E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dacic: Po e humbim Kosovën

Nga Express më 24 maj 2011 në ora 20:45

Zëvendëskryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, ka thënë se Serbia ngadalë po e humb Kosovën, duke bërë thirrje që sa më shpejt që është e mundur të ndërmerret diçka, që “dikur të mos bëhet vonë”.

“Nga dita në ditë po gjendemi në situatë të palakmuar. Rezoluta 1244 doli se është mashtrim. Ndërsa ne kemi respektuar kushtetutën dhe të drejtën ndërkombëtare, disa shtete të bashkësisë ndërkombëtare prapa shpine kanë pranuar pavarësinë e Kosovës”, ka thënë të martën Dacic në Beograd, raportoi Blic.

Duke theksuar se propozimi i tij për përkufizim të territoreve në të cilat jetojnë serbët dhe shqiptarët, ndoshta nuk është më i mirë, Dacic ka thënë se deri te zgjidhja mund të arrihet nëpërmjet dialogut.

Ai ka shtuar se është në interesin e popullit serb e shqiptar që të bëhet ky kufizim i jetës së qetë të njërit pranë tjetrit, porse nuk beson se shqiptarët do ta pranojnë një propozim të tillë.

“Pse do ta pranonin, kur mund ta marrin gjithë Kosovën? Por, nga ana tjetër deri kur bashkësia ndërkombëtare do të flasë se ky propozim nuk është i mirë, meqë shqiptarët nuk e pranojnë. Bashkësia ndërkombëtare dëshiron paqe dhe jo fshehjen e gjërave nën rrogoz”, ka thënë Dacic.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›