E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dade: Ligji i Dosjeve, rrezik për integrimin e Shqipërisë në BE

Deputetja e PS, Arta Dade në fjalën e saj dje në kuvend, është ndalur tek ligji i dosjeve i miratuar me votat e thjeshta të mazhorancës, duke cituar dhe thënien e ambasadorit të huaj në Tiranë, Robert Bosch, i cili u shpreh se Shqipëria po bën një hap prapa në integrimin evropian. Kjo maxhorancë, u shpreh Dade ka shkëputur në mënyrë të vullnetshme, të gjitha urat e komunikimit dhe dialogut me partnerët tanë, sa i përket këtyre çështjeve, duke u mbyllur në vetvete dhe duke marrë një qëndrim që do t'i shkonte një regjimi autoritar dhe izolacionist, por jo një demokracie të re që synon integrimin në Europë dhe në botë. Nga ana tjetër, theksoi dade besoj se kjo mungesë totale e vullnetit për të reflektuar dhe bashkëpunuar me ata që na asistojnë në rrugën tonë drejt BE-së dhe NATO-s, përbën një rrezik jo të vogël për fatet dhe rrugën që do të marrin proceset demokratike në Shqipëri. Dade u shpreh se Shqipëria s'mund t'ia lejojë më vetes koston e një politike të tillë që sot, në fundin e dekadës së parë të këtij mijëvjeçari, është tërësisht jashtë kohe dhe joproduktive. Vendi ynë, theksoi Dade nuk mund të kërkojë më të ketë standardet e tij hibride të demokracisë, që bien ndesh me normat dhe formatin ndërkombëtar të lirive. Qeveria dhe votat e saj në parlament, vijoi deputetja Dade, nuk mund të na izolojnë nga flukset dhe tendencat demokratizuese, vetëm për hir të ruajtjes së pushtetit politik të kryeministrit dhe të kontrollit prej tij të institucioneve të shtetit dhe të drejtësisë. Shqipëria nuk është pronë e asnjë familjeje dhe as çiflig i interesave të pjesshme të ndokujt që kërkon të shpëtojë veten duke kapur shtetin,- tha Dade. Nga kjo situatë nuk ka se si e shpëton Kryeministrin dhe Ministrin e Gërdecit as mëngjesi i lutjeve, ku kanë vajtur të falen për ato që nuk ia fal dot as populli i vet,- u shpreh Dade.

Email This Klikime: 7

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›