E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryesia e PD-së, rrezikojnë përfaqësimin Mustafaj e Biberaj

Në Partinë Demokratike pritet të fillojë "gjuetia e shtrigave". Kampi blu mësohet se po përgatit strategjinë për të penalizuar anëtarët e Kryesisë së PD-së, të cilët nuk u përfshinë në listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e fundit. Rezultati i 28 qershorit i jep PD-së më shumë mundësi për të "prerë" kokat e pabindura që kanë sjellë oponencë në ditët para dhe gjatë fushatës. Duke iu referuar statutit të PD-së, në nenin 51, Komisioni Qendror i Apelimit në Partinë Demokratike, thuhet se rreth një muaj pas zgjedhjeve, kryesia e partisë mund të deklarojë kundrejt një anëtari, kushdo qoftë gjendja e tij, një prej sanksioneve që parashikon statuti, nëse ai frenon zbatimin e vendimeve. PD është drejt rinovimit të strukturës së partisë, ku anëtarët e kryesisë aktuale pritet të zëvendësohen me emra të rinj. Rasti më tipik është ai i ish-zëdhënësit të PD-së, Gerti Bogdani, i cili iu bashkua kryesisë së demokratëve menjëherë sapo mori postin e Besnik Mustafajt, sekretarit të marrëdhënieve me jashtë. Një tjetër lëvizje e radhës që pritet të bëhet brenda kryesisë është edhe ajo e Aleksandër Biberajt dhe Maksim Cikulit, të cilët në mbledhjet e fundit nuk janë njoftuar nga stafi ndihmës i kryetarit Berisha.

Strategjia blu

Anëtarët e Kryesisë së re të PD-së duhet të jenë me patjetër anëtarë të Këshillit Kombëtar. Ky është kushti i vendosur në kampin demokrat për pjesëtarët e rinj të kupolës së partisë që qeveris vendin. Kryesia përbëhet nga 25 emra dhe është e drejtë e kryetarit të PD-së, Sali Berisha, të propozojë emrat rreth 40-50 kandidatëve për 25 vendet në kryesinë e partisë. Sipas planit të demokratëve, ajo që mësohet deri tani është fakti se kandidatët do të dalin nga lista e anëtarëve të Këshillit Kombëtar. Preferencat e kreut të PD-së lanë jashtë listës së kandidatëve për deputetë një sërë anëtarësh të Kryesisë aktuale të PD-së dhe është shumë e qartë se këto preferenca nuk do të ndryshojnë edhe në garën që do të bëhet për anëtarët e rinj të këtij forumi të lartë drejtues. Riformatimi do të bëhet në vjeshtën e këtij viti, pas ndërtimit të qeverisë së re të integrimit europian. Bashkëpunimi PD-LSI pritet të ndezë xhelozinë në kampin demokrat ku prezenca e Lëvizjes Socialiste për Integrim në qeverinë e re do të ulë numrin e ministrive në dispozicion të Partisë Demokratike, e cila pas ndërtimit të qeverisë do të hedhë sytë nga postet e rëndësishme partiake.

Largimet

Në bazë të statutit, Partia Demokratike çdo katër vjet rizgjedh strukturën e saj drejtuese. Është Këshilli Kombëtar që ka kompetencat për ndërtimin e kryesisë së re dhe projekti i fundit i kampit organizativ të PD-së është që të zëvendësojë një pjesë të emrave të anëtarëve të kryesisë me emra të rinj. Emrat që priten të mos jenë më në Kryesinë e Partisë Demokratike janë Aleksandër Biberaj, Besnik Mustafaj dhe Maksim Cikuli. Anëtarët e sipërpërmendur të Kryesisë së PD-së shprehen se, në bazë të statutit të Partisë Demokratike, rinovimi i strukturave është shtyrë për në vjeshtën e këtij viti, për shkak të zgjedhjeve parlamentare, por nuk kanë dijeni për zëvendësimin e mundshëm të tyre. Hyrja e menjëhershme në politikë e stafit të ri të deputetëve në Partinë Demokratike pritet të riformojë edhe strukturën e Kryesisë së PD-së. Opsioni shumë i diskutuar më parë për ndarjen e posteve të sekretariateve nga ato ministrore duket se këtë herë do të jetë një temë e mbyllur.

Statuti i PD-së

Në bazë të statutit, kryesia e partisë përbëhet nga kryetari dhe nënkryetarët e partisë, sekretari i përgjithshëm, kryetari i bordit financiar, kryetari i grupit parlamentar të PD në Kuvend;

dhe kryetarët e organizatave partnere. Duke iu referuar statutit, njëzetepesë anëtarët janë zgjedhur nga Këshilli Kombëtar sipas përcaktimeve në rregulloren e brendshme. 25% e kandidatëve fitues duhet të jenë femra dhe në rast se ky kriter nuk plotësohet në renditjen e dalë pas votimit, atëherë renditja e tyre veçohet nga ajo e përgjithshmja. Mandati i anëtarëve të kryesisë është katërvjeçar. Vendimet në kryesi merren me shumicë të thjeshtë të votave në prani të më shumë se gjysmës së anëtarëve të kryesisë.
Statuti

Neni i penalizimeve

Komisioni Qendror i Apelimit

Pika 6, Neni 51

Në tre muajt që paraprijnë çdo fushatë zgjedhore dhe një muaj pas saj, kryesia e partisë mund të deklarojë kundrejt një anëtari, kushdo qoftë gjendja e tij, një prej sanksioneve që parashikon statuti, nëse ai frenon zbatimin e vendimeve që kanë të bëjnë me kandidaturat.

Kryesia aktuale e PD-së

1- Sali Berisha

Kryetar, Kryeministër

2- Ridvan Bode

Sekretar i përgjithshëm, ministër i Financave

3- Astrit Patozi

Nënkryetar, kryetar i grupit parlamentar

4- Jozefina Topalli

Nënkryetare, Kryetare e Kuvendit

5- Ilir Rusmali

Anëtar, kryetar i Komisionit të Ligjeve

6- Sokol Olldashi

Anëtar, ministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit

7- Fatos Beja

Anëtar, ministër e Arsimit

8- Genc Ruli

Anëtar, ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës

9- Edi Paloka

Anëtar, deputet

10- Bujar Nishani

Anëtar, ministër i Brendshëm

11- Leonard Demi

Anëtar, kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare

12- Edmond Spaho

Anëtar, kryetar i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave

13- Mimoza Hasekiu

Anëtare

14- Liri Dibra

Anëtare

15- Margarita Qirko

Anëtare

16- Marieta Zaçe (Pronjari)

Anëtare, zv/ministër i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta

17- Aldo Bumçi

Anëtar, deputet

18- Lulzim Basha

Anëtar, ministër i Punëve të Jashtme

19- Majlinda Bregu

Anëtare, ministre e Integrimit

20- Maksim Cikuli

Anëtar

21- Aleksandër Biberaj

Anëtar, ish-deputet

22- Halit Shamata

Anëtar, zv/ministër i Arsimit dhe Shkencës

23- Besnik Mustafaj

Anëtar, ish-deputet

24- Ferdinand Xhaferri

Anëtar, sekretar i marrëdhënieve me median

25- Flamur Noka

Anëtar, sekretar organizativ



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›