Daçiq, nesër dhe pasnesër konsultime me rusët

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë se Beogradi është i gatshëm që të bisedojë për vazhdimin e dialogut me Kosovën, pas kthimit të tij nga Moska, ku do të qëndrojë të mërkurën dhe të enjten.Daçiq ka thënë se gjatë ditës, së martë, nuk ka pasur kontakte me Brukselin rreth çështje së bisedimeve.
Gjatë një konference për media në Beograd, pas takimit me zëvendëskryeministrin e Belgjikës Didier Reynders, Daçiq ka shpjeguar se ku qëndrojnë mospajtimet me palën kosovare dhe BE-në.
“Pas kthimit tim nga Moska, ne jemi të gatshëm që të bisedojmë për vazhdimin e dialogut. Çështja kyçe është siguria, policia, gjyqësia – përfaqësimi etnik dhe vija e komandimit, çështja rregullimit të kuadrove në polici, pastaj që në veri të ketë njësi të përhershme të gjykatës së apelit si dhe një moratorium për praninë e ushtrisë së ardhshme të Kosovës”, ka thënë Daçiq, transmeton Express.
Gjatë ditës Express ka dërguar pyetje në adresë të zëdhënëses Maja Kocijançiq për të mësuar nëse Baronesha Catherine Ashton planifikon të ftojë përsëri zyrtarët e Kosovës dhe Serbisë për bisedime, por nuk ka pasur një përgjigje.
Ndërsa në një prononcim për mediat serbe, të hënën vonë, Kocijançiq as nuk ka pohuar as nuk ka mohuar mundësinë e vizitës së Ashton në dy kryeqytetet./Indeksonline/