Imuniteti, pikat e negociatave PD e PS
PD-ja pranon paraprakisht rekomandimet e EURALIUS-it dhe OPDAT-it për kufizimin e imunitetit
TIRANË- E vetmja pikë, në të cilën dy partitë kryesore në vend, PD-ja e PS-ja, kanë rënë paraprakisht dakord për kufizimin e imunitetit, lidhet me hetimin e deputetëve nga Prokuroria, pa qenë nevoja e marrjes më parë të pëlqimit të Kuvendit. Madje, një gjë e tillë do të realizohet përmes ndryshimit kushtetues, e konkretisht nenit 73 të saj dhe jo një ligji të veçantë, i pretenduar kohë më parë nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike. Gjithçka tjetër, që përfshin edhe heqjen e imunitetit të kategorive të tjera krahas deputetëve, është në proces reflektimi, kryesisht nga Partia Socialiste. Burime nga PD-ja deklaruan dje për gazetën se selia blu ka rënë parimisht dakord që të marrë në konsideratë të gjitha rekomandimet e OPDAT-it dhe EURALIUS-it, lidhur me kufizimin e imunitetit të deputetit dhe kategorive të tjera. Madje, PD-ja duket se është dakord edhe për rastet se “kur bëhet fjalë për kufizimin e imunitetit, është tepër e rëndësishme që të gjitha teknikat e hetimit, duke përfshirë mbikëqyrjen dhe kontrollet, të jenë të lejueshme pa autorizim”, rekomandim i EURALIUS-it (Misioni Evropian i Asistencës për Sistemin e Drejtësisë në Shqipëri). Sipas këtij misioni, trajtimi i diferencuar i këtyre teknikave nuk do ta zgjidhte problemin. Madje EURALIUS-i dhe OPDAT-i rekomanduan që, ndërhyrjet në imunitet, të preknin edhe nenet 73 (deputetët), 126 (gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese) dhe 137 (të gjithë gjyqtarët e tjerë), rekomandime, të cilat deri diku, janë mbështetur edhe nga PD-ja, me argumentin se zyrtarët e lartë nuk duhet të dallojnë nga populli, por që për secilin rast duhet kaluar në amendamente konkrete. Pra, Kushtetuta e Shqipërisë u jep imunitet nga procedimi penal të gjithë gjyqtarëve, deputetëve dhe ministrave, Avokatit të Popullit, si dhe Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Procedimi penal i kategorive të mësipërme bëhet me miratimin e Kuvendit. Kjo vlen edhe për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa për gjyqtarët e tjerë bëhet me miratimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. E gjitha sa më sipër është në një proces reflektimi nga dy partitë (kryesisht nga PS-ja), ku nuk mund të jepet ende një përgjigje se kur do të ketë rezultate konkrete, porse mësohet se, PD-ja e PS-ja po punojnëpër të arritur në një paketë të përbashkët dhe tepër të rëndësishme për nga përmbajtja e saj. Edhe EURALIUS-i dhe OPDAT-i kanë rekomanduar që ndërhyrjet e duhura në Kushtetutën e sotme të Shqipërisë, duhet të shoqërohen nga një proces konsultimi i planifikuar me kujdes dhe me përfshirjen e të gjitha palëve të duhura. Për përgatitjen e një drafti të përbashkët, që do t’i hapte rrugë rishikimit të Kushtetutës, është ngritur edhe grupi i punës, i përbërë nga Ylli Bufi, i PS-së dhe Ilir Rusmali, i PD-së, të cilët tregohen mjaft të rezervuar për t’u shprehur rreth kësaj çështjeje, deri sa të ketë rezultate konkrete.