E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndriçohet hyrja e kalasë së Gjirokastrës

Përfundon projekti i ndriçimit të galerisë hyrëse në kalanë mesjetare të Gjirokastrës me panelë diellorë. Galeria me arkade guri rreth 50 metra e gjatë, do të ndriçohet nga 20 llamba që përdorin fuqinë prej 1.7 kilovatësh, të prodhuar nga panelet e vendosura në tarracën e Kalasë. Kjo teknologji bashkëkohore arrin të sigurojë një ndriçim të plotë në hyrje, deri tani të errët e të pandriçuar. Mendohet se kjo është hera e parë në Shqipëri, e ndoshta edhe në Ballkan, që një monument kulture ndriçohet përmes kësaj teknologjie të së ardhmes, e cila prodhon energji alternative, pa ndotje apo siç quhet "e gjelbër". Galeria, ku anash saj ishin vendosur topat, deri më tani nuk ka pasur ndriçim, duke dhënë një atmosferë jo fort mikpritëse për vizitorët. Projekti i miratuar nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve pranë MTKRS u realizua përmes një bashkëpunimi të Organizatës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Gjirokastrës (GCDO) me programin "Global Environmental Facility" të Kombeve të Bashkuara. Ndriçimi i hyrjes është vetëm faza e parë e një plani ambicioz për ta kthyer këtë kala në një atraksion të rëndësishëm turistik jo vetëm për vendin tonë, por dhe për rajonin e Ballkanit. Mësohet se GCDO, në bashkëpunim me institucionet vendore, aktualisht po punon për të krijuar një muze në kala dhe, sipas parashikimeve, gjysma e energjisë që nevojitet për muzeun e ri do të prodhohet me këtë teknologji. Synohet që muzeu i ri, i cili mendohet të mbajë emrin "Kronikë në Gurë", gjë që ka marrë pëlqimin e shkrimtarit Ismail Kadare, të bëhet një fokus i vizitorëve vendas dhe të huaj që vizitojnë gjithnjë e më shumë "qytetin e gurtë", ku ata të njihen me trashëgiminë e jashtëzakonshme të Gjirokastrës dhe luginës së lumit Drino. Sipas planit synohet që muzeu të hapet në pranverën e vitit 2011.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›