E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dade: Berisha bashkëpunoi me kriminelë për zgjedhjet

Berisha ka bashkëpunuar
me krimin gjatë zgjedhjeve.
Deklarata vjen
nga Partia Socialiste, pak
kohë pasi Kryeministri zhvilloi
një takim me punonjës të Policisë
së Shtetit. Sekretarja për marrëdhëniet
me jashtë në këtë parti,
Arta Dade, tha se PS-ja ka prova
që e lidhin kreun e mazhorancës
me krimin, të dhëna të cilat ua ka
dërguar edhe ndërkombëtarëve.
Dade denoncoi lirimin e kriminelëve
gjatë kohës së zgjedhjeve,
me qëllim që ata të ndihmonin
qeverinë gjatë fushatës. "Tragjedia
e Durrësit është shprehja më
alarmante e kalbjes së shtetit në
duart e një pushteti të korruptuar
e të inkriminuar. Berisha të japë
llogari për bashkëpunimin me
krimin gjatë zgjedhjeve dhe lirimin
e dhjetëra kriminelëve nga
burgjet me leje të paligjshme për
të ndihmuar qeverinë në një fushatë
të pashembullt presionesh
ndaj opozitës", tha Dade. Sekretarja
për marrëdhëniet me jashtë
në PS, Dade, siguroi se ekzistojnë
prova për të cilat janë vënë në
dijeni edhe ndërkombëtarët.
"Ne disponojmë prova dhe fakte
rrëqethëse, që ua kemi bërë të
ditura partnerëve ndërkombëtarë
dhe do ia bëjmë të ditura
edhe opinionit publik shqiptar
për bashkëpunimin konstant të
këtij pushteti me krimin", vërejti
zyrtarja e lartë e PS-së. Ndaj,
sipas saj, Berisha nuk mund të
fshihet, pasi pushteti i tij buron
nga bashkëpunimi me persona
të rrezikshëm. "Sali Berisha nuk
mund të fshihet pas sakrificave
të uniformave blu dhe thirrjet e tij
për tolerancë zero janë pa asnjë
kuptim pas bashkëpunimit të tij
me të dënuar të rrezikshmërisë së
lartë për ta mbajtur një pushtet
që nuk buron nga vota e lirë e
popullit, por nga deformimi i plotë
i saj", vërejti Dade. Lidhur me
ngjarjen e Durrësit, ku humbën
jetën katër punonjës të Policisë së
Shtetit, kreu i PS-së ka bërë të ditur
se ngjarje të tilla kaq ekstreme
nxjerrin në pah dobësitë po kaq
ekstreme të një pushteti të kalbur
nga korrupsioni dhe të kthyer
thjesht në funksion të qëllimeve
dhe të nevojave të oborrit familjar
e klanor që sundon Shqipërinë
jashtë vullnetit të lirë të popullit
shqiptar. Ndërkohë që kjo parti
ka kërkuar zbardhjen e ngjarjes
dhe hetim nga ana e prokurorisë.
Sakaq, deputeti i PS-së, Piro
Lutaj, është shprehur se do t‘u
kërkojë strukturave të partisë që
të bëjnë objekt të punës së Parlamentit,
një komision hetimor
për ngjarjen. Katër punonjës të
Policisë së Shtetit humbën jetën
ditën e premte gjatë një aksioni,
ku u kap i shumëkërkuari Dritan
Dajti. Katër punonjësit u shpallën
Dëshmorë të Atdheut dhe
varrimi i tyre u bë te varrezat e
dëshmorëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›