E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspozitë për dialogun ndërkulturor

"Jetojmë së bashku" quhet ekspozita që do të hapet të martën, më datë 17 mars, në orën 18:00 në mjediset e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë nga Këshilli Britanik dhe Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Në qendër të ekspozitës me 60 fotografi do të jetë dialogu ndërkulturor në Evropë. Kjo nismë është në kuadër të Vitit Evropian të Dialogut Ndërkulturor të shpallur nga Këshilli i Evropës. Risia që sjell ekspozita është përfshirja në të e artistëve të rinj, të cilët kanë realizuar 20 punime nga 60 të paraqitura, duke sjellë në to këndvështrime të ndryshme. Punimet e artistëve të rinj të paraqitura në këtë ekspozitë janë më të mirat e përzgjedhura nga konkurse të ndryshme për të rinjtë, si Konkursi i Fotografisë Dixhitale, Konkursi i Fotografisë mes Shkolla dhe aktiviteti "Treasure Hunt" ("Gjej thesarin") i organizuar nga Këshilli Britanik në muajin nëntor 2008. Ekspozita "Jetojmë së bashku" është aktiviteti që mbyll projektin dyvjeçar të Këshillit Britanik në Evropën Juglindore. Ky projekt synoi të eksploronte dimensionet e shumta të dialogut ndërkulturor, duke punuar në disa sfera njëherësh, si në dialogun institucional, arsimin, etj., dhe së fundmi nëpërmjet artit të fotografisë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›