E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dade: Fletët e votimit, Internacionalja na mbështeti

Deklarata Sekretarja për marrëdhëniet ndërkombëtare në selinë rozë insiston te qëndrimi i opozitës

Sanksionet e mundshme ndaj Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit po afirmohen si elemente negociuese nga ana e Partisë Socialiste. Vetëm një ditë pasi Komiteti për Europën Juglindore i Internacionales Socialiste miratoi një rezolutë të posaçme për krizën shqiptare, sekretarja për marrëdhëniet Ndërkombëtare në selinë rozë, Arta Dade, ka rikujtuar se rrëzimi i pretendimeve të opozitës për zgjedhjet e 28 qershorit mund të sjellë penalizimin e vendit. “IS i bëri thirrje qeverisë, që të bëjë transparencën e plotë të zgjedhjeve, përfshi materialet zgjedhore dhe hapjen e kutive të votave... IS është në krah të Bashkimit Europian, lidhur me të gjitha përpjekjet e bëra së fundmi, duke u kërkuar palëve në Shqipëri të zgjidhin krizën, e cila ka impaktin e vet... edhe në vonesat që mund t’i krijohen Shqipërisë, në axhendën europiane të integrimit në BE”, deklaroi Dade. Duke renditur përfaqësuesit e njohur politikë që morën pjesë në takimin e së shtunës në Tiranë, deputetja socialiste ka lënë të kuptohet se ndërkombëtarizimi i krizës po sjell zhvendosjen e qëndrimeve ndërkombëtare ndaj saj. Vetë rezoluta e miratuar i vjen në ndihmë opozitës në një moment kur raundi i parë i negociatave ka përfunduar pa asnjë rezultat konkret. Por efekti i saj i vërtetë do të kuptohet në prezantimin e ofertave nga ekipi europian që ndërmjetëson mes palëve në Shqipëri. Të paktën sipas qëndrimeve të deritanishme opozitare është me vend të thuhet se më shumë sesa një marrëveshje, tanimë po kërkohet faturimi i krizës te kundërshtari, gjë e cila mund të bëhet e kuptueshme vetëm në rast se drafti i sugjeruar nga ndërkombëtarët refuzohet. Në këtë kontekst, rezoluta e IS priret që të ripërkufizojë qëndrimin e të majtëve europianë sa i përket situatës në Shqipëri dhe sidomos rrugëdaljes prej saj. Tekstualizimi në këtë dokument i kërkesës për hapjen e kutive të fletëve të votimit është një hap përpara, që rrit shpresat e PS-së në legjitimitetin e qëndrimeve të veta. Kjo gjë mund të konstatohet edhe në interpretimin që deputetja Arta Dade u ka bërë diskutimeve në takimin e Komitetit, që sipas saj ka rikonfirmuar mesazhet e deklaratës së Këshillit të IS, në Barcelonë në shtator 2009. “Edhe njëherë IS rikonfirmoi qëndrimin e saj të shprehur që përmes deklaratës së këshillit të saj në Barcelonë në shtator të 2009, se në Shqipëri demokracia është domosdoshmëri të riafirmohet, pra duhet të rivendoset demokracia”, u shpreh ajo. Me nevojën e riforcimit të demokracisë dhe me rezolutën e para dy ditëve, selia rozë shpreson kështu në thyerjen e atij opinioni bllokues që e ka parë kërkesën e saj për transparencën nën paragjykimin e një lufte për pushtet.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›