Dade: Basha abuzoi me postin për qëllime politike
TIRANË- “Në një periudhë shumë të rëndësishme të proceseve integruese për Shqipërinë, por edhe për Kosovën, politika e jashtme është në dorën e një ministri të Jashtëm, i marrë si i pandehur për shkak të abuzimit me detyrën, me shuma të mëdha, në mënyrë të paligjshme”. Ky është shqetësimi që ngre Partia Socialiste përmes Sekretares së Marrëdhënieve me Jashtë në PS, Arta Dade. Kjo e fundit ka deklaruar dje përmes një konference për shtyp se Kryeministri, Sali Berisha, duhet të kishte zëvendësuar prej kohësh drejtimin e Ministrisë së Jashtme, pasi tanimë, sipas Dades, Lulzim Basha nuk mund të përfaqësoje më shqiptarët në marrëdhëniet ndërkombëtare. “Kryeministri Sali Berisha duhet ta kishte zëvendësuar këtë ministër prej kohësh, sikurse edhe opozita ka kërkuar, sepse ky ministër nuk mund të na përfaqësojë të gjithëve. Ai duhet të ishte zëvendësuar me një figurë të denjë dhe dinjitoze, në mënyrë që të ulej si i barabartë me gjithë homologët e tij për çështje shumë madhore të Shqipërisë dhe Kosovës”,- tha dje Dade. Dy ditë më parë, ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, nga selia e Ministrisë së Jashtme deklaroi se procesi ndaj tij ishte krejtësisht politik dhe që, sipas tij, kompromentonte detyrimet ligjore të prokurorisë shqiptare para Kushtetutës, ligjeve të vendit dhe shtetit ligjor. Basha nuk hezitoi nga selia e Ministrisë së Jashtme që të sulmonte ashpër organin e akuzës, gjë që jo vetëm është kundërshtuar nga PS-ja, dhe sërish dje nga Arta Dade, por kjo e fundit, ka deklaruar gjithashtu se Basha abuzoi me detyrën, duke përdorur podiumin e Ministrisë së Jashtme. “Ministri i Jashtëm i Shqipërisë dje ka kryer një abuzivizëm tjetër me detyrën, ai ka përdorur podiumin e Ministrisë së Jashtme, të asaj ministrie që përfaqëson interesat e shtetit, për të sulmuar opozitën dhe për ta shitur çështjen ordinere ku është i përfshirë, si çështje politike. Do të kishim dëshiruar që ministri i Jashtëm të largohej dhe të mos abuzonte me patriotizmin, sepse diplomacia që ai drejton tashmë është e penguar për të kryer atë detyrë fisnike që i parashikohet me kushtetutë dhe konform legjislacionit”,- tha Dade. Sekretarja e Marrëdhënieve me Jashtë kërkoi që, ministri i Jashtëm të largohet një orë e më parë dhe të paraqitet pranë organeve kompetente. “Tashmë nuk ka më asnjë iluzion dhe shqiptarët po binden çdo ditë, se kjo është qeveria më e paaftë dhe e korruptuar e të gjithë tranzicionit dhe, padyshim që Lulzim Basha është një nga figurat më përfaqësuese të këtij korrupsioni dhe paaftësie, që nis nga zyra e Sali Berishës”,- tha Dade.