Ulqini: Shqiptarët më të varfër se kurrë
Deputeti i PS, Musa Ulqini në fjalën e tij dje në kuvend u shpreh se mediat e shkruara dhe ato elektronike çdo ditë e më shumë në faqet dhe programet e tyre sjellin fakte dhe dëshmi tronditëse për varfërinë të ngjashme me skenat Migjeniane të viteve '30 të shekullit të kaluar. Varfëria në rritje e shqiptarëve, u shpreh Ulqini jo vetëm është denoncuar vazhdimisht nga opozita si njëri prej premtimeve elektorale më demagogjike dhe më të pambajtura nga qeveria Berisha, por ajo është bërë pjesë e shumë sondazheve publikimeve dhe raporteve të institucioneve të pavarura shqiptare dhe ndërkombëtare të cilat publikojnë të dhëna, shifra dhe fakte tronditëse për varfërinë në Shqipëri.
Në dhjetor 2008 të dhënat e publikuara nga Eurostat e klasifikojnë Shqipërinë si vendi më i varfër në Evropë. Instituti Evropian i statistikave thekson se shqiptarët janë sot kundrejt evropianëve edhe më të varfër sesa ishin ata në vitin 1910,- deklaroi Ulqini. Ai tha se rritja e mirëqenies së qytetarëve dhe lufta kundër varfërisë janë beteja që qeveritë demokratike nuk i kanë fituar ende në vende shumë herë më të zhvilluara se Shqipëria. Askush në Shqipëri nuk mund të pohojë se beteja me varfërinë mund të fitohet lehtë, shpejt apo me një mandat qeverisës. Për shkaqe të njohura dhe të ditura, vijoi ai, Shqipëria do ta ketë luftën kundër varfërisë një sfidë të vërtetë, që nuk duhet të fshihet, që duhet njohur dhe që duhet të përballohet jo me demagogji por me një angazhim të jashtëzakonshëm përmes masave komplekse që në thelbin e vet kanë të bëjnë me politika të mira qeverisëse. Por ajo që është e papranueshme dhe revoltuese kur flitet për varfërinë në Shqipëri është raporti që ka me të qeveria dhe veçanërisht kryeministri i saj Sali Berisha,- tha Ulqini. Ai nënvizoi se përballë mjerimit në rritje të mijëra shqiptarëve, kryeministri Berisha deklaron publikisht se njerëzit gjithnjë e më shumë nuk e thërrasin me mbiemrin e tij por e quajnë Sali Bollëku. Përballë numrit dramatik të vetëvrasjeve për shkaqe ekonomike, kryeministri Berisha deklaron se: "Programi social për njerëzit në nevojë i iniciuar nga ai dhe qeveria e tij është më i madhi në historinë e këtij vendi,- tha Ulqini. Ai vijoi se përballë faktit se sot 1 ndër 5 shqiptarë jeton në nivelin e varfërisë ekstreme, kryeministri Berisha deklaron se: "Shqipëria ka rritjen më të madhe ekonomike në kontinent. Të gjithëve na kujtohet dita kur në kulmin e fushatës elektorale, zoti Berisha u fut në një dyqan në Njësinë Bashkiake nr.2 Tiranë dhe duke tundur një fletore ku ishin shënuar emrat e qytetarëve që kishin marrë ushqim me listë deklaroi përpara mediave: "Edhe vetëm kjo fletore mjafton për tu thënë qeveritarëve socialistë se duhen larguar nga pushteti,- u shpreh Ulqini. Sipas tij, iniciativa e tij më e fundit për të ngritur një grup pune për të verifikuar familjet e varfra është pa dyshim një tallje tjetër e madhe me shqiptarët e varfër, të cilët numërojnë me padurim 143 ditët e mbetura për të ndëshkuar atë me votë.
Email This Klikime: 7
Email This Klikime: 7