LSI: Mbledhja e Internacionales, e parëndësishme
Rezoluta e Internacionales Socialiste për krizën në Shqipëri duket se nuk e ka impresionuar aspak një parti të majtë si Lëvizja Socialiste për Integrim. Në një konferencë për shtyp, dje, sekretari i përgjithshëm i saj, Luan Rama, e ka cilësuar takimin e Komitetit për Europën Juglindore të IS, si një aktivitet të papunësh, që përveç vëmendjes mediatike nuk mund të provokojë gjë tjetër. “Ishte një veprimtari e parëndësishme e disa njerëzve që nuk kanë se me çfarë të merren tjetër, ndërkohë që Lëvizja Socialiste për Integrim është e fokusuar te prioritetet europianizuese të Shqipërisë”, tha Rama. Sipas tij, kjo vlerë e paqenë e takimit të mbajtur në Tiranë ishte edhe arsyeja pse LSI-ja mungoi në të. Përtej klasifikimit nihilizues të mbledhjes së komitetit, sekretari i përgjithshëm i LSI nuk ka lënë pa bërë një interpretim politik të mesazheve që përcolli ai dhe sidomos rezolutës së miratuar. “LSI-ja është e angazhuar në çështjet që kanë të bëjnë me integrimin e vendit në BE”, tha Rama duke nënkuptuar se artikulimet e PS-së lidhur me bllokimin e integrimit të Shqipërisë janë bërë karta e vetme e kësaj të fundit për të imponuar vullnetin e vet. Brenda këtij deklarimi mund të shihet edhe një denoncim i qëndrimeve të opozitës, që pasi arriti ndërkombëtarizimin e kërkesave të veta, po paralajmëron qeverinë dhe opinionin për pezullimin e integrimit. I vetëkuptuar si një proces gjithëpërfshirës, me premisë parësore stabilitetin politik dhe funksionimin e demokracisë, integrimi po vihet për herë të parë në axhendën e partive shqiptare si armë politike.
#