E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dade: Mazhoranca qëndrim izolacionist për dosjet

Opozita ka kritikuar me tone të ashpra deklaratën e kryetares së kuvendit, Topalli për ligjin e dosjeve. Sekretarja e marrëdhënieve me jashtë në PS, Arta Dade thotë se vendi po shkon në diktaturë dhe se mazhoranca, nuk po merr parasysh deklarimet e të gjithë ndërkombëtarëve. Zonja Topalli duhet të ketë vëmendjen ndaj atij organizmi ku ka përfaqësuar Shqipërinë edhe vetë për mbi 5-6 vjet dhe nuk duhet të vazhdojë çmendurinë e shefit të saj, të zotit Berisha, për të zbatuar ligjin. Është për të ardhur keq që dhe njëherë kryetarja e Parlamentit si nënkryetare e Partisë Demokratike shprehu konceptet izolacioniste dhe arkaike, koncepte që do ti shkonin për shtat vetëm regjimeve autoritariste. SHBA përmes ambasadorit të tyre përsëri këtë javë kanë ripërsëritur qëndrimin, u shpreh Dade. Sipas saj, këto shurdhëri në mënyrë të përsëritur mbajnë peng procesin integrues të Shqipërisë në bashkësinë europiane. Kjo mazhorancë po rrezikon, jo vetëm integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë, por edhe izolimin nga organizmat euroatlantik dhe ne nuk mund të lejojmë që interesat madhore të integrimit të vendit të dominohen nga interesa të ngushta vetjake të Sali Berishës dhe oborrit të tij, u shpreh sekretarja e marrëdhënieve me jashtë në PS, Dade. E pyetur nga gazetarët, nëse do të marrë pjesë në kuvend kur të votohet autoriteti i verifikimit të personave zyrtarë, Dade tha se dihet që PSSH ka bërë ankimim pranë Gjykatës Kushtetuese dhe ne presim bindjen e saj, ashtu sikurse është sugjeruar edhe nga reporterët e KE. Sigurisht ne mbetemi të hapur për të bashkëpunuar për këtë ligj, ashtu si na kanë sugjeruar ekspertët e KE, OSBE, BE. Dade theksoi se çdo gjë është gati që PS të hartojë një ligj të përbashkët, duke mos shkelur ato standarde euroatlantike, për të cilat partnerët tanë nuk mund ti justifikojnë. Sekretarja e marrëdhënieve me jashtë, Dade nisur nga qëndrimi i fundit i opozitës për ligjin e Dosjeve i është referuar pranisë shumë të rëndësishme të ndërkombëtarëve në Tiranë, duke nisur nga organizmat pretigjioz, si OSBE, BE dhe KE. Më pas vizitës së Presidentes së radhës së OSBE, deklarimeve të presidencës çeke të BE dhe gjithashtu vizita e reporterëve të KE; që në unison kanë kërkuar që ligji i lustracionit të mos zbatohet, si një ligj që bie ndesh me Kushtetutën dhe si një ligj që dhunon të drejtat themelore të njeriut.

Email This Klikime: 1

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›