E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gazetaria hetimore dhe kamerat e fshehta

Në Kodin e Etikës së gazetarëve shqiptarë thuhet se, gazetari nuk duhet të prezantohet me një identitet tjetër, nuk duhet të përdorë kamerat e fshehta, nuk duhet të... etj..., me përjashtim të rasteve kur kemi të bëjmë me "interesin publik". Meqë rastet që përbëjnë interes për publikun shpesh ngatërrohen me rastet interesante për publikun, në Kodin e Etikës është përcaktuar se çfarë përbën interes publik:

- Mbrojtja e interesit të publikut dhe sigurisë së tij;

- Gjetja, ekspozimi, ose parandalimi i një krimi, skandali apo shpërdorimi me pushtetin;

- Mbrojtja e publikut nga çorientimi.

Në rastin e "Fiks Fare", përballë ish-ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, shqetësimi është për "dhunimin" e banesës dhe përdorimin e kamerave të fshehta.

Një nga armët e gazetarisë hetimore është fshehtësia. Vetëm duke u maskuar mund të arrish të depërtosh përtej murit të abuzimit dhe hipokrizisë. Vetëm duke u maskuar mund të nxjerrësh në dritë abuzimet, të fshehtat dhe gënjeshtrat, vetëm duke u maskuar mund të zbulosh maskën e atyre që abuzojnë me ligjin dhe shkelin me të dyja këmbët interesat e publikut.

Në historinë e gazetarisë ka shembuj të shkëlqyer të veprimit në fshehtësi, që kanë nxjerrë në dritën e diellit abuzimin me pushtetin dhe veprime kriminale. Të kërkosh të bësh gazetari hetimore pa elementin e fshehtësisë, pa kamerat e fshehta, është njëlloj sikur t‘u kërkosh kuzhinierëve më të mirë të të bëjnë omletë pa thyer vezën.

Por ajo që ngatërrohet, me apo pa dashje, është frika se mos kamerat e fshehta do të na futen gjithkund dhe do të dhunojnë vetjakësinë e çdo individi. Në thelb të punës së gazetarit nuk është qytetari, por zyrtari. Zyrtarët, aq më tepër ata që zgjidhen apo kërkojnë të zgjidhen, kanë shumë më pak hapësirë për vetjakësi. Kjo është aksiomë e pranuar. Askush nuk ka vënë shenjën e barazimit mes vetjakësisë së një qytetari dhe një zyrtari.

Po ku janë kufijtë e gazetarit (hetimor)? Në dallim nga paparacët, gazetari hetimor nuk kënaqet me majën e dukshme të ajsbergut, por kërkon të padukshmen, nuk fotografon atë që e shohin të gjithë për t‘u zbavitur, por rrëmon aty ku nuk ta pret mendja për të gjetur të keqen. Kamerat e fshehta, gazetarët hetimorë nuk i përdorin për situata gazmore, por për të parë atë që zyrtari përpiqet ta fshehë nga mëngjesi deri në mbrëmje.

Ndodh jo rrallë që, sa më e qartë të jetë ngjarja, aq më të mëdha janë përpjekjet për ta mjegulluar. Gazetarët, që i paraqesin publikut një ngjarje ku nuk kemi informacion të pafaktuar, ku nuk kemi manipulim të së vërtetës, por zbardhje të saj, meritojnë jo vetëm duartrokitje, por edhe mbështetje.

Publiku dhe qytetarët nuk kanë pse të kenë frikë nga gazetaria hetimore, sepse ajo punon në interes të tyre. Gazetaria hetimore nuk është një pistoletë që vret apo nxit vetëvrasje, por një forcë që kërkon ndryshim. Në shënjestër mund të jetë një individ, por qëllimi nuk është ai. Momenti harrohet dhe ia lë vendin tjetrit. Ajo që mbetet dhe mbahet mend është ndryshimi. Në rastin e ish-ministrit është e vërtetë se rezultati spektakolar ishte shkarkimi brenda pak minutash nga detyra, por rezultati i padukshëm është përpjekja embrionale për të hapur një debat të dhimbshëm, por të nevojshëm për përmasat e vërteta që ka marrë abuzimi me pushtetin. Rezultat i padukshëm mund të jetë zbritja me këmbë në tokë e zyrtarëve për të kuptuar se ka caqe që nuk mund t‘i kalojnë. Dhe se për abuzimin është vetëm çështje kohe se kur do të japësh llogari.

Është e vërtetë se kujdesi për të ushtruar gazetarinë hetimore duhet të jetë maksimal, për arsye se kjo lloj gazetarie favorizon instrumentalizimin, manipulimin dhe sensacionalizimin. Kujdesi duhet të jetë maksimal, sepse luan në një terren të rrezikshëm përballë ligjit dhe, nëse do të duhet të përballesh në gjykatë, nuk është ajo që ti di, por ajo që ti mund të provosh. Por sot nuk është koha për të folur për kujdesin që duhet të bëjnë gazetarët hetimorë apo emisione si "Fiks Fare". Duhet të bëjnë kujdes ata që ndodhen në anën tjetër të gardhit... Njerëzit me dhe në pushtet.

Gazetaria hetimore i bën një shërbim të madh jo vetëm publikut, por edhe vetë profesionit. Besimi i publikut te gazetarët rritet pas çdo skandali që sheh dritën e diellit. Qytetari fiton nga gazetarët hetimorë, sepse ai që ka marrë votëbesimin e tij, ai që duhet të japë llogari, (duhet të) trembet në kuptimin e plotë të fjalës se mos dikush, diku e ka vënë në përgjim, dhe pastaj vjen dita e dhënies llogari. Me një fjalë, dita e gjyqit (publik).

Një pyetje retorike: Nëse nuk do të ishin (përdorur) kamerat e fshehta, sa gjëra do t‘u fshiheshin syve të publikut? Kemi humbur apo kemi fituar nga kamerat e fshehta?


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›