E Diel, 1 Nëntor 2026

Avokatët e shtetit pranë Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit fitojnë të drejtën për t‘u pajisur me pasaportë diplomatike. Vendimi është marrë dje në mbledhjen e qeverisë, ku është ndërhyrë në vendimin nr. 335, datë 2 shtator 1997, për lëshimin e pasa

Avokatët e shtetit pranë Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit fitojnë të drejtën për t‘u pajisur me pasaportë diplomatike. Vendimi është marrë dje në mbledhjen e qeverisë, ku është ndërhyrë në vendimin nr. 335, datë 2 shtator 1997, për lëshimin e pasaportave diplomatike dhe atyre të shërbimit. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të ligjit nr.8668, datë 23.11.2000, "Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportë për jashtë shtetit", me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave vendosi të bëjë një shtesë në pikën 3 të këtij vendimi, ku janë shtuar avokatët e shtetit pranë Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit dhe në pikën 4, ku do të pajisen me pasaportë shërbimi kryetari i Zyrës Vendore në Avokaturën e Shtetit dhe juristët pranë Zyrës së Përfaqësimit në gjykatat e huaja ndërkombëtare dhe në arbitrazhin ndërkombëtar. Lejohet vendosja e fotografive të fëmijëve nën 16 vjeç vetëm në pasaportat e bashkëshortëve të anëtarëve të personelit diplomatik ose konsullor të Republikës së Shqipërisë. Afati i vlefshmërisë së pasaportave diplomatike dhe të shërbimit duhet të jetë deri në 5 vjet. Ai mund të zgjatet dy herë për periudha deri në dy vjet. Në rast se mbajtësi i pasaportës diplomatike apo të shërbimit shkarkohet nga detyra, largohet nga puna apo emërohet në një detyrë tjetër, ai është i detyruar të dorëzojë pasaportën diplomatike ose të shërbimit. Në rast mosdorëzimi të pasaportës diplomatike ose të shërbimit, Drejtoria Juridike e Konsullore e Ministrisë së Punëve të Jashtme njofton të gjitha përfaqësitë e huaja të akredituara në Tiranë për pavlefshmërinë e pasaportës së padorëzuar. Drejtoria Juridike e Konsullore, gjithashtu, njofton për sa më lart edhe Ministrinë e Brendshme, e cila urdhëron të gjitha pikat e kalimit kufitar për moslejimin e daljes jashtë shtetit të mbajtësit të kësaj pasaporte, si dhe bllokimin e pasaportës. Në rast se mbajtësi i pasaportës diplomatike apo të shërbimit e humb atë gjatë kohës që është në shërbim, do të ripajiset me pasaportë të re, vetëm pasi drejtoria e personelit të ministrisë apo institucionit përkatës të ketë dërguar në Ministrinë e Punëve të Jashtme kërkesën, deklaratën e personit ku sqaron rrethanat e humbjes, si dhe një vërtetim të marrë nga Ministria e Brendshme, ku të jetë konfirmuar se humbja e kësaj pasaporte u është bërë e njohur të gjitha pikave të kalimit kufitar.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›