them dhe sot: ai duhet besuar kur thotë se do ta lërë partinë e politikën, nëse i humbet këto zgjedhje. Por ai nuk duhet besuar asnjë çikë e në asgjë deri në momentin e zgjedhjeve. Nuk duhet besuar, pasi me siguri do të bëjë çmos t‘i marrë këto zgjedhje. E nëse nuk ia del dot t‘i marrë, nuk është çudi t‘i prishë, e kështu do të ndodhemi në mes të një çorbe tjetër të madhe shqiptare. Nuk do të jetë çorbë si ajo e vitit 1997, por do të jetë megjithatë e atyre përmasave, sa të përfundojmë një copë herë (fjala vjen, një a dy ditë) në syrin e mass-media-s kontinentale apo botërore.

Berishianët, sa herë e dëgjojnë një skenar të tillë, bëhen nervozë, por në fakt ata janë të parët që e dinë se kapoja e tyre veç atje e ka mendjen; rrjedhimisht, bëhen nervozë jo prej dyshimit e paragjykimeve, me të cilat rrethohet kapoja i tyre, por prej klimës së vigjilencës që (synohet të) mbillet prej theksimit të skenarëve të tillë. Mirëpo, shqetësohen kot. Nuk vërehet në kampin opozitar ndonjë vigjilencë kushedi se çfarë. Të gjithë e kanë marrë lento-lento këtë histori; të gjithë të japin përshtypjen se besojnë që është e tepërt të dyshosh te Berisha, a thua se ky i fundit është një politikan i sapodalë nga inkubatori, e jo ai që bëri masakrën e votave në vitin 1996. Ou, po që atëherë ka rrjedhur shumë kohë - mund të thonë. Epo mirë, doni prova të freskëta? Shikoni atëherë atë që ndodh brenda Partisë Demokratike, ku pikërisht ngaqë ka kandiduar Besnik Mustafaj, armiku më taze i Berishës, zgjedhjet në Tiranë janë shtyrë për pas zgjedhjeve parlamentare në kundërshtim me çdo normë statutore.

Shkurt hesapi, është e sigurt që Berisha do të largohet nëse humb zgjedhjet, por deri atëherë na duhet, jo vetëm të mobilizojmë si asnjëherë tjetër të gjitha vullnetet e energjitë elektorale opozitare, por edhe të jemi vigjilentë. Është më mirë të paditemi sot si njerëz hipokondriakë, se sa të paditemi nesër si leshko. Nuk ka gjë më legjitime e më të udhës se sa të dyshosh te Sali Berisha (kështu që qasja "hipokondriake" është e kuptueshme), dhe në të njëjtën kohë nuk ka gjë më budallaqe se sa t‘i besosh symbyllazi një kinse shtendosjeje të klimës politike e një pamjeje kinse "appeased" të kryeministrit. Sjellja konfidente e opozitës në marrëdhëniet me mazhorancën është një gjë që meriton duartrokitje në rrethana e në vende të tjera, por në rrethanat e sotme shqiptare do të ishte e pafalshme. Sali Berisha nuk duhet besuar; ai duhet larguar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›