E Diel, 1 Nëntor 2026

Daçiq: Deshën apo jo serbët e veriut, marrëveshja do zbatohet

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq ka deklaruar se marrëveshja për normalizimin e raporteve në mes të Beogradit dhe Prishtinës do të zbatohet, edhe pse serbët e veriut të Kosovës nuk e pranojnë atë.

“Qeveria e Serbisë nuk ka se çka të negociojë me askënd. Ne kemi vendosur ta pranojmë atë marrëveshje dhe ajo do të zbatohet. Mbetet vetëm të shihet se si pasojat të jenë sa më të vogla për popullin, që të gjithë bashkë të merremi vesh,“ tha Daçiq për televizionin serb Pink.

Sipas tij, serbët e veriut të Kosovës më nuk janë për referendum, pasi e dinë se cili do të jetë rezultati, përkatësisht se marrëveshja do pranohet nga shumica e qytetarëve të Serbisë.

Ai tha se opsioni më i keq është që marrvëshja të pranohet e të mos zbatohet.

“Askush nuk ka të drejtë që këtë vend ta çojë edhe më tej drejt rënies. Marrëveshja nuk është kundër popullit, me të ruhen institucionet, vendet e punës për serbët. Nuk e kemi pranuar pavarësinë dhe as nuk kemi mundësuar anëtarësimin në OKB e OSBE. Tash po ecim ka vendimi final, meqë kjo është zgjidhje e përkohshme”, u shpreh Daçiq.

Një ditë më parë, përfundoi pa marrëveshje takimi i serbëve të veriut të Kosovës me kryeministrin dhe zëvendëskryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq dhe Aleksandar Vuçiq.

Serbët kanë kërkuar nga zyrtarët në Beograd që të vlerësohet kushtetutshmëria e Marrëveshjes së Brukselit dhe pastaj të mbahet referendumi.

Pritjet kanë qenë që serbët e veriut të deklarohen nëse përkrahin mbajtjen e referendumit rreth Marrëveshjes me Kosovën dhe nëse do të pranojnë zbatimin e saj, po qe se referendumi del pozitiv./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›