Dade: Lëvizja e lirë, qeveria ka dështuar
Opozita e cilëson qeverinë të dështuar në premtimin për garantimin e lëvizjes së lirë të shtetasve shqiptarë. Sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në këtë parti, Arta Dade, konstatoi se në fund të 2008-ës Komisioni Evropian u paraqiti vendeve anëtare të BE-së një raport lidhur me plotësimin apo përmbushjen e të gjitha detyrimeve që kanë shtetet e Ballkanit Perëndimor lidhur me lëvizjen e lirë të shtetasve. Për fat të keq, nënvizoi Dade, Shqipëria është e grupuar në grupin e tretë, së bashku me Bosnjë-Hercegovinën dhe padyshim vendet e tjera të rajonit. Maqedonia, madje edhe Serbia, Mali i Zi, e kanë lënë pas vendin tonë. "Vendi ynë është i çiftëzuar me Bosnjë-Hercegovinën, e cila dihet që është një vend me një problematikë mjaft komplekse dhe serioze, ndërsa Shqipëria, e cila e ka nisur procesin e integrimeve shumë më herët se të gjitha këto vende, përveç Maqedonisë, për fat të keq ka mbetur e fundit", u shpreh Dade. Ajo kujtoi se në 2006-ën ministrja e Integrimit premtoi që brenda atij viti do të kishte liberalizim vizash me BE-në dhe me vendet përkatëse të këtij bashkimi. Gjithashtu, vijoi Dade, një vit më parë komisioneri Fratini erdhi në Shqipëri dhe nënshkroi marrëveshjen me qeverinë shqiptare lidhur me përmbushjen e detyrimeve dhe angazhimeve që do të ketë Shqipëria për lehtësimin apo liberalizimin e vizave. "Shqiptarët e kanë humbur edhe shansin e presidencës çeke, e cila tashmë ka filluar punën në drejtimin e BE. Presidenca çeke, një nga përparësitë kryesore të saj kishte liberalizimin apo lehtësimin e vizave, pra lëvizjen e lirë të shtetasve të Ballkanit Perëndimor", argumentoi drejtuesja socialiste. Ne, konstatoi Dade, rezultojmë që edhe këtë vit të mos kemi një lehtësim apo liberalizim vizash me BE. "Pra rezulton të jetë një flluskë sapuni, si të gjitha mashtrimet që qeveria dhe kjo mazhorancë e Sali Berishës i kanë bërë shqiptarëve", insistoi Dade. Në qoftë se do t‘i referohemi raportit, tha ajo, i cili është hartuar mbi bazën e raportimeve të vendeve përkatëse dhe mazhoranca është e qartë që nuk i ka përmbushur këto standarde. Dade u shpreh se blloku i parë ka të bëjë me pajisjen e shtetasve me kartat e identitetit, pra është një premtim i pambajtur, nuk është bërë progres dhe ka paqartësi. Gjithashtu, shtoi ajo, detyrimet që ka Shqipëria ndaj BE-së, për administrimin e marrëveshjes së ripranimit, pra në rastet e emigracionit ilegal, duhet që vetë vendi të ketë masat përkatëse lidhur me ripranimin edhe integrimin në shoqëri. Ministria e Punëve të Jashtme, duke hedhur poshtë deklaratat e deputetes Dade, sqaroi se "procesi i shumëpritur i liberalizimit të vizave është sot prioritet i padiskutueshëm dhe pjesë integrale e dialogut politik Shqipëri-BE".