E Diel, 1 Nëntor 2026

Daçiq, serbëve: Dilni në zgjedhje ose do t’iu udhëheqin “serbët e Thaçit”

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq ka deklaruar sot se është e rëndësishme që serbët e veriut të marrin pjesë në zgjedhje dhe të kenë një qasje të përbashkët në mënyrë që “serbët e Thaçit” të mos i udhëheqin ata.

Ai ka njoftuar se qeveria serbe do të vendos nesër apo pasnesër për tekstin e propozuar për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit.

Daçiq ka thënë se çështja e parë e draft propozimit është legjislacioni i cili duhet të ndryshojë në të dyja anët.
“Së pari do të formohet një grup pune i përbashkët në të cilin secila palë duhet të bëjë propozimet për ndryshimin e ligjit, afatet janë shumë të shkurtra për shkak se marrëveshja është e rëndësishme për tu zbatuar dhe ajo është e pamundur në qoftëse ligjet nuk ndryshohen”, citojnë mediet e Beogradit, Daçiqin.

Lidhur me bashkësinë e komunave serbe, Daçiq ka thënë se ajo duhet të konstituohet pas zgjedhjeve, të cilat do të mbahen në tetor.

Pika tjetër, tha ai është policia. “Nuk do të ketë afat kohor me të cilin duhet të kryhet integrimi në policinë e Kosovës, pastaj do të ngrihen grupe pune për të vendosur afatet dhe planet për integrimin e gjykatave dhe prokurorive”, deklaroi Daçiq.

Lidhur me zgjedhjet lokale, Daçiq ka thënë se do të ngritet një grup pune për të përcaktuar së bashku me OSBE-në, dispozitat rreth zgjedhjeve, kush ka të drejtë të marrë pjesë, listat zgjedhore etj.

Në fund, Daçiq ka shprehur optimizmin e tij se pas arritjes së marrëveshjes për planin e zbatimit, Serbisë në qershor do ti jepet drita jeshile për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›