Daçiç: Zgjedhjet lokale në Kosovë pa simbole shtetërore
Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç thotë se mbajtja e zgjedhjeve lokale në Kosovë është e pranueshme vetëm nëse ato janë neutrale ndaj statusit, pra pa simbole shtetërore dhe se Beogradi është i interesuar që serbët të marrin pjesë në to, por duket se pala e Prishtinës për këtë nuk është shumë e interesuar.
Në një intervistë për televizioni serbe B92 Daçiç tha se ka biseduar me ambasadorët e 5 vendeve të Quintit dhe të Komisionit të BE në Beograd lidhur zgjedhjet lokale në Kosovë dhe nga ata ka kërkuar që të ushtrohet trysni mbi Prishtinën që ta respektojë marrëveshjen e Brukselit dhe në procesin zgjedhor të 3 nëntorit të mos i përdorë simbolet shtetërore.
“Për ne është e papranueshme që të plotësohen formularët ku qëndron stema e Republikës së Kosovës” tha kryeministri serb.
Sipas Daçiç, KQZ në Kosovë dëshiron që me anë të materialit zgjedhor të prezantojë shtetin.
“Jemi të interesuar për dalje në zgjedhje, por nuk jemi të kënaqur me trysninë e bashkësisë ndërkombëtare mbi palën tjetër”, ka thënë Daçiç dhe shtoi se duket se pala shqiptare nuk është shumë e interesuar që serbët të dalin në zgjedhje.
Kryeministri serb ka theksuar se nga zgjedhjet lokale del Bashkësia e komunave serbe që sipas tij ato paraqesin pushtetin zyrtar të serbëve në Kosovë të cilin deri më tani e kanë cilësuar si ilegal apo paralel, dhe ai pushtet do të ketë njohje ndërkombëtare.